Kërko

Papa në Engjëllin e Tënzot: ta jetojmë Ungjillin e të dhurohemi bujarisht

Shërbimi e mirënjohja, jo interesat personale, lidhjet familjare, karriera - janë tiparet dalluese të jetës së krishterë, e shenjat e mirëfillta të mbretërisë së Zotit, mbretëri e dashurisë së dhuruar e mirënjohëse. Për këtë foli Françesku, duke komentuar faqen e Ungjillit të sotëm, natë e Solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal, që vetë Papa e kujtoi, duke përshëndetur besimtarët, të cilët e ndoqën lutjen në Sheshin e Shën Pjetrit.

R. SH. - Vatikan

Kërkues, Ungjilli i së Dielës XIII të kohës së zakonshme, që na kujton  tiparet dalluese të jetës së krishterë: dhurimin e vetvetes, mikpritjen e mirënjohjen. Ishin këto aspektet, në qendër të reflektimit të Papës Françesku në lutjen e  Engjëllit të Tënzot, kremtuar natën e  Solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal.

Ta vëmë dashurinë e Zotit në vendin e parë

Papa e filloi lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot me ftesën për ta jetuar plotësisht e pa asnjë ngurrim bashkimin tonë me Zotin. Jezusi u kërkon dishepujve të tij t’i marrin shumë seriozisht kërkesat ungjillore, edhe kur kjo kërkon flijime e mundime të mëdha, deri në kryq.

Gjëja e parë që u kërkon dishepujve, është ta vënë dashurinë për Të mbi çdo dashuri tjetër. Edhe mbi atë familjare - pohoi Papa - për të cituar më pas, fjalët e Krishtit, shkëputur nga Ungjilli i Mateut: “Kush e do babain a nënën..,[…] bijtë a bijat më shumë se mua, nuk është i denjë për mua”:

E për të sqaruar, më pas se, duke i shqiptuar këto fjalë, që mund edhe të keqkuptohen, Jezusi nuk deshi ta nënvleftësonte dashurinë për të afërmit e për fëmijët. Foli kështu, ngaqë e dinte mirëfilli se lidhjet familjare, po të vihen në vendin e parë, mund ta bëjnë njeriun të dredhojë e të largohet nga e rruga e mirë. E ne - kujtoi Papa - mund të japim një mori shembujsh në këtë drejtim. Pa folur këtu për situatat në të cilat lidhjet familjare  përzjehen me zgjedhjen e rrugëve, që i kundërvihen Ungjillit:

“E shikojmë se disa korruptime ndër qeveritë vijnë pikërisht sepse dashuria për farefisin është më e madhe se dashuria për atdheun. Ndaj i vënë në krye të vendit familjarët. Të gjithë mund të sjellim një mori shembujsh për këtë. Ndërsa, kur  dashuria për të afërmit e për fëmijët frymëzohet e pastrohet nga dashuria për Zotin, atëhere kjo dashuri përkryhet e jep frytet e së mirës brenda familjes e edhe jashtë saj”.

Dashuria e vërtetë për Krishtin - pohoi në vijim Papa duke cituar qortimet, që ua bën Jezusi doktorëve të Ligjit - kërkon dashuri të vërtetë edhe për prindërit, fëmijët... Por jo duke vënë në plan të parë dashurinë për familjen,  gjë që  të çon gjithnjë në rrugë të gabuar!

Nuk ka dashuri të vërtetë, pa kryq!

E Papa, duke vijuar komentin e Ungjillit të kësaj së dieleje, arrin te pika kulmore e Tij, te kërkesa tejet e vështirë, që ua drejton Krishti dishepujve të vet, të djeshëm, të sotëm, të nesërm:

“Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk më ndjek, nuk është i denjë për mua”.

Zoti i nxit dishepujt e tij të ecin në të njëtën udhë, ku shkeli ai vetë, pa dredhuar - Sepse nuk ka dashuri të vërtetë, pa kryq, domethënë pa paguar një haraç shumë të rëndë:

“Por - kujtoi Papa - nuk duhet ta kesh frikë kryqin, kur e mbart së bashku me Krishtin, që është gjithnjë përkrah nesh në orën e provës më të vështirë, për të na dhënë forcë e guxim!”.

Paradoksi i Ungjillit

Nuk ia vlen aspak të shqetësohesh, për të ruajtur jetën tënde, duke u sjellë si frikacak e egoist. Jezusi  vijon të të kujtojë:

“Kush e ruan vetëm për vete jetën, do ta humbasë, e kush do ta humbasë, do ta gjejë. E ky është paradoksi i Ungjillit”.

Po edhe për këtë fjalë, kemi shumë e shumë shembuj, që e vërtetojnë. Përsosuria e jetës dhe gëzimi mund të gjenden vetëm duke e dhuruar gjithë vetveten për Ungjillin e për vëllezërit, me zemër të hapur, mikpritje, dashamirësi.

Kush ju pranon ju, më pranon mua!. E ai, që i jep për të pirë edhe vetëm një gotë ujë të freskët njërit prej këtyre të vegjëlve, nuk do ta humbasë kurrsesi shpërblimin”- vijon të na e kujtojë Krishti nga kryqi - e Papa nga dritarja  e Bibliotekës së tij mbi Sheshin e Shën Pjetrit! Që kujtoi sakaq edhe ata, që po flijohen sot para syve tanë, për t’i shpëtuar të tjerët nga pandemia:

“Sa njerëz, sa njerëz, po mbartin kryqe për t’i ndihmuar të tjerët që kanë nevojë në këtë pandemi... Po gjithnjë me Jezusin mund të bëhej edhe kjo. Përsosuria e jetës dhe gëzimi mund të gjinden duke dhuruar vetveten për Ungjillin e për vëllezërit, me hapjen e zemrës, me mikpritje e dashamirësi”.

Mirënjohja, shenjë dalluese e të krishterit

Mirënjohja e fisme e Hyjit Atë e vlerëson edhe gjestin më të vogël të dashurisë e të shërbimit ndaj vëllezërve:

“Është mirënjohje, që e ndihmon secilin nga ne të jetë i miradishëm ndaj atyre, që kujdesen për nevojat tona. Kur ndokush na bën ndonjë shërbim, nuk duhet të mendojmë kurrë se e kishte për detyrë. Mirënjohja është, së pari, shenjë e edukatës së mirë, por edhe, e mbi të gjitha, shenjë dalluese e të krishterit. Shenjë e thjeshtë, por e vërtetë e Mbretërisë së Zotit, Mbretëri e dashurisë pa shpërblim e plot mirënjohje”.

E, duke folur lirisht, Papa kujtoi përvojën e një meshtari, të cilit një fëmijë ia dorëzoi të gjitha kursimet e veta për të varfërit. “Gjë e vogël, por sa e madhe!”.

Lutja, Marisë

Si zakonisht, Papa e përfundoi Engjëllin e Tënzot me një lutje, drejtuar Zojës së Bekuar:

“Maria, që e deshi Jezusin shumë më tepër se jetën e vet dhe që e ndoqi deri në kryq, na ndihmoftë ta vëmë Zotin mbi gjithçka, me zemër të gatshme, duke e lënë që Fjala e Tij  t’i gjykojë sjelljet tona e rrugët  e jetës sonë!”.

28 qershor 2020, 13:21