010620_4.jpg

Papa dhuron një ambulancë për të varfrit e Romës

Ditën e Rrëshajëve, Papa Françesku bekoi një ambulancë, vënë në dispozicion nga Guvernatorati i Vatikanit, për të ndihmuar të pastrehët. Do ta përdorë Lëmoshtaria Apostolike për veprimtaritë e saj bamirëse.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku dhuron një ambulancë për të varfërit e Romës. E bekoi atë dje, në Ditën e Rrëshajëve, për t’ia dhënë Lëmoshtarisë Apostolike, që do ta përdorë veçanërisht për kurimin e të pastrehëve, që flenë përreth Vatikanit. “Ambulanca, me targën SCV (Qytet-Shteti i Vatikanit) – shpjegon Lëmoshtaria Apostolike – bënte pjesë në ato, që përdoren për ndihmën e shpejtë brenda Vatikanit”, ndërsa tani, do të përdoret për ata të varfër, që janë gati të padukshëm për institucionet.

Kardinali Krajewski dhe mjekët vullnetarë
Kardinali Krajewski dhe mjekët vullnetarë

Impenjimi i Lëmoshtarisë Apostolike për të varfërit

Që prej disa vitesh, Lëmoshtaria ka në dispozicion një poliambulancë të lëvizshme, me të cilën u çon mjekë dhe ilaçe të braktisurve në periferitë e Romës. Gjithashtu, nën kolonat e Sheshit të Shën Pjetrit, qendra “Nëna e Mëshirës”, jep ndihmën e parë mjekësore për njerëzit pa asistencë shëndetësore. Ajo e ka vazhduar punën edhe gjatë periudhës së mbylljes, për shkak të pandemisë së Covid-19.

Kardinali Krajewski dhe Papa Françesku
Kardinali Krajewski dhe Papa Françesku

Tragjedia e Modestës nuk duhet të përsëritet

Ambulanca e re do të kontribuojë që të mos përsëriten më tragjedi ai ajo e “Modesta Valentit, një grua e moshuar, e pastrehë, së cilës qyteti i Romës i ka kushtuar edhe një rrugë. Ishte 31 janari i vitit 1983: pas një nate kaluar në të ftohtin e stacionit hekurudhor Termini, gruaja e ndjeu veten keq. Disa kalimtarë – kujton Lëmoshtaria Apostolike – thirrën ambulancën, punonjësit e së cilës nuk e ndihmuan të moshuarën, për shkak të kushteve të saj të këqia higjienike. Për katër orë të gjata, spitale të ndryshme e hodhën mbi njëri-tjetrin përgjegjësinë e ndërhyrjes. Modesta mbeti përtokë, duke vazhduar të vuante. Kur arriti ambulanca, Zoti e kishte marrë në shtëpinë e vet”.

01 qershor 2020, 17:20