Kërko

 Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot 

Papa në Engjëllin e Tënzot: Trinia është dashuri, që shpëton botën!

Në festën e sotme të Trinisë Shenjte, Papa komentoi Ungjillin e Gjonit, në të cilin paraqitet misteri i dashurisë së Zotit. Të dëgjosh Fjalën e Zotit e të marrësh Sakramentet, është rruga për të mbetur në lidhje të vazhdueshme me Atin, Birin e Shpirtin Shenjt. Jeta e krishterë, kujtoi Françesku, është Dashuri. Është të kërkosh Zotin, që na kërkon i pari!

R. SH. - Vatikan

E nisi duke shfletuar faqen e sotme të Ungjillit Papa, lutjen e Engjëllit të Tënzot, në festën e së Shenjtnueshmes Trini. E Ungjilli - kujtoi Françesku -  tregon, me gjuhën sintetike të Gjonit, misterin e dashurisë së Zotit për botën e krijuar prej Tij. Në dialogun e shkurtër me Nikodemin, Jezusi  na paraqitet si Ai, që përmbush planin e shëlbimit të Atit, në favor të botës. Gjoni pohon:

“Zoti  e deshi aq shumë botën, sa të jepte Birin e Tij të vetëm” .

Këto fjalë - shpjegoi Papa - na tregojnë se veprimi i Tri Vetjeve Hyjnore - Atit, Birit e Shpirtit Shenjt - është një plan i vetëm dashurie, që e shpëton njerëzimin e botën. E në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku nënvizoi:

“Bota është përplot me të këqija, me korrupsion e ne, burra e gra, jemi mëkatarë. Zoti mund të ndërhyjë, mund ta gjykojë botën, ta rrënojë të keqen e t’i dënojë mëkatarët. Po ai nuk e bën këtë, sepse e do botën. Pavarësisht nga mëkatet e saja”.

Papa vijoi ta theksojë dashurinë e pafundme të Zotit për njeriun, duke shpjeguar edhe çfarë është Trinia Shenjte:

“Zoti e do secilin prej nesh. Na do edhe kur gabojmë e kur largohemi prej Tij. Hyji Atë e do aq shumë botën, sa për ta shpëtuar, dhuron atë që ka më të çmuar: Birin e vetëm, i cili jep jetën për njerëzit, vdes e ringjallet e rikthehet tek Ati e, së bashku me Të, na dërgon Shpirtin Shenjt. Trinia është dashuri, e tëra në shërbim të botës, të cilën dëshiron ta shpëtojë e ta rikrijojë”.

Kur Jezusi pohon se Ati dha Birin e vet të vetëm  - kujtoi Françesku - na shkon menjëherë mendja tek Abrahami dhe gatishmëria e tij për të flijuar djalin e vetëm, Isakun, për të cilën flet Libri i Zanafillës (krh 22, 1-14). E kjo është “masa e pamasë” e dashurisë së Zotit. E mendojmë edhe për mënyrën sesi i dëftohet Zoti Moisiut i cili, siç tregohet në librin e Daljes, nuk pati frikë të vihet ndërmjet popullit e Zotit e t’i drejtohet me fjalët: “Por, o Zot, është popull kokëfortë, po ti na e fal fajin tonë e mëkatin tonë dhe bëj me ne, trashëgimin tënd".

Më  pas Papa u kujtoi besimtarëve se festa e sotme  na fton  të mahnitemi përsëri nga bukuria e Zotit. Nga bukuria. Mirësia. E vërtetësia e pashterrshme. Por edhe e përvuajtur, e afërt, e mishëruar, për të hyrë në jetën tonë, në historinë tonë, që çdo burrë e çdo grua të mund ta takojë e të ketë jetën e pasosur:  

“Kjo është feja - kujtoi Françesku - ta pranojmë Zotin-Dashuri, që na dhurohet në Krishtin e që na lejon të takohemi me Të e të besojmë në Të”.

Në vijim Papa iu përgjigj një pyetjeje themelore për jetën e krishterë: “Si e jetojmë besimin në Krishtin?”:

“E jetojmë - kujtoi - në dëgjimin e Fjalës së Zotit e duke marrë Sakramentet, përmes të cilave Shpirti Shenjt na dhuron hirin e Zotit. Përmes sakramenteve mund të mbetemi në lidhje të vazhdueshme me Vetjet hyjnore, nxitemi të dëshmojmë dashurinë ungjillore, gjejmë mbështetje në përpjekjen për të jetuar në bashkim e paqe, që gjithçka të jetë për lumni të Trinisë Shenjte, të Zotit –Dashuri”.

Në përfundim, si zakonisht, lutja drejtuar Marisë, banesë e Trinisë, që të na ndihmojë ta pranojmë me zemër të hapur dashurinë e Zotit, e cila na mbush me gëzim dhe e i jep kuptim udhës sonë në këtë botë, duke e orientuar gjithnjë drejt cakut, që është Qielli!

07 qershor 2020, 13:07