2019.04.04 Gesu e adultera 5 domenica di Quaresima 2019.04.04 Gesu e adultera 5 domenica di Quaresima 

Papa: ‘Jezusi i mirëpret mëkatarët dhe ha me ta’

Papa Françesku: "Jezusi i mirëpret mëkatarët dhe ha me ta. Kjo na ndodh edhe ne , në çdo meshë, në çdo Kishë: Jezusi është i lumtur të na mirëpresë në sofrёn e tij, ku ai e ofron vetveten për ne".

R.SH. - Vatikan

"Jezusi i mirëpret mëkatarët dhe ha me ta. Kjo na ndodh edhe ne , në çdo Meshë, në çdo Kishë: Jezusi është i lumtur të na mirëpresë në sofrёn e tij, ku ai e ofron vetveten për ne". Kёtё e nёnvizon Papa Françesku në tweet botuar sot, 11 qershor 2020, nё faqen e internetit @Pontifex me rastin festёs sё Korpit tё Krishtit.

Jezusi nuk shikon mëkatin por zemrën e njeriut

Jezusi nuk sheh mëkatin e njeriut, por zemrën e tij, të cilën e kërkon për ta shëruar. Kёshtu pohoi Papa Françesku, gjatë homelisë së meshës së 28 tetorit 2014 në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan, duke reflektuar mbi Ungjillin e asaj dite, i cili tregonte lindjen e Kishës, si edhe mbi interpretimin e shën Palit Apostull, që e përshkruan Kishën si një ndërtesë, e cila ngrihet mbi themele të fuqishme.

Krishtit i intereson t’i dojë e t’i shërojë zemrat e jo të numërojë mëkatet. Papa përmendi veprimet që karakterizojnë lindjen e Kishës. Jezusi tërhiqet në lutje, pastaj zbret, shkon tek dishepujt, zgjedh 12 prej tyre e njëkohësisht, mirëpret e shëron edhe atë, që vetëm sa e prek. Siç thotё shën Pali, Kisha është ngritur mbi themelin e Apostujve. Ata i zgjodhi Jezusi: i zgjodhi 12. Të gjithë mëkatarë, të gjithë. Juda nuk ishte më mëkatari: nuk e di kush ishte mëkatari më i madh… Juda, i shkreti, qe ai, që e mbylli zemrën para dashurisë, prandaj u bë tradhtar. Por të gjithë ikën në çastin e vështirë të Mundimeve dhe e lanë vetëm Jezusin. Të gjithë ishin mëkatarë, por Ai i zgjodhi”...

Mjafton të kujtojmë qëndrimin e Krishtit ndaj shën Pjetrit, të cilin e pati vënë në krye të Kishës. Megjithëse e mohoi, Jezusi e fali dhe e la në vendin e mëparshëm. “Jezusi nuk pyeti për mëkatin e Pjetrit: kërkonte zemrën e tij. Por për ta gjetur këtë zemër e për ta shëruar, u lut.  Ne nuk mund ta kuptojmë Kishën pa këtë Jezus, që lutet e pa këtë Jezus, që shëron. Shpirti i Shenjtë na ndihmoftë ta kuptojmë, të gjithë ne, se Kisha e ka forcën në lutjen e Jezusit për ne dhe është e aftë të na shërojë të gjithëve”. Kështu Zoti Jezus fliste me të gjithë, edhe me mëkatarët, me publikanët, dijetarët e ligjit etj.

Çdo njeri të ndjehet i mirëpritur nga Jezusi

Prandaj, çdo njeri duhet të ndjehet i mirëpritur dhe i dashur nga Krishti e Kisha ed tij. Kështu u shpreh Papa Françesku në audiencën me pjesëmarrësit e veprimtarëve të shtegtimeve dhe të rektorëve të shenjtëroreve në Jubileun e tyre, në Vatikan, mё 21 janar 2016. Mikpritja, nënvizoi Ati i Shenjtë, është me rëndësi themelore dhe i ftoi meshtarët të jenë të mëshirshëm me ata, që shkojnë për t’u rrëfyer. Në të vërtetë, “mёkatarimbart me vete historinë e vet, fenë e dritëhijet e jetës së vet. Secili mban në zemër një dëshirë të veçantë e një lutje të veçantë”.

Kush hyn në shenjtërore, të ndjehet si në shtëpi

Kush hyn në njё Shenjtërore a Kishё, vijoi Papa Françesku, e ndjen se pritet si në shtëpi të vet. E kupton sepse shenjtërorja është vërtet, vend i privilegjuar për ta takuar Zotin e për të prekur me dorë mëshirën e Tij Hyjnore. Po të njëjtën gjë ndjen edhe meshtari, që rrëfen mëkatarët në një Kishё apo Shenjtërore. Për Papën, “mikpritja” e besimtarëve është çështje tejet e rëndësishme, sepse kёtё na mёson Jezu Krishti: “Njё mikpritje plot dashuri, përzemërsi, mirëkuptim e durim! Ungjijtë na e paraqesin Jezusin gjithnjë mikpritës ndaj atyre, që i afrohen, sidomos ndaj mëkatarëve, të mënjanuarve, të sëmurëve. E mos ta harrojmё shprehjen e Tij: ‘Kush ju pret ju, më pret mua, e kush më pret mua, pret Atë, që më ka dërguar!’.”

