Shëna Ndou, afresk i Shkollës Gioteske, Bazilika e Padovës Shëna Ndou, afresk i Shkollës Gioteske, Bazilika e Padovës 

Papa minorëve konventualë: ndiqni shembullin e Shëna Ndout të Padovës

Vëllezërit e vegjël françeskanë konventualë kremtojnë sivjet 800-vjetorin e thirrjes françeskane të Shën Antonit të Padovës, apo Shëna Ndout, siç njihet ndër shqiptarë. E Papa Françesku i dërgoi, me këtë rast, një letër Eprorit të përgjithshëm të Urdhërit rregulltar, atë Carlos Alberto Trovarelli

R. SH. - Vatikan

Në Letër, Papa uron që ky kremtim “të ngjallë në shpirtin e rregulltarëve françeskanë si dhe të gjithë të devoçëmve të Shëna Ndout, të përhapur në mbarë botën, dëshirën për të provuar të njëjtin shqetësim shenjt, që e çoi Fernandin nëpër rrugët e botës, “për ta dëshmuar, me fjalë e me vepra, dashurinë e Zotit!”.

Papa: Shëna Ndou qoftë model për të rinjtë

Për Papën Françesku, shembulli i Shëna Ndout, që jetoi duke ndihmuar të munduarit, duke mbrojtur me pasion të vërtetën e të drejtën, mund të ngjallë edhe sot e kësaj dite dëshirën për ta dhuruar vetveten, duke ecur në gjurmët e Shenjtit, që vijon të ndikojë fuqimisht mbi jetën e mijëra njerëzve në të katër anët e botës. Prandaj mendimi i Papës shkon kryesisht tek të rinjtë, me urimin që “ky Shenjt, sa i lashtë, aq edhe modern e gjenial në ndjetet e tij, të jetë model për t’u ndjekur e për ta ngarkuar me fryte të begata rrugën e jetës të secilit prej tyre”.

Nismat e vëllezërve konventualë

Fretërit e vegjël konventualë menduan një sërë nismash për kremtimin e 800-vjetorit të thirrjes françeskane të Shën Antonit. Françesku, në letër, i përshëndet të gjithë ata, që do të marrin pjesë, duke uruar që të gjithë të mund të përsërisin, me Shëna Ndoun, fjalët, që i shqiptoi kur po jepte shpirt: “Po shoh Zotin tim!” e duke shtuar se “duhet ta shikojmë Zotin në fytyrën e çdo vëllai e të çdo motre, duke u ofruar të gjithëve ngushëllimin, shpresën e mundësinë e takimit me Fjalën e Zotit, spirancë për gjithë jetën tonë.

Jeta e Shenjtit të Padovës, në fjalët e Papës

Në letrën drejtuar konventualëve, Papa përmbledh gjithë jetën e Shenjtit, model për çdo të krishterë. Kujton se në vitin 1220, në Coimbra të Portugalisë, kanoniku i ri agostinian Fernando, i lindur në Lisbonë, sapo dëgjon historinë e martirizimit të pesë françekanëve, të vrarë për shkak të predikimit të Krishtit në Marok, më 16 janar të të njëjtit vit, vendos të ecë në një rrugë të re. Lë atdheun e tij e nis rrugën, që bëhet simbol i kthesës së tij shpirtërore - shpjegon Françesku. Niset, pra, për në Marok. I vendosur për ta jetuar me guxim Ungjillin, duke ecur mbi gjurmët e martirëve françeskanë. Ndalet, pastaj, në Sicili, pas mbytjes së anijes në brigjet italiane, ashtu si do të ndaleshin shumë nga vëllezërit e motrat tona në kërkim të një jete tjetër. Pastaj, pikërisht në Sicili, Zoti i krijon mundësinë të takohet me Françekun e Asizit e së fundi, të shkojë në Padovë, qytet që lidhet ngushtë me emrin e tij e ku ruhet edhe trupi i Shenjtit. Prej këndej të gjithë e njohin me emrin Shëna Ndou i Padovës.

#MeAntoninpërudhë

Padova, ndërkaq, duke respektuar masat kundër Covid 19, fillon  kremtimet për festën e Shenjtit, që bie më 13 qershor. Të dielën e kaluar, në Bazilikën, ku ruhet trupi i Shenjtit, nisi Trembëdhjetë ditëshi, ditë lutjeje që i paraprijnë festës, sivjet kushtuar mjekëve, infermierëve, punonjësve të shëndetësisë, vullnetarëve dhe punonjësve të informacionit - në vijë të parë, në betejën kundra virusit - kremtime që do të përfundojnë më 12 qershor, me Transito - siç quhet çasti i fundmë i jetës së Shenjtit - në Shenjtëroren e Arcellës, vend ku Shëna Ndou kaloi në amshim, në vitin 1231. “Udha e Shëna Ndout”, shtegtimi natën në fund të javës së majit nga Shenjtëroja e Camposanpiero - në Bazilikën e Padovës, sivjet u bë projekti virtual #ConAntonioInCammino”. Ftesa është për të jetuar, secili sipas ndjetit të vet, ndërmjet 30 e 31 majit, një shtegtim të vogël, duke e postuar në internet, për t’i bashkuar, pastaj virtualisht të gjitha shtegtimet, e duke bërë, kështu, një nga shtegtimet e mëdha, krejt të jashtëzakonshme, si i jashtëzakonshëm është edhe ky maj, në të cilin  kremtohet festa e Shëna Ndout. Sfida ishte të arriheshin, duke i mbledhur kilometrat e përshkuara, 800 kilometra, për të kujtuar 800 vjetët e thirrjes françeskane të Shëna Ndout. Më 31 maj 800 kilometrat u tejkaluan, por ndonëse nisma përfundoi,  shtegtarët vijojnë udhën e tashmë janë arritur 3.749 kilometra. Shumë të tjerë duan të vijojnë udhën deri më 31 qershor.

Nuk është vonë as për shqiptarët. Shenjtërorja e Laçit i pret….

 

 

03 qershor 2020, 12:53