Kërko

Vatican News
 Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme  (Vatican Media)

Papa: të gjithë mëkatojnë shpesh, po lutja të fisnikëron

Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa u drejtoi besimtarëve një ftesë të fuqishme për t’u lutur, duke ecur në gjurmët e Davdit Mbret e Profet, shenjt e mëkatar, që lutet, e lutja mbetet fill i kuq i gjithë jetës së tij. E kështu Davidi na mëson të bisedojmë drejtpërdrejt me Zotin!

R. SH. - Vatikan

“Të gjithë njerëzit mëkatojnë nga inkoherenca, po lutja të jep unitet. E, prej këndej, gjithçka duhet të hyjë në dialog me Zotin, që është “shoku i vërtetë i udhës së njeriut”, në mes të trazirave të panumërta të jetës. Nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, ku i mban prej kohe audiencat, për të respektuar masat kundër koronavirusit, jehoi përsëri fuqishëm ftesa e Papës për t’u lutur. Ishte katekizmi i fundit, i mbajtur në audiencën e përgjithshme para pushimeve verore të korrikut, përqendruar tek figura madhështore e Davidit, mbret e profet. Audiencat e përgjithshme do të rifillojnë pastaj të mërkurën, më 5 gusht, ndërsa lutja e Ëngjëllit të Tënzot do të vijojë rregullisht.

Në katekizmin e sotëm të Papës, pra, u takuam me një nga figurat më të paharrueshme të Shkrimit Shenjt: me Davidin. E nisi me një jetëshkrim të shkurtër të Mbretit e Profetit të madh, katekizmin Françesku. Duke i dhënë, së pari, përgjigje pyetjes: “Kush ishte Davidi?”.

Kush ishte Davidi?

I dashur nga Zoti që fëmijë, u zgjodh për një mision të pashembullt e për një rol qendror në historinë e Popullit të Zotit e të vetë fesë sonë. Në Ungjijtë - kujtoi në vijim Papa - Jezusi thirret shumë shpesh “biri i Davidit”;  e jo vetëm sepse si ai, lindi në Betlehem, por edhe e kryesisht sepse, sipas premtimeve, pikërisht nga  pasardhësit e tij do të vinte Mesia: një mbret plotësisht sipas zemrës së Zotit, që do t’i bindej në mënyrë të përkryer Atit e do të realizonte besnikërisht planin e tij të shëlbimit (krh Katekizmi i Kishës Katolike, 2579).

Davidi, mbreti i kërkuar nga Zoti

Kështu e filloi jetëshkrimin e Davidit Papa, duke kujtuar, më pas, se historia e tij nis mbi kodrat rreth Betlehemit, ku kulloste grigjën e të atit, Jeses. Ishte ende djalosh, më i vogli i shumë vëllezërve. Aq i vogël, sa kur Samueli profet, me urdhër të Zotit, vihet në kërkim të mbretit të ri, të  duket se i ati gati-gati e kishte harruar fare më të voglin ndër bijtë e tij të shumtë. Atë, që endej gjithnjë nëpër kullota, hijeve, në ajër të pastër! Që ishte mik me flladet, me tingujt e mrekullushëm të natyrës, me rrezet e diellit, me blegërimat e bagëtisë. Që bridhte blerimesh, me një mik të vetëm pranë: çesten, një lloj vegle muzikore e barinjve të lashtësisë. Me një dëfrim të vetëm: muzikën e këngën, kushtuar Zotit të vet!

Bariu

Para së gjithash, pra, Davidi - kujtoi Papa - është bari: njeri që kujdeset për dhentë, që i mbron nga çdo rrezik, që i ndjek në kullotë. Kur, sipas dëshirës së Zotit, i duhet të kujdeset për fatet e popullit të vet, nuk kryen veprime shumë të ndryshme, nga ato që kryente kur i printe grigjës.  Mbetet bari! Prej këndej në Bibël e takojmë shumë shpesh figurën e bariut. Edhe Jezusi quhet “Bariu i Mirë”, sepse sjellja e tij ndryshon rrënjësisht nga ajo e mercenarit; ai jep jetën për delet e veta, u prin, i thërret me emër.

