Kërko

 Mesha Shenjte në Solemnitetin e Corpus Domini Mesha Shenjte në Solemnitetin e Corpus Domini 

Papa: Eukaristia shëron kujtesën dhe ndez dëshirën për të shërbyer

Duhen “zinxhirë solidariteti” e Zoti është i aftë ta shërojë kujtesën nga zhgënjimet përvëluese, nga gjërat që nuk shkojnë, duke na bërë mbartës të gëzimit. Këtë theksoi Papa gjatë Meshës së Korpit të Krishtit, kremtuar në Altarin e Katedrës, në Bazilikën e Shën Pjetrit.

R. SH. - Vatikan

Zoti na la një Memorial, që e shëron kujtesën tonë “plot plagë e trishtime”, duke na shndërruar në mbartës të gëzimit, të aftë të kujdesemi për atë, që ka uri. Ky Memorial është Mesha, “thesar për t’u vënë në vendin e parë në Kishë e në jetë”. Këtë kujtoi Papa në Kremtimin Eukaristik të Corpus Domini, gjatë një homelie, që u përshkua nga thirrja për të mos e harruar asnjë çast Zotin. Të pranishëm, rreth 50 vetë pranë Altarit  të Katedrës, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Kështu u kremtua Mesha, që dy vitet e kaluara qe kremtuar në Ostia e në Casal Bertone. Një Meshë, që u pasua nga Adhurimi dhe Bekimi Eukaristik por, sivjet, për shkak të pandemisë, nuk përfundoi me procesionin e përvitshëm, aq të dëshiruar e prekës.  

Papa e nisi homelinë e Meshës, me ftesën e Mosiut, cituar nga Libri i Ligjit të Përtërirë “Kujtoju për gjithë udhën që Zoti, Hyji yt, të bëri ta përshkosh”. Citim që na kujton se nuk duhet ta harrojmë për asnjë çast Zotin, se është tejet e rëndësishme ta kujtojmë, kur lutemi.

Mos e harro kurrë të mirën, që të bënë

Është tepër e rëndësishme ta kujtosh të mirën, që të bënë - pohoi Papa - Pa këtë kujtesë bëhemi të huaj për vetveten, kalimtarë nëpër jetë… Ndërsa kujtesa na bën pjesëtarë të historisë. Të kujtosh, do të thotë të marrësh frymë me një popull. Kujtesa është udha, që të lidh me Zotin e me të tjerët. Prandaj në Bibël kujtimi i Zotit përçohet nga breznia në brezni, e ati i tregon birit: “Ishim skllevër e Zoti bëri mrekulli para syve tanë”.

Zoti na la një përkujtesë

Po si mund të kujtohet ajo, që është dëgjuar, por nuk është jetuar?  - pyeti Papa gjatë homelisë, duke iu përgjigjur sakaq kësaj pyetjeje tejet të rëndësishme për fenë  e secilit prej nesh:

“Zoti nuk na la vetëm Shkrimin Shenjt, sepse është tejet e lehtë ta harrosh, atë që lexon! Nuk na la vetëm shenjat, sepse edhe çka shikon mund të harrohet. Na dha një Ushqim, shija e të cilit nuk harrohet lehtë. Na la  Bukën, ku është Ai vetë, i gjallë e i vërtetë, me gjithë shijen e dashurisë së Tij”.

Zoti kujtohet për mua

E kur e marrim këtë bukë, mund të themi: “Është Zoti! Ai kujtohet për mua! Prandaj na kërkoi ‘’Bëjeni këtë në kujtimin tim” (1 Kor 11,24). Bëjeni!”:

“Eukaristia nuk është thjesht kujtim, është fakt: është Pashka e Zotit që rijeton për ne. Në Meshë vdekja e ngjallja e Jezusit janë para syve tanë. Bëjeni këtë për kujtimin tim! Bashkohuni, e si bashkësi, si popull, kremtojeni Eukaristinë, për të më kujtuar. Nuk mund  të mos e bëjmë këtë, është kujtesa e Zotit. E shëron kujtesën tonë të plagosur”.

