Kërko

Vatican News
 Ordo virginum Ordo virginum 

Papa, Ordo virginum: bëjeni të shndrisë fytyra e Kishës në jetën tuaj

U kremtua sot 50-vjetori i shpalljes së Ritit, që krijoi përsëri mundësitë për kushtimin e grave të cilat, duke bërë pjesë në Ordo virginum, zgjedhin “Dhëndrin Hyjnor, Krishtin”, duke vijuar ta dëshmojnë dashurinë e Zotit për njerëzimin, në mjediset ku jetojnë e punojnë.

R. SH. - Vatikan

Pesëdhjetë vjet më parë Kongregata për Kultin Hyjnor, sipas porosisë së Shën Palit VI, shpallte Ritin e ri të Kushtimit të virgjërave. Kujtojmë se ky Urdhër është formë e jetës së kushtuar, karakterizuar nga riti solemn, kryesuar nga Ipeshkvi, gjatë të cilit dëshirtaret bëjnë kushtin e virgjërisë dhe të kushtimit të plotë të jetës së tyre në shërbim të Kishës. Është kushtim individial e publik, që jetohet në kontekstin e përshpirtërisë së Kishës, në kushte normale të jetës së popullit të Zotit.

 E sot mbushen 50 vjet nga shpallja e këtij riti. Me këtë rast Papa i përshëndeti virgjërat, për këtë dhuratë të dyfishtë të Zotit për Kishën e tij”-   siç pati thënë Shën Gjon Pali II me rastin e 25-vjetorit: “Riti i përtërirë është një Ordo fidelium, që i rikthehet bashkësisë kishtare” (Fjalim pjesëmarrësve në Kuvendin Ndërkombëtar të Ordo virginum”, 1995).

Përshëndetja e Françeskut

Në mesazhin e rastit, Papa kujton se për shkak të Pandemisë, akoma në vijim, takimi ndërkombëtar, i organizuar nga Kongregata për Institutet e jetës së kushtuar dhe të Shoqërive apostolike, për të kremtuar këtë përvjetor të rëndësishëm, u shty. Megjithatë, shpreh dëshirën për t’u bashkuar shpirtërisht në falënderimin “për këtë dhuratë të dyfishtë  të Zotit ndaj Kishës së tij”.

“Forma juaj jetës - kujton Papa në mesazhin  e rastit - e ka burimin e vet të parë në Ritin e thirrja juaj ndriçon me dritë të re pasurinë e pashterrshme e shumëformëshe të dhuratave të Shpirtit të të Ngjallurit, që i bën të reja të gjitha sendet. Njëkohësisht, është shenjë shprese: besnikëria e Atit vijon edhe sot të ngjallë në zemrat e disa grave dëshirën për t’iu kushtuar Zotit në virgjëri, të jetuar në mjedisin e tyre të zakonshëm shoqëror e kulturor e të rrënjosur në një Kishë të veçantë. Një formë jete, kjo, sa e lashtë, aq edhe moderne.

Thirrja e Papës: ruajeni të pacënuar fenë

Në mesazhin e drejtuar me këtë rast, Papa i porosit Virgjërat: “Mos e shuani zjarrin e profecisë së thirrjes suaj! Jeni të thirrura jo për meritat tuaja, por për mëshirën e Zotit, për ta bërë të shkëlqejë në jetën tuaj fytyrën e Kishës, Nuses së Krishtit, që është virgjër, mbasi, pavarësisht se përbëhet nga mëkatarë, e ruan të pacënuar fenë, zë në kraharor, lind e rrit njerëzimin e ri. Më pas, porosia: larg thashethemeve! E edhe më larg nga arroganca e shpërdorimeve të pushtetit.

Duajini të gjithë, e kryesisht të varfërit

Ati i Shenjtë i fton virgjërat t’i rilexojnë e t’i meditojnë tekstet e Ritit, në të cilat gjindet kuptimi i thirrjes së tyre. Kështu do ta kenë gjithnjë parasysh se janë të thirrura ta dëshmojnë Zotin në Birin e tij, që na deshi i pari e që, me dashurinë e Tij për të gjithë, ka forcë t’i shndërrojë mëkatarët në shenjtorë! U kujton virgjërave të kushtuara edhe homelinë e propozuar nga Riti i Kushtimit, që i porosit: “Duajini të gjithë, po kryesisht të varfërit”.  Me këtë afërsi kushtimi juaj virgjëror - shkruan Papa  në mesazh - do ta ndihmojë Kishën për t’i dashur të varfërit, për t’i njohur ata, që vuajnë nga varfëri materiale e shpirtërore, për ta mbështetur më të brishtin e më të pambrojturit, që rrezikon të lihet krejt mënjanë e të trajtohet si hedhurinë.

Jini gra të mëshirës - porosia tjetër e Papës drejtuar Virgjërave të kushtuara, e gra të lutjes.

Mesazhi përfundon me bekimin e secilës nga virgjërat e kushtuara, si dhe të atyre, që përgatiten të ecin në këtë rrugë. E me urimin:

“Si shenjë e Kishës Nuse, uroj të jeni gjithnjë gra të gëzimit, sipas shembullit të Marisë së Nazaretit, grua e Magnificat, nënë e Ungjillit të gjallë”.

01 qershor 2020, 13:28