Papa: arroganca e dhuna nuk mund ta shuajnë dëshminë e të krishterëve

Të krishterët e persekutuar janë martirët e ditëve tona. Në lutjen mariane Papa Françesku reflektoi mbi faqen ungjillore të Shën Mateut, në të cilën jehon fort thirrja e Jezusit për të mos pasur frikë përballë sfidave e kundështimeve të jetës.

R. SH. - Vatikan

Realiteti i të krishterëve të persekutuar, sot si “në çdo kohë”, është i dhimbshëm, por vërteton “besnikërinë e dëshmitarëve të Jezusit” dhe “bashkimin me Zotin, përballë atyre, që kërkojnë ta shuajnë forcën ungjillëzuese me arrogancë e dhunë”. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa i nxiti besimtarët të mos dorëzohen kurrë para shqetësimve, as kërcënimeve, duke besuar me gjithë shpirt në Zotin e në hirin e Tij, që “është shumë më i fuqishëm se e keqja”. Rëndësi ka ta njohësh Krishtin para të gjithë botës e të jetosh duke bërë mirë.

Predikojeni nën dritën e  diellit e nga tarracat

Papa reflektoi për Ungjillin e sotëm të Mateut, ku ndjehet fuqimisht ftesa që Jezusi ua drejtoi dishepujve të tij, për të mos pasur frikë, për të qenë të fortë  e plot besim përballë të vështirave të jetës e kundërshtimeve, që i prisnin.  Sepse - kujtoi - “frika është një nga armiqtë më të këqij të jetës së krishterë”.  Fragmenti i sotëm ungjillor - vijoi Papa - është pjesë e predikimit misionar, përmes të cilit Jezusi i përgatit apostujt për kumtimin e Mbretërisë së Zotit. E i nxit me ngulm të mos kenë frikë, duke u përshkruar, më pas, tri situata që do t’u duhet t’i përballojnë.

Së pari, u kujton armiqësinë e atyre, që do të mundohen me çdo mjet ta bëjnë të heshtë Fjalën e Zotit, e t’i detyrojnë të heshtin edhe ata, që e kumtojnë:

“Jezusi u jep zemër apostujve ta përhapin mesazhin e shëlbimit, të cilin ua besoi Ai vetë! Ta predikojnë, në fillim me maturi, gati fshehurazi, në grupin e vogël të dishepujve. Por më pas, në dritën e diellit, nga çatitë, domethënë, publikisht, Ungjillin”.

Për Ungjillin e me dashuri

Vështirësia e dytë, që u kujton Krishti misionarëve të vet, është persekutimi i drejtpërdrejt, deri në vdekje. E këtë profeci të Jezusit - kujtoi Papa - e shikojmë  duke u realizuar në të gjitha e epokat: është realitet i dhimbshëm, por që kërkon  dëshmitarë besnikë.

Sa të krishterë persekutohen edhe sot e kësaj dite, në mbarë botën! Ata vuajnë me dashuri për Ungjillin, janë martirët e epokës sonë. Dishepujve të djeshëm e të sotëm  që  persekutohen, Jezusi u thotë:

“Mos kini frikë nga ata që vrasin korpin, por që nuk mund ta vrasin shpirtin. Nuk mund t’ju trembin kurrë ata, që kërkojnë ta shuajnë forcën ungjillëzuese me arrogancë e dhunë. Këta nuk mund t’i bëjnë gjë shpirtit. Askush nuk mund t’ia rrëmbejë dishepullit dhuratën që i bëri Zoti. E vetmja frikë, që duhet të ketë dishepulli, është humbja e dhuratës hyjnore, heqja dorë nga jeta sipas Ungjillit e vdekja morale, pasojë e mëkatit”.

Në dorë të Zotit

Jezusi flet, më pas, për atë gjendje shpirtërore, që e shtyn njeriun të mendojë deri se edhe Zoti i ka braktisur bijtë e tij, “duke ndenjur larg tyre, në heshtje të plotë”. Por nuk është ashtu! E tregon vetë jeta e  dishepujve, gjithnjë në dorë të Zotit, i cili i ruan e i mbron:

“Jemi para tre tundimeve: së pari, zbutjes së Ungjillit; së dyti, persekutimit e së treti, mendimit se Zoti na la vetëm. Edhe Jezusi e kaloi këtë provë në kopshtin e ullinjve e përmbi kryq; ‘Atë, pse më braktise?’ - thotë Krishti. Nganjëherë ndjehet kjo zbraztësi shpirtërore. Po ne nuk duhet të kemi frikë. Ati kujdeset gjithnjë për ne, sepse e madhe para syve të tij është vlera jonë. Rëndësi ka çiltërsia e guximi i dëshmisë, i dëshmisë së fesë. Ka rëndësi ta njohësh Krishtin para të gjithë botës e të jetosh duke bërë mirë”.

Para përshëndetjeve, Papa ia drejtoi lutjen Marisë, model i besimit e i lëshimit të plotë në dorë të Zotit, pikërisht në orën  më të vështirë, te këmbët e Kryqit!

21 qershor 2020, 13:31