Kërko

 Benedikti XVI me vëllain, Georg Ratzinger Benedikti XVI me vëllain, Georg Ratzinger  

Papa i nderit u kthye në Vatikan nga vizita tek vëllai në Gjermani

Benedikti XVI u rikthye në selinë e tij, pas disa ditësh kaluar pranë vëllait të sëmurë, në Gjermani

R. SH. - Vatikan

Papa i nderit u largua, në orën 10 të paradites së sotme nga Seminari i Regensburgut, ku i kaloi këto ditë, e shkoi në aeroportin e Munihut të Bavarisë, prej nga u nis pak minuta para mesditës. Në orën 13.00 arriti në Romë e, 45 minuta më pas, ishte në Manastirin Mater Ecclesiae, në Vatikan. Përfundoi, kështu, vizita e tij në Gjermani, ku u çmall me vëllain Georg, 96 vjeç, në gjendje të rëndë shëndetësore dhe vizitoi disa nga vendet, me të cilat e lidhnin kujtimet e jetës në  Regensburg.

Në Gjermani, për të vizituar vllain e sëmurë

Benedikti XVI qe nisur të enjten e kaluar në vendlindje, ku i bëri dy vizita të vëllait, në banesën e tij dhe vizitoi disa vende, ku kish jetuar me familjen, të cilat nuk i kishte parë më që më vitin 2006, gjatë vizitës së fundit zyrtare në atdhe. Vizitën e parë e bëri në varrezën Ziegetsdorf. U ndalua tek varri ku pushojnë në paqe prindërit dhe motra e madhe. Ishte një çast i heshtur, i kaluar në lutje, që përfundoi me spërkatjen e rrasës me ujë të bekuar. Vizitoi më pas shtëpinë e vet në Pentling, në rrethinat e Regensburgut, ku banonte kur jepte dogmatikën në Universitetin e qytetit, nga vitet ’69 deri më ’77, kur u emërua kryeipeshkëv i Munihut e Frisingës. Në këtë shtëpi, sot Instituti Benedikti XVI, ruhet trashëgimia e tij teologjike.

Dje u takua me nuncin, kryeipeshkvin Nikola Eteroviç, i cili në vitet  papnisë së Papës të nderit, kryente detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Sinodit të Ipeshkvijve.

 

22 qershor 2020, 14:52