Kërko

 Papa gjatë audiencës së përgjithshme Papa gjatë audiencës së përgjithshme 

Françesku: Abrahami na mëson të flasim me Zotin, si biri me atin

Duke vijuar ciklin e katekizmit mbi lutjen, Papa ia kushtoi sot audiencën e përgjithshme lutjes së Patriarkut Abraham: një dialog me Zotin, që nuk i përjashton as diskutimet, por që mbështetet mbi besimin në Fjalën e Tij e në gatishmërinë e plotë për ta vënë në jetë.

R. SH. - Vatikan

Duke vijuar ciklin e katekizmit mbi lutjen, Papa ia kushtoi sot audiencën e përgjithshme, lutjes së Patriarkut Abraham: një dialog me Zotin, që nuk i përjashton as diskutimet, por që mbështetet mbi besimin në Fjalën e Tij  e në gatishmërinë e plotë për ta vënë në jetë.

Ndjehet një zë, i cili jehon papritmas në jetën e Abrahamit. Zë, që e fton të  marrë një rrugë, në dukje krejt të pakuptimtë - një zë, që e nxit të shkulet me gjithë rrënjë nga atdheu i tij, nga familja, nga trojet, për të shkuar drejt një ardhmërie të re, krejt të ndryshme. Të panjohur. Dhe e gjithë kjo, mbi bazën e një premtimi, të cilit duhet t’i besosh!

Abrahami, atë i tri feve, që besojnë në një Zot të vetëm

Papa ia kushtoi sot Abrahamit, atit të përbashkët të tri feve monoteiste, audiencën e përgjithshme. Duke nisur nga premtimi hyjnor, sepse - kujtoi -në Bibël nuk kemi të dhëna për të kaluarën e Patriarkut. Ndaj logjika të shtyn të mendosh se ai adhuronte hyjni të tjera: ndoshta ishte njeri i ditur,  që sodiste qiellin dhe yjet. E Zoti do t’i premtonte pikërisht se pasardhësit e tij do të ishin të panumërt, si yjet, që stolisin qiellin. Atëhere Abrahami, që i beson plotësisht Fjalës së Zotit - shpjegoi Papa në audiencën e përgjithshme - niset, pa e ditur se ku shkon! Përpara ka rrugët ende të pahapura të njerëzimit, mbi të cilat shkel, i shtyrë nga një forcë e pakundërshtueshme:

“E me këtë nisje lind një mënyrë krejt e re për ta kuptuar lidhjen me Zotin. Prandaj Patriarku Abraham është i pranishëm në traditat e mëdha hebraike, kristiane e islamike, si njeriu i Zotit, i aftë për t’iu nënshtruar Atij, edhe atëhere kur vullneti i Zotit i duket tejet i rrëpirtë, madje edhe i pakuptimtë”.

Kështu e skicoi Papa figurën e Patriarkut të madh në fillim të audiencës së sotme të përgjithshme, kushtuar pikërisht atij - për të theksuar më pas, tiparet themelore të këtij njeriu, që do të bëhej Ati i popujve të panumërt, si yjet e qiellit.

Abrahami, burrë i Fjalës

Abrahami është burrë i Fjalës së Zotit. Këtë tipar të Patriarkut, që duhet të jetë edhe tipar i parë i çdo besimtari - kujtoi në fillim Papa. - Kur Zoti flet, njeriu bëhet përvetësues i kësaj Fjale, e jeta e tij, vendi ku Fjala kërkon të mishërohet. Pikërisht kjo është risia e madhe e udhës fetare të njeriut: jeta e besimtarit  nis të konceptohet si thirrje, si vend, ku realizohet premtimi; e ai nis e lëviz nëpër botë i shtyrë nga një forcë e çuditshme, që nuk është thjesht dëshira për të njohur të panjohurën. Çka e shtyn më shumë, është  forca e premtimit, që një ditë do të realizohet.