Krishti e shndërron varrin nga pikarritje, në pikënisje

Korpi i Krishtit e shëron kujtesën tonë jetime. Shumëkush e ka kujtesën të ngarkuar me zhgënjime. Priste dashuri, e mori urrejtje. Jeta i la pas gjurmë të hidhura, që do të dëshironte t’i dëbonte nga kujtesa, duke e shlyer të kaluarën. Do, por nuk mundet. Vetëm Zoti mund të na e shërojë kujtesën tonë të plagosur, duke e mbushur me një dashuri shumë të madhe: me dashurinë e Tij. Eukaristia na mbush me dashurinë besnike të Atit, që e shëron shpirtin tonë jetim. Na jep dashurinë e Jezusit, që e shndërroi varrin nga pikarritje, në pikënisje, gjë që mund ta bëjë edhe me jetët tona. Na dikon dashurinë e Shpirtit Shenjt, që ngushëllon, sepse nuk na lë kurrë vetëm e na i mjekon plagët e marra nga jeta!

Me Eukaristinë, Zoti na imunizon nga e keqja

Me Eukaristinë Zoti shëron edhe kujtimet tona të këqija, që na sjellin gjithnjë parasysh gjëra, të cilat na trishtojnë, na kujtojnë se nuk  vlejmë fare, se gabojmë gjithnjë, se lindëm gabim! Jezusi vjen të na kujtojë se nuk është kështu:

“Ai dëshiron të bëhet miku ynë i ngushtë e, sa herë që e marrim në zemër, na kujton se jemi shumë të çmuar, se jemi të ftuar në gostinë e Tij, se jemi mysafirët më të dëshiruar për Të. E jo vetëm pse Ai është bujar, por sepse është i dashuruar me ne. Shikon anën tonë më të mirë e më të bukur”.

Zoti e di se e keqja dhe mëkati nuk janë identiteti ynë, janë sëmundje, infektime. E vjen të na mjekojë me Eukaristinë, që përmban antikorpet, të cilat shërojnë kujtesën tonë të sëmurë e negative. Zoti na imunizon nga trishtimi e na shndërron në mbartës të Tij.

Mbartës të Zotit

Eukaristia na shndërron në mbartës të Zotit: kjo është forca e saj. Mund të pyesim: ne, që shkojmë në Meshë, çka mund t’i çojmë botës? Trishtimet tona, hidhërimet, kotësitë tona, apor gëzimin e Zotit? Kungohemi, e pastaj shkojmë duke kritikuar e duke u ankuar. Po kjo nuk ndryshon asgjë. Vetëm gëzimi, që buron nga Zoti, e shndërron plotësisht jetën!

Eukaristia na shëron kujtesën

Së fundi - kujtoi Papa në homeli - Eukaristia e shëron kujtesën tonë të mbyllur. Plagët, që kemi në shpirt, nuk na krijojnë probleme vetëm ne, por edhe të tjerëve. Së pari na bëjnë frikacakë e dyshimtarë, më pas, cinikë e indiferentë. Na nxisin t’u përgjigjemi të tjerëve me arrogancë, duke besuar se kështu mund t’i mbajmë nën fre. Po kjo nuk është e vërtetë. Arroganca nuk shëron. Shëron vetëm ëmbëlsia. Kështu bën Jezusi, që vjen të na takojë ëmbëlsisht. Duke na u ofruar si bukë, na fton të mos e shpërdorojmë jetën në rendjen pas një mijë sendeve të panevojshme:

“Eukaristia e shuan në ne urinë për sendet e ndez dëshirën për të shërbyer. Na kujton se nuk jemi vetëm gojë për t’u ushqyer, por edhe duar për të shuar urinë e të afërmit. Është urgjente të kujdesemi për njerëzit që kanë uri për bukë e dinjitet, për ata që nuk gjejnë punë, ndaj jetojnë në kushte tejet të rënda. E kjo duhet bërë konkretisht, ashtu si konkrete  është Buka që na jep Jezusi! Duhet afërsi e vërtetë, duhet një zinxhir solidariteti.  Jezusi në Eukaristi bëhet i afërmi ynë: mos ta lëmë vetëm të afërmin!”.

Të vijomë ta kremtojmë Memorialin, që shëron kujtesën tonë: Meshën

Të vijojmë ta kremtojmë Memorialin, që shëron kujtesën tonë: Meshën! Me këtë porosi e përfundoi Papa homelinë e mbajtur gjatë kremtimit në Bazilikën e Shën Pjetrit, në festën e Korpit e Gjakut të Krishtit, duke kujtuar:

“Është thesar, që duhet të vënë në vendin e parë, në Kishë e në jetë. E njëkohësisht, të rizbulojmë adhurimin, që vijon në shpirtin tonë veprimin e Meshës. Na bën mirë. Na shëron shpirtin. Posaçërisht tani, kur kemi vërtet nevojë!”.

14 qershor 2020, 11:39