Kërko

Vatican News

Papa: nuk mund të marrim pjesë në Eukaristi, pa frymën e vëllazërimit

Jezusi është “forca përtëritëse” e bashkimit, por duhet ta lëmë veten të shndërrohemi e ta kapërcejmë tundimin e rivalitetit. Ky, mesazhi kryesor i reflektimit të Papës në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kushtuar solemnitetit të Corpus Domini, kremtuar sot në Itali e në kombe të tjera. Edhe në Shqipëri e në Kosovë. Papa kujtoi se kremtimet eukaristike nuk duhen jetuar si rite boshe e formale, duke nënvizuar me forcë se “Eukaristia e bën Kishën!”.

R. SH. - Vatikan

“Është e vërtetë se Kisha e bën Eukaristinë, por edhe më themelore të kujtosh se është Eukaristia, ajo që e bën Kishën dhe i lejon të jetë misioni i saj, edhe përpara se sa ta kryejë”.

Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot e shprehu këtë bindje duke kujtuar se Jezusi është i pranishëm në Sakramentin e Eukaristisë, që të jetë ushqimi ynë, të përvetësohet e të bëhet në ne forcë përtëritëse, që na rijep energjinë dhe dëshirën për t’u ngritur përsëri në këmbë e për të rinisur udhën, pas çdo ndalese a rrëzimi.

Duhet të jemi të gatshëm për t’u shndërruar

Misteri i kelkut, që ndahet bashkërisht dhe i bukës së thyer, kërkon diçka tejet të rëndësishme nga ne:

“Kërkon miratimin tonë, gatishmërinë tonë për ta shndërruar vetveten, mënyrën tonë të të menduarit e të të vepruarit; përndryshe kremtimet eukaristike, në të cilat marrim pjesë, rëgjohen në rite boshe e formale”.

Shpesh herë - shtoi Papa - ndokush shkon në Meshë sepse i duhet të shkojë, si  akt shoqëror, për t’u respektuar, por gjithnjë shoqëror. Po misteri është tjetër gjë - pohoi - “misteri është Krishti i pranishëm, që vjen për të na ushqyer”.

Françesku kujtoi Letrën e Shën Palit drejtuar Korintianëve (krh 1Kor 10, 16-17), që nis me  pyetjet retorike: “Kelku i bekimit, që ne bekojmë, a nuk është vallë bashkim me gjakun e Krishtit? Buka, që ne e thyejmë, a nuk është vallë bashkim me Korpin e Krishtit?”. Këto fjalë shprehin efektin mistik a shpirtëror të Eukaristisë, të bashkimit me Krishtin që, në bukën e në verën dhurohet për shëlbimin e të gjithëve. Më pas shpjegoi se mistiku është vetëm i pari nga dy efektet e kelkut të ndarë bashkë e të bukës së thyer: i dyti është ai “komunitar”, sepse - sipas Shën Palit “Mbasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm, sepse të gjithë jemi pjesëtarë të një buke të vetme”.

Kungimi është vëllazëri e sinqertë

Papa Françesku  vijoi të pohojë se Kungimi është bashkim reciprok i atyre, që marrin pjesë në Eukaristi aq, sa të bëhen një korp i vetëm, ashtu si një e vetme është  buka, që thyhet e që ndahet.  E vërejti:

“Bashkimi me Korpin e Krishtit është shenjë e efektshme uniteti, bashkëndarjeje. Nuk mund të merret pjesë në Eukaristi, pa dëshirën për vëllazërim të anasjelltë e të sinqertë!”.

Tundimi i përçarjes

 Por Zoti - vijoi të kujtojë Papa në Engjëllin e  Tënzot - e di mirëfilli se forcat tona njerëzore nuk mjaftojnë për këtë.

“E di se edhe ndërmjet dishepujve të Tij nuk mungon kurrë tundimi i rivalitetit, i smirës, i paragjykimit, i përçarjes…”.

 Prandaj na e la Sakramentin e Pranisë së tij reale, konkrete, të përhershme, në mënyrë që, duke qenë të bashkuar me Të, të mund ta marrim gjithnjë dhuratën  e dashurisë vëllazërore:

 “Rrini në dashurinë time!” - i ftoi miqtë e tij. E kjo është plotësisht e mundur, falë Eukaristisë!”.

Është tepër e rëndësishme, prandaj, ta marrim Jezusin, që të na shndërrojë nga brenda, të bëjë unitet, jo ndarje. Prej këndej, roli i Eukaristisë në forcimin e bashkësisë së krishterë:

“Ky fryt i dyfishtë i Eukaristisë: bashkimi me Krishtin dhe bashkimi ndërmjet atyre, që ushqehen me Të, e lind dhe e rrit vazhdimisht bashkësinë e krishterë”.

Kujtimi i Koncilit II të Vatikanit

 Papa kujtoi, më pas, pohimin e Koncilit II të Vatikanit i cili, pikërisht në krye të Kushtetutës kushtuar Kishës, pohon se ajo “është, në Krishtin, në një farë mënyre, Sakramenti, apo shenja dhe mjeti i bashkimit intim me Zotin dhe i unitetit të gjithë gjinisë njerëzore”.

E, së fundi, si zakonisht, lutja drejtuar Zojës së Bekuar:

“Virgjëra Mari na ndihmoftë ta pranojmë gjithnjë me mrekullim e mirënjohje dhuratën,  që na bëri Jezusi, duke na lënë Sakramentin e Korpit e të Gjakut të vet”.

14 qershor 2020, 13:40