Kërko

1592589663366.jpg

Papa i shkruan atletit italian Zanardi: “Faleminderit, që u jep forcë të tjerëve”

Nga faqet e Gazetës italiane të Sportit, Papa Françesku i shkruan kampionit italian, Alex Zanardi, akoma në koma, në spital: “E ke kthyer problemin tënd fizik në një leksion humaniteti”.

R.SH. - Vatikan

Mban firmën e Papës Françesku letra e shkruar me dorë, që Gazeta italiane e Sportit (Gazetta dello Sport) boton sot në faqen e saj të parë. Ati i Shenjtë zgjodhi faqet rozë, të ndjekura me pasion e entuziazëm nga tifozët e të gjitha ngjyrave të sportit italian, për t’iu drejtuar publikisht, me ton të ëmbël e intim, siç di të bëjë zakonisht, atletit Alex Zanardi, kampionit të Formula Uno-s e, pasi i prenë këmbët,  edhe kampion i çiklizmit paralimpik “handbike” (biçikletës i jepet me duar). Zanardi është shtruar në spital, në terapi intensive, që nga mbrëmja e së premtes, pas aksidentit të dytë të rëndë të jetës së tij.

Falenderimi i Atit të Shenjtë

Një letër personale, por, në të njëjtën kohë, mirënjohje nga ana e Papës për vlerat e mëdha njerëzore dhe shoqërore të sportit paralimpik, për të cilin Zanardi u bë jo vetëm dëshmitar, por edhe protagonist. E pikërisht, vlera e “rifillimit” të jetës nga e para, pavarësisht nga ngjarjet e hidhura, që duhen kapërcyer, është në qendër të fjalëve të Atit të Shenjtë, kësaj radhe e herë të tjera. Kur gjithçka duket sikur ka humbur një herë e përgjithmonë, thekson shpesh Papa Françesku, kur njeriu zhytet në humnerën e dëshpërimit, të dhimbjes fizike apo psikologjike e duket sikur nuk ka rrugëdalje, madje, edhe kur kërruset nën peshën e gabimeve të bëra, gjithmonë i jepet një mundësi e dytë. “Faleminderit, që iu dhe forcë atyre, që e kishin humbur” i shkruan Papa, Zanardit.

Mesazhi i Papës

Ja teksti i plotë i mesazhit të Françeskut për kampionin italian:

 “I dashur Aleksandër, historia juaj është shembull sesi ta fillojmë sërish jetën, pas një ndalese të papritur. Përmes sportit, ju i mësuat [të gjithë] si të jetojnë si protagonistë, duke e kthyer paaftësinë fizike në një leksion humaniteti. Faleminderit, që u dhatë forcë atyre, që e kishin humbur. Në këtë çast kaq të dhimbshëm jam pranë jush, lutem për ju dhe për familjen tuaj. Zoti ju bekoftë dhe Zoja ju ruajtë. Vëllazërisht”.

Alex dhe bamirësia

Aksidenti i së premtes së kaluar, që e çoi atletin në spital, ndodhi gjatë një gare bamirësie, në muajin, gjatë të cilit Alex Zanardi është edhe protagonist i ankandit “Të vrapojmë së bashku” (We run together), promovuar nga Papa, me synimin e mbledhjes së fondeve për spitalet e Bergamo-s dhe Brescia-s, në Itali, në ballë të luftës kundër Covid-19. Për këtë nismë bamirësie, Zanardi vuri në dispozicion tutën, me të cilën fitoi Paralimpiadën e vitit 2016, në Rio de Zhanejro.

24 qershor 2020, 11:49