Ndryshimi ndërmjet bariut e cubit të dhenve

Davidi mësoi shumë nga zanati i tij i parë. Kështu, kur Natani profet ia përplas në fytyrë mëkatin e tij mortar, Davidi e kupton menjëherë se kishte qenë bari i keq, se i kishte rrëmbyer një burri tjetër delen e vetme, që e donte, se nuk kish qenë më shërbëtor i përvuajtur, por njeri i sëmurë nga etja për pushtet, një cub, që vjedh e vret!

Davidi Poet

Në vijim të katekizmit, Papa shpalosi virtytet e jashtëzakonshme me të cilat e kishte pajisë Zoti Profetin e Madh. Ndërmjet tyre, i kishte dhuruar shpirt poeti. Davidi nuk ishte trashaman, siç ndodh shpesh me njerëzit e detyruar të jetojnë gjatë të vetmuar, larg shoqërisë. Përkundrazi. Ishte tejet i hollë, i ndjeshëm, i dashuruar me muzikën e këngën. Gjithnjë në shoqëri me çesten e tij, herë duke i kënduar Zotit, herë duke shprehur ankthet e shpirtit, e herë duke rrëfyer mëkatin e vet.

Bota dhe misteri i saj

Bota, që shikon me sytë e tij, nuk është skenë memece: syri i tij shikon, pas dukjes së sendeve, një mister më të madh. Lutja i lind pikërisht prej aty: prej bindjes se jeta nuk është barrë e rëndë, e padurueshme, por mister mahnitës, nga i cili në shpirtin tonë buron poezia, muzika, mirënjohja, lavdërimi, por edhe loti e, sidomos, lutja. Ashtu si buroi në shpirtin e Davidit që, sipas traditës, është krijuesi i Psalmeve. Prej këndej në krye të tyre kujtohet pikërisht Mbreti i Izraelit si dhe disa nga ngjarjet fisnike e jo, të jetës së tij.

Ëndrra e Davidit

Duke vijuar të pikturojë portretin fizik e moral të Mbretit të Madh, pasardhës i të cilit do të ishte Mesia, Papa kujtoi se ai kishte një ëndërr të vetme: të ishte bari i mirë! Herë ia dilte të ishte në lartësinë e kësaj detyre, herë tjetër, jo. Po kjo ka pak rëndësi - pohoi Papa - Rëndësi ka që, në kontekstin e historisë së shëlbimit, është profeci për ardhjen e një Mbreti tjetër, paralajmërim e shëmbëllim i të cilit është ai vetë.

Davidi na mëson të bisedojmë me Zotin

Shenjt e mëkatar, persekutues e i persektuar, viktimë e vrasës: kështu ishte Davidi. E edhe ne vërejmë shpesh në jetën tonë tipare të kundërta; në përpjekjen për t’i bërë ballë jetës, të gjithë njerëzit bien shpesh në mëkatin e luhatjes. Por duhet kujtuar - saktësoi Papa, ndërsa vijonte të pikturonte portretin fizik e moral të Mbretit David - se jeta e tij përshkohet nga një fill i kuq, i cili krijon unitetin e ngjarjeve të jetuara nga profeti: lutja. Zë, që nuk shuhet kurrë. Që i ka të gjitha tonet e ngazëllimit e të vajtimit. Melodi, që del nga shpirti, e hyn në shpirt! Që ndryshon, sipas gjendjes shpirtërore: qesh e qan, gëzon e vuan. E duke bërë kështu, Davidi na mëson të hyjmë të gjithë në dialog me Zotin: në gëzim a në vaj; në dashuri a në vuajtje, në miqësi, a në armiqësi, mbetet gjithnjë e njëjta lutje! Çka ndryshon, është vetëm melodia. E kështu Davidi na mëson të bisedojmë drejtpërdrejt me Zotin. Gjithçka na e gëzon a na e mundon shpirtin, mund të bëhet fjalë drejtuar “Ty” - o Zot”, që na dëgjon gjithsesi e gjithnjë!

Kurrë vetëm!

Davidi, që jetoi për shumë kohë në vetmi, hijeve e burimeve, në të vërtetë nuk qe kurrë vetëm - pohoi Papa, me fjalë, nënteksti i të cilave i kujton secilit prej nesh, jetën e vet - E kjo është forca që ka lutja mbi shpirtin e të gjithë atyre, që e vënë në qendër të vëmendjes në jetën e tyre: lutja është e aftë të sigurojë marrëdhënien me Zotin. Shok i vërtetë në udhën e njeriut, në mes mijëra stuhive të jetës.

24 qershor 2020, 11:22