Papa Francesco e anziani - nonni Papa Francesco e anziani - nonni 

Papa: në shoqëritë tona nuk ka vend për dinjitetin e të moshuarve

Papa: "Pandemia ka treguar se shoqëritë tona nuk janë aq të organizuara pёr t’u krijuar një vend të moshuarve, me respektin e duhur për dinjitetin dhe brishtësinë e tyre. Aty ku nuk ka kujdes e dashuri për të moshuarit, nuk ka të ardhme për të rinjtë".

R.SH. - Vatikan

"Pandemia ka treguar se shoqëritë tona nuk janë aq të organizuara pёr t’u krijuar një vend të moshuarve, me respektin e duhur për dinjitetin dhe brishtësinë e tyre. Aty ku nuk ka kujdes e dashuri për të moshuarit, nuk ka të ardhme për të rinjtë. Kёshtu shkruan Papa Françesku në Twitter.

Tё moshuarit janё historia e një populli

Papa Françesku shpesh bën ftes tё pёr tё sensibilizuar shoqërinë pёr respektimin e tё moshuarve, që aq shumë kanë dhënë gjatë jetës së tyre. Tё moshuarit janё historia e një familjeje, e një bashkësie, e një populli. Edhe pёr kёtё arsye jemi tё thirrur tё kujdesemi për të mos i harruar të moshuarit dhe urtinë, që ruajnë e transmetojnë.

Prej këndej, është detyrë të respektohen, t’u njihet vlera në çdo familje e komunitet, të kujtohen nevojat që mund të ketë popullsia e të moshuarave, të bindur se me urtinë dhe gjestet plot dashuri, tё moshuarit ende sot japin dhe mund të japin një ndihmesë jashtëzakonisht të çmuar për rritjen njerëzore të familjeve të tyre si dhe pёr pёrhapjen e vlerave njerёzore e shoqёrore, shpirtёrore e kulturore.

Vlerësimi kontributit tё moshuarve në shoqëri

Në botën e arritjeve teknologjike, të moshuarit plaken më mirë, janë më aktivë e kanë mundësi më të mëdha. Gjithsesi, mjekësia punon intensivisht për t’u bërë ballë sëmundjeve të pleqërisë, në mënyrë që i moshuari të jetë i pavarur dhe i aftë për të kryer një jetë normale, sa më shumë që të jetë e mundur. Mjekët këshillojnë që të punohet më parë për vitet e pleqërisë, duke zhvilluar një jetë të rregullt. Por të moshuarit kanë nevojë edhe për respektin e dashurinë tonë. Prandaj, familja dhe shoqëria duhet t’u japin vendin që meritojnë të moshuarve, duke shfrytëzuar përvojën e madhe që ata kanë, pa i flakur mënjanë si persona që tashmë nuk punojnë më e prandaj nuk i duhen më.

Në Meshën Shenjte kremtuar me të moshuarit,  më 28 shtator 2014, në Sheshin e Shën Pjetrit,  duke komentuar pjesën e Ungjillit që flet për takimin e vashës re, Marisë Virgjёr me plaken Elizabetë,  Papa Françesku nënvizoi se një popull, që nuk kujdeset për gjyshërit dhe nuk i trajton mirë, është popull pa të ardhme”.

“Pleqtë – kujtoi Papa Françesku – kanë urtinë. Atyre u është besuar transmetimi i përvojës së jetës, i historisë së familjes, të bashkësisë, të mbarë popullit”. “Të mos i harrojmë pleqtë tanë, në mënyrë që, të mbështetur nga familjet dhe nga institucionet, të bashkëpunojnë me urti e përvojë”, pohon Papa.

Të moshuarit janё thesar i çmuar

Duke folur pёr dashurinë qё Zoti ka ndaj nesh, Papa Françesku kujtoi se dashuria ёshtё dhuratë e Jezusit e cila "realizohet në jetën e përditshme, në qëndrimet tona, në veprimet tona", përndryshe mbetet "thjesht diçka iluzore, diçka e kotё". Është, pra, e rëndësishme të jemi tё vetëdijshëm se dashuria e Krishtit nuk është një ndjenjë sipërfaqësore, por qëndrim themelor i zemrës, që manifestohet në tё jetuarit tonё ashtu siç dëshiron Ai, Jezusi", nënvizoi Papa gjatë lutjes sё Mbretëreshës sё Qiellit, kremtuar mё 6 maj 2028, nё Sheshin e Shёn Pjetrit nё Vatikan.

"Kjo është edhe arsyeja – tha Ati i Shenjtë Françesku - pse ne jemi të thirrur për t’ kujdesur edhe pёr të moshuarit si një thesar të çmuar e të dashur, edhe nëse krijojnë probleme ekonomike dhe vështirësi ekonomike, ne duhet tё kujdesimi e t’i ruajnë gjithmonë ata. Duhet të promovohet vazhdimisht respekti për dinjitetin e të moshuarve, të cilët janë një burim i pasur për shoqërinë. E kjo punё ёshtë një nga prioritetet sot pёr çdo shoqëri e popull.

Duke mos harruar kontributin e njerëzve të moshuar për zhvillimin shoqëror, nuk mund tё mos nёnvizojmё se vëmendja jonë ndaj këtyre njerëzve është gjithnjë më kritike, numri i të moshuarve po rritet gjithnjë më shumë e vëmendja e shoqërisë ulet.  Të moshuarit tepër shpesh përjashtohen nga pjesëmarrja aktive në shoqëri. Shtetet e shoqëritë me politikat që kanë, janë  duke i vënë anash njerëzit që njëherë e dikur ishin në qendër të komuniteteve tona. E këtë e bëjnë duke harruar se të moshuarit, tё cilёt në realitet – siç ka thënë Papa – janë “burim i urtisë së popullit tonë”. Prandaj, duhet t’u përgjigjemi sa më parë nevojave të moshuarve e të marrim masa konkrete për t’u siguruar mbrojtjen të drejtat dhe respektuar dinjitetin e tyre.

15 qershor 2020, 12:49