Kërko

Osservatore Romano 1934 3.jpg

Mesazh i Papës për gazetarët katolikë: mbrojeni komunikimin nga manipulimet

Në Mesazhin për konferencën e Shoqatës së Shtypit Katolik të SHBA-ve dhe të Kanadasë, Papa Françesku nënvizon se gazetarët nuk duhet t’i mbyllin sytë para të vuajturve, duhet të punojnë për shërimin e sëmundjeve si racizmi, padrejtësia dhe indiferenca, duke i ndihmuar njerëzit t’i shohin ngjarjet nga këndvështrimi i Hyjit.

R.SH. - Vatikan

Këtë vit, për herë të parë në histori, Shoqata e Shtypit Katolik e SHBA-ve dhe e Kanadasë e mban konferencën e saj vjetore në lidhje virtuale, për shkak të situatës aktuale shëndetësore. E megjithatë, Papa Françesku nuk mungon t’u çojë mesazhin e tij ngushëllues, të gjithë gazetarëve, sidomos atyre, që janë prekur nga virusi dhe atyre që, edhe duke vënë në rrezik jetën, e kanë vijuar punën për informimin e shoqërisë dhe kanë ndihmuar vëllezërit dhe motrat në vështirësi. Konferenca virtuale e Shoqatës së Shtypit Katolik filloi sot e do të përfundojë më 2 korrik. Tema e sivjetme është “Së bashku, edhe pse të ndarë” e shpreh mjaft qartë përvojën e distancimit shoqëror, imponuar nga pandemia.

Në Mesazh, Papa Françesku kujton historinë e gazetave të para katolike në SHBA-të. “Catholic Miscellany” u publikua në vitin 1822 në Charleston nga ipeshkvi John England, por u ndoq nga shumë gazeta e revista. Edhe sot “kemi nevojë për media të afta të ndërtojnë ura, të mbrojnë jetën e të shembin muret e dukshme e të padukshme, që e pengojnë dialogun e sinqertë dhe komunikimin e vërtetë ndërmjet njerëzve dhe bashkësive”, nënvizon Ati i Shenjtë duke i këshilluar gazetarët të frymëzohen nga motoja e SHBA-ve - “E pluribus unum” - që shpreh idealin e bashkimit në larmi. “Kemi nevojë për media, që mund t’i ndihmojnë njerëzit, sidomos të rinjtë, të dallojnë të mirën nga e keqja, të arrijnë në gjykime të drejta, bazuar mbi interpretimin e qartë dhe pa interes të fakteve, të kuptojnë rëndësinë e impenjimit për drejtësinë, për pajtimin shoqëror dhe për respektimin e shtëpisë së përbashkët”. Papa u bën thirrje gazetarëve ta mbrojnë komunikimin “nga gjithçka mund ta shtrembërojë, ose t’ua nënshtrojë qëllimeve të tjera”.

Françesku nuk mungon t’u kërkojë që të jenë të bashkuar ndërmjet tyre, por edhe me ipeshkvin e Romës. Në Kishën Katolike, nënvizon Ati i Shenjtë, nuk ka rëndësi nëse mediat janë të mëdha, ose të vogla. Rëndësi ka si e ushtron profesionin çdo gazetar katolik, nëse e ndihmon bashkësinë kishtare të fitojë maturinë e plotë në Krishtin. “Nuk është fjala vetëm për kompetenca profesionale”, vëren Papa. “Komunikatori i vërtetë ia kushton vetveten mirëqënies së të tjerëve”, e dëshmon personalisht mesazhin që kumton dhe e ka burimin e tij të fundmë në Zotin, Njini e Trini, në shërbim të së vërtetës që vjen prej Tij.

Papa Bergoglio uron që Zoti të dikojë mbi konferencën e mediave katolike dhuratat e urtisë, të mirëkuptimit e të këshillës së Shpirtit Shenjt. Sepse vetëm kështu, gazetarët nuk do t’i mbyllin sytë para të vuajturve, mund të punojnë për shërimin e sëmundjeve si racizmi, padrejtësia dhe indiferenca, duke i ndihmuar njerëzit t’i shohin ngjarjet nga këndvështrimi i Hyjit. “Aty ku bota sheh konflikte e ndarje – u drejtohet, së fundi, Papa komunikatorëve të krishterë – ju të shihni vuajtjet dhe të varfërit, për t’