Kërko

Papa, detarëve e peshkatarëve: mirënjohës për sakrificat tuaja

"Gjatë muajve të fundit, jeta dhe puna juaj kanë ndryshuar ndjeshëm dhe ju është dashur të bëni – e akoma bëni – shumë sakrifica... Largimi nga familjarët, nga miqtë dhe nga vendi juaj, frika nga infektimi, të gjitha këto elemente janë peshë e lodhshme për t’u bartur". Në një videomesazh, Papa Françesku u shpreh mirënjohjen detarëve për punën e tyre në periudhën e pandemisë.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku u dërgon sot një videomesazh detarëve e peshkatarëve, që kanë vijuar punën për t’i siguruar gjithë botës, ushqimet dhe mallrat e nevojshme, edhe gjatë periudhës kur të gjithë ishin mbyllur në shtëpi, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Këto janë kohë të vështira për botën - nënvizon Ati i Shenjtë, duke pasur parasysh vuajtjet e shkaktuara nga Covid 19. - Puna juaj si detarë e peshkatarë është bërë edhe më e rëndësishme, për t’i siguruar familjes së madhe njerëzore ushqim dhe të mira të tjera të domosdoshme. Për këtë, ju jemi mirënjohës”.

Larg familjarëve, për punë, por në zemrën e Papës

Papa është më se i vetëdijshëm se njerëzit, që punojnë nëpër anije apo në porte, janë një kategori mjaft e ekspozuar. Muajt e fundit kanë qenë të vështirë për ta, me shumë sakrifica, me periudha të gjata larg familjarëve, miqve e atdheut të tyre, pa mundësi për të zbritur në tokë e me frikën e infektimit nga koronavirusi. Françesku ua njeh lodhjen, prandaj, me dorë në zemër, u drejtohet detarëve me fjalët:

“Dua t’ju them: ta dini se nuk jeni vetëm e nuk jeni të harruar. Puna juaj, deti, ju mban shpesh larg, por ju jeni të pranishëm në lutjet e në mendimet e mia, ashtu si në ato të kapelanëve e të vullnetarëve të Stella Maris. Vetë Ungjilli na e kujton, kur flet për Jezusin e dishepujt e tij të parë, që ishin të gjithë peshkatarë, si ju. Sot, dëshiroj t’ju dërgoj një mesazh e një lutje shprese, një lutje lehtësimi e ngushëllimi kundër çdo fatkeqësie e, njëkohësisht, t’i inkurajoj të gjithë ata, që punojnë me ju në baritorinë e njerëzve të detit”.

100-vjetori i Apostullimit të Detit “Stella Maris”

Stella Maris, të cilën e përmend Papa në mesazh, s’është tjetër veçse i ashtuquajturi Apostullimi i Detit, impenjim baritor i Kishës Katolike në favor të detarëve e të peshkatarëve, të cilët, edhe pse larg nga shtëpia, nuk lihen pa mbështetje shpirtërore. Vërtet, pikërisht në këtë apostullim bëjnë pjesë kapelanët e anijeve, të cilët sivjet, bashkë me gjithë Kishën, kremtojnë 100-vjetorin e këtij organizmi.

Që vitin e kaluar, në të dielën e dytë të korrikut, që zakonisht i kushtohet detit (quhet E Diela e Detit) dhe njerëzve, që punojnë në të, kardinali Peter Turkson, kreu i Dikasterit vatikanas për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, njoftoi me një letër se nga 29 shtatori e deri më 4 tetor të këtij viti, në Glasgow të Skocisë, do të mbahet Kongresi i 25-të Botëror dhe do të festohet 100-vjetori i Apostullimit të Detit. “Jo gjithnjë e kuptojmë – pati shkruar vjet kardinali Turkson – por puna e detarëve është thelbësore për jetën tonë të përditshme, sepse pjesa më e madhe e sendeve, që kemi në shtëpi – televizori, frigoriferi, lavatriçja, kompiuteri, telefoni, për të mos folur për karburantin e makinave, për veshjet dhe për shumë objekte të tjera – janë fabrikuar në vende të largëta dhe transportohen nga detarët”.

Bekimi i Papës Françesku

Pikërisht për këtë arsye, edhe sot, Papa Françesku, jo rastësisht, e përfundon videomesazhin e tij me fjalët: “Zoti e bekoftë secilin prej jush, e bekoftë punën dhe familjet tuaja; e, Virgjëra Mari, Ylli i Detit, ju mbroftë gjithmonë. Edhe unë ju bekoj e lutem për ju. E ju kërkoj një favor, mos harroni të luteni për mua”. Në fund, nuk mungon falenderimi i Atit të Shenjtë.

17 qershor 2020, 16:30