Mikpritja, vendimtare për ungjillëzimin

Jezusi, kujtoi Papa Françesku, jo vetëm ka folur për mikpritje, por edhe e ka vënë në jetë. E mëkatarë si Mateu e Zakeu, kur e presin Jezusin në shtëpi, e ndryshojnë krejtësisht jetën. Është interesante, vërejti Ati i Shenjtë Bergoglio, që Libri i Veprave të Apostujve mbyllet me skenën e shën Palit, i cili, i burgosur në Romë, priste të gjithë ata, që shkonin tek ai. Shtëpia e tij pra, ishte vend ku kumtohej Ungjilli: “Mikpritja është vërtet vendimtare. Nganjëherë, mjafton thjesht një fjalë, një buzëqeshje, për ta bërë personin të ndjehet i mirëpritur e i dashur. Njeriu, që mbërrin në Kishё a Shenjtërore, është shpesh i lodhur, i uritur, i etur… E nganjëherë, kjo gjendje fizike është pasqyrë edhe e gjendjes shpirtërore. Prandaj, ky njeri ka nevojë të pritet mirë, si në planin material, ashtu edhe në atë shpirtëror”.

Shtegtari duhet ta ndjejë gëzimin e mikpritjes

Personi, nënvizoi Papa, duhet të trajtohet jo thjesht si mik, si i ftuar, por si familjar. Duhet ta ndjejë veten në shtëpi, ta ndjejë se e presin me padurim, se e duan dhe e shohin me sytë e mëshirës e të dhembshurisë. Mikpritje krejtësisht e veçantë, vuri në dukje Papa Françesku, është ajo e mbarështuesve të Faljes së Zotit. Shenjtërorja e Kisha janё shtëpia e faljes së mëkateve, ku secili takohet me dhembshurinë e Zotit, që i mëshiron të gjithë pa përjashtim.

“Kush i afrohet rrëfyestores, e bën, sepse është penduar për mëkatin e vet: është penduar për mëkatin e vet. E ndjen nevojën t’i afrohet asaj… E percepton qartë se Zoti nuk e dënon, por e pret dhe e përqafon, si ati i djalit plangprishës, për t’i kthyer dinjitetin si bir i Hyjit (shih Lk 15,20-24). Meshtarët, duhet ta kenë zemrën plot me mëshirë; qëndrimi i tyre duhet të jetë ai i një ati”.

Me mëshirë e falje, Jezusi është përmbushja e ligjit

Jezusi, që gjykon me mëshirë e falje, është përmbushja e ligjit. Ky, thelbi i homelisë sё Papёs mbajtur në Meshën e mëngjesit, mё 3 prill 2017, në Shtëpinë e Shën Martës nё Vatikan, gjatё sё cilёs i ftoi të gjithë të mos hyjnë “në zemër të tjetrit” për të gjykuar, por të falin.

Përballë mëkatit dhe prishjes, me mёshirё e falje Jezusi është përmbushja e vetme e Ligjit. Në homelinë e mbajtur gjatë Meshës së mëngjesit, në Shëpinë e Shën Martës, Papa Françesku reflektoi mbi faqen e Ungjillit të ditës nga Gjoni, e cila propozonte dramën e gruas së zënë në flagrancë tё kurorёshkeljes, në pritje të mbytej me gurë. Po Krishti u gjegjet atyre, që e padisin: “Kush është pa mëkat, të hedhë gurin i pari kundër saj”.

Jezusi thotë pak fjalë. Thotë: ‘Kush prej jush është pa mëkat, le ta flakë gurin e parë kundër saj'. Ndërsa mëkatares: ‘Unë nuk po të dënoj. Shko e mos mëkato më’. E kjo është përmbushja e ligjit, jo ajo e skribëve dhe e farisenjve, që e kishin mendjen e prishur e bënin ligje pas ligjesh, pa i lënë fare hapësirë mëshirës. Jezusi është përmbushja e ligjit, e Jezusi gjykon me mëshirë.

Duke e lënë të lirë gruan e pafajshme, Jezusi e quan “Nënë”, sepse - shpjegoi Françesku - vetëm e ëma ishte grua vërtet pa faj”, ndërsa për gjykatësit shpirtprishur përdor fjalët e Profetit: “Të plakur në vese”! Ftesa e Papës atëherë është të mendojmë për ligësinë, me të cilën veset tona i gjykojnë njerëzit.

“Edhe ne gjykojmë në zemër të të tjerëve, apo jo? Të ndalemi. E ta shikojmë Jezusin, që gjykon gjithnjë me mëshirë: ‘As unë nuk po të dënoj. Shko në paqe e mos mëkato më!’.

11 qershor 2020, 15:03