Papa për Scholas: edukimi të ndihmojë për të gjetur kuptimin e jetës

Të edukosh do të thotë të kërkosh kuptimin e gjërave e, për këtë, duhet dëgjuar, duhet krijuar kulturë dhe duhet kremtuar. Kështu, Papa Françesku në videomesazhin në spanjisht për Takimin virtual të Scholas Occurrentes.

R.SH. - Vatikan

“Bashkësi miqsh, bashkësi vëllezërish e motrash”: kështu i quan Papa Françesku, në një videomesazh, anëtarët e Fondacionit papnor “Scholas Occurrentes”, të cilët merren me edukimin e të rinjve, tashmë, në gjithë botën. Sot, në orën 15.00, me rastin e Ditës Botërore të Ambientit, të rinjtë, prindërit dhe mësuesit e Scholas u mblodhën para kompiuterit, në një takim virtual global, ku morën pjesë edhe personalitete të shquara të sportit, artit dhe tekonologjisë. Natyrisht, takimi u mbajt në platformën Zoom të internetit, për shkak të pandemisë së koronavirusit, por, pavarësisht nga kjo, Ati i Shenjtë nuk mungoi t’u dërgojë videomesazhin, që mbylli ngjarjen.

Fillimet e Scholas Occurrentes

 Papa kujton fillimet e kësaj përvoje, me dy mësues, José María del Corral dhe Enrique Palmeyro, të cilët, në një kohë krize, pak me guxim të marrë e pak me intuitë, ditën t’u jepnin përgjigje pyetjeve të rinisë së atëhershme. Në atë kohë, Papa i sotëm, ishte kryeipeshkëv i Buenos Ajresit në Argjentinë dhe i mbështeti fuqimisht hapat e strukturës, e cila, në vitin 2013, u bë Fondacion papnor - më se 400 mijë shkolla, që promovojnë dialogun dhe takimin ndërkulturor, përhapur në 80 vende e pesë kontinente.

“I shkreti njerëzim pa krizë!”

 Përmes tri pamjeve – “I Marri” në filmin “La Strada” (Rruga) e regjizorit të famshëm italian, Federico Fellini; “Vokacioni i shën Mateut” i piktorit të njohur Carvaggio dhe “Idioti” në librin me të njëjtin titull të shkrimtarit rus Dostoevskij – Papa Françesku përvijoi udhën e organizatës, e cila, në një periudhë krize të disa viteve më parë, e ndieu veten të thirrur për të gjetur një zgjidhje, duke marrë parasysh rreziqet e mundësitë e kohës. Kriza e atëhershme – ky, nënteksti i Atit të Shenjtë – është e ngjashme me krizën e sotme, shkaktuar nga pandemia e koronavirusit e, ashtu si dikur, kërkon intuitë, guxim, duke u parë si mundësi për rritje e zhvillim.

 “I shkreti njerëzim pa krizë! – komenton Papa në videomesazh. – I gjithi i përsosur, i gjithi i rregullt, i gjithi i kollarisur. I shkreti. Duhet të na vijë keq, sepse një njerëzim i tillë do të ishte i sëmurë, tejet i sëmurë. Falë Zotit, kjo nuk ndodh. Do të ishte njerëzim i përgjumur”.

Scholas, ndihmë në krizë

Nga ana tjetër, gjatë krizës kemi nevojë për ndihmë, pasi shpesh, nuk mund t’i zgjidhim vetë problemet, nënvizon Papa Françesku. Nevojitet një lloj orientimi, një këshillë nga dikush më i urtë, si për krizat e mëdha, ashtu edhe për krizat e vogla personale, martesore, shoqërore. Kemi frikë e mbyllemi në vetvete, duke e humbur kuptimin e gjërave që bëjmë e bukurinë e tyre. Por bukuria, thoshte Dostoevskij, do ta shpëtojë botën. Pikërisht, për këtë është e rëndësishme puna, që bëjnë Scholas Occurrentes me rininë, mënyra e tyre e edukimit, që nuk përfshin vetëm arsimimin, por edhe sportin e inkulturimin, duke përdorur gjuhën e mendjes, të duarve e të zemrës, siç thekson gjithnjë Papa Françesku.

“Edukimi duhet të dëgjojë, përndryshe nuk është edukim – vëren Ati i Shenjtë në videomesazh. – Nëse nuk dëgjon, nuk edukon. Edukimi krijon kulturë, përndryshe nuk është edukim. Edukimi na mëson të kremtojmë, përndryshe nuk është edukim. Ndokush mund të më thotë: ‘po si kështu, edukim a s’do të thotë t’i dish gjërat?’ Jo. Kjo është dituri. Edukim do të thotë të dëgjosh, të krijosh kulturë, të kremtosh. Kështu u zhvillua Scholas”.

Edukimi është inkulturim e dialog

 Duke marrë imazhin e “të Marrit” nga filmi i Fellini-t, Ati i Shenjtë i quan me përkëdheli “të marrë” dy themeluesit e Fondacionit, të cilët nuk mund as ta merrnin me mend se përvoja edukative, filluar në dioqezën e Buenos Ajresit, me miratimin e vetë Bergoglio-s - kryeipeshkvi i atëhershëm - do të rritej si kulturë e re takimi. Françesku përmend studentët japonezë, që hedhin valle me kolumbianët; të rinjtë izraelitë, që luajnë me palestinezët; studentët e Haitit, që arsyetojnë bashkë me ata të Dubait; fëmijët e Mozambikut, që vizatojnë me ata të Portugalisë.

“Prandaj – thekson Ati i Shenjtë – në këtë krizë të re, që po përballon sot njerëzimi, kur kultura ka dëshmuar se e ka humbur gjallërinë e saj, dua të kremtoj faktin se Scholas, si bashkësi edukative, si intuitë në rritje, i hap portat Universitetit të Kuptimit. Sepse edukim do të thotë të kërkosh kuptimin e gjërave. E të japësh mësim do të thotë të kërkosh kuptimin e gjërave. Duke bashkuar ëndrrën e fëmijëve dhe të rinisë me përvojën e të rriturve dhe të të moshuarve. Ky takim duhet realizuar gjithnjë, përndryshe nuk kemi njerëzim, sepse nuk kemi rrënjë, nuk kemi histori, as premtim, as zhvillim, as profeci”.

Mirënjohje, kuptim dhe bukuri

 Scholas Occurrentes nuk u mësojnë studentëve diçka, nuk u mësojnë gjëra, por vetë Jetën, e cila krijon gjithnjë botë të reja, të ndryshme, unike, edhe në vuajtjet, gëzimet, dëshirat e nostalgjitë tona më të thella. Janë botë, që përmbajnë Mirënjohjen, Kuptimin e jetës dhe Bukurinë, i kthehet edhe një herë Papa tri figurave, marrë nga “Idioti” i Dostoevskij-t, “Vokacioni i Shën Mateut” i Caravaggio-s dhe nga i Marri i filmit “Rruga” të Fellini-t. E, para se t’i nxisë anëtarët e Scholas Occurrentes të vijojnë udhën e ndërmarrë nga themeluesit dhe  t’u kërkojë të gjithëve të luten për të, Ati i Shenjtë nënvizon:

“Mos i harroni kurrë këto tri fjalët e fundit: mirënjohje, kuptim dhe bukuri. Mund t’ju duken të padobishme, sidomos sot. Kush ndërton shoqëri, duke kërkuar mirënjohje, kuptim e bukuri? Nuk është me rendiment, s’ka prodhimtari. E pra, nga kjo gjë, që duket e padobishme, varet krejt njerëzimi, krejt e ardhmja”.

05 qershor 2020, 16:45