Feja bëhet histori

Gjatë leximit të Librit të Zanafillës - kujtoi Papa - shikojmë se Abrahami jetoi  duke i qëndruar gjithnjë besnik kësaj Fjale, që herë pas here i dukej gjatë shtegtimit të tij. Prej këndej mund të themi - pohoi - se në jetën e Abrahamit feja bëhet histori. E kjo, sepse Zoti nuk shihet më vetëm në fenomenet kozmike, si Zot i largët, që mund të ngjallë frikë e tmerr. Zoti i Abrahamit - kujtoi Papa - bëhet “Zoti im”. Zoti i historisë sime personale, Zoti që u prin hapave të mi, që nuk më lëshon kurrë dore; Zot i ditëve të mia, shok i aventurave. Zot Provani!

Zoti i Abrahamit, i Isakut, i Jakobit, jo i filozofëve e i dijetarëve

Kjo përvojë e Abrahamit dëshmohet edhe nga njëri prej teksteve më origjinale të historisë së përshpirtërisë: nga “Kujtimet e Blaise Pascal. Ai nis kështu: “Zoti i Abrahamit, Zoti i Isakut, Zoti i Jakobit, jo i filozofëve, as i dijetarëve. Është siguri, siguri! Shpirt. Gëzim, Paqe. Hyji i Jezu Krishtit”. Këto kujtime, shkruar mbi një pergamenë të vogël, që u gjet e qepur në petkat e filozofit, pas vdekjes së tij, nuk janë thjesht reflektim intelektual i një njeriu të ditur për Zotin, por ndjenjë e gjallë, e provuar. Pascal shënon edhe çastin e saktë, kur e ndjeu brenda shpirtit këtë realitet: ishte mbrëmja e 23 nëntorit 1654.

Lutja e Abrahamit shprehet  me vepra

Lutja e Abrahamit - kujtoi në vijim Papa - shprehet kryesisht me vepra: njeriu i heshtjes, ai i ngre një altar Zotit në çdo etapë të shtegtimit të tij drejt së panjohurës (Katekizmi i Kishës Katolike, 2570). Abrahami nuk ndërton ndonjë tempull, por mbjell në kalim gurët, që kujtojnë kalimin e Zotit. Një Zoti mahnitës,  si Ai, që e viziton me pamjen e tre mysafirëve, të cilët ai e Sara i mikpresin me kujdes e që u kumtojnë bashkëshortëve, tashmë të motuar, lindjen e djalit të shumëdëshiruar, Isakut!

Abrahami, i aftë për të diskutuar me Zotin

Kështu - vijoi të kujtojë Papa - Abrahami bëhet anëtar i familjes së Zotit, i aftë për të diskutuar me Të, por duke mbetur gjithnjë besnik. Besnik deri në provën më të vështirë, gati-gati të pamundur: kur Zoti i kërkon të flijojë  edhe të birin e vetëm, Isakun. Në këto çaste Abrahami - kujtoi Papa në katekizmin e audiencës së përgjithme, - e jetoi fenë si dramë, si ecja e të verbërit, duke prekur me duar, nën një qiell këtë herë pa asnjë yll. Zoti vetë do t’ia ndalonte dorën, gati për të goditur, mbasi e shikon se besnikëria e tij është e patundur!

Të mësojmë nga Abrahami

Të mësojmë nga Abrahami për t’u lutur me fe: për të dëgjuar, për të ecur, për të dialoguar, deri në diskutim, por gjithnjë gati për ta pranuar Fjalën e Zotit e për ta vënë në jetë - ftoi Papa në përfundim të audiencës:

“Nuk duhet të kemi frikë për të diskutuar me Zotin; madje po them një gjë, që mund të duket herezi. Shpesh dëgjoj njerëzit, që thonë: ‘Po ju e dini, më ndodhi kjo gjë e u zemrova me Zotin’. ‘Çka? Pate guximin të zemërohesh me Zotin?’ – ‘Po, u zemërova!’. Po kjo është formë e lutjes, sepse çdo bir ka të drejtë të zemërohet me atin e pastaj edhe të pajtohet(…) Me Zotin duhet të mësohemi të flasim si biri me atin, ta dëgjojmë, të diskutojmë. Po në mënyrë transparente, si biri me atin”.

Me këtë porosi e përfundoi Papa audiencën e sotme të përgjithshme, kushtuar Abrahamit, At i popujve të panumërt, si yjet e qiellit.

03 qershor 2020, 11:28