Kërko

 Biçikleta dhuratë e Papës Biçikleta dhuratë e Papës 

Papa i dhuron një biçikletë elektrike Unitalsit, për ta shitur në ankandin e bamirësisë

Ndihmesë e çmuar për një nismë bamirësie, që do të shërbejë për shtegtimin e shumë fëmijëve në Lurdë: gëzimi i seksionit Romana-Laziale të Unitalsit për të papriturën, që i ngjet një ledhatimi të Papës Françesku për nevojtarët.

R. SH. - Vatikan

Është edhe një biçikletë elektrike, një Piaggio moderne, e dhuruar nga Papa Françesku, ndërmjet objekteve të ankandit të bamirësisë, organizuar nga seksioni Romana-Laziale i Unitalsit. Njoftimin e jep organizmi bamirës, duke saktësuar se paratë që do të fitohen nga nisma, do të shërbejnë për të siguruar shtegtimin e fëmijëve të repartit onkologjik të Poliklinikës Gemelli, në Lurdë.

“Ati i Shenjtë është gjithnjë pranë fëmijëve” - kujton Preziosa Terrinoni, presidente e seksionit Romana-Laziale të Unitalsit. Eshtë ende i freskët kujtimi i 31 majit 2013, kur Papa u takua, në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, me 22 fëmijë të sëmurë rëndë, shtruar pikërisht në repartin onkologjik të Poliklinikës të mirënjohur Gemelli.

Ndërmjetës për këtë nismë kaq prekëse, ishte  sekretari i posaçëm i Papës, imzot Yoannis Lahzi Gaid, që ua dorëzoi drejtuesve të seksionit Romana-Laziale biçikletën elektrike, për ta shndërruar në objekt solidariteti.

“Një gjest tjetër dashurie, ky i Papës - vijon nota – që gjatë këtyre viteve të papnisë e ka shprehur në mënyra nga më të ndryshmet afërsinë e tij me Unitalsin”.

Oferta për nismën bamirëse mund të bëhen edhe on line, në  faqen e internetit www.unitalsiromanalaziale.it, ku për këtë nismë është krijuar një faqe e veçantë.

24 qershor 2020, 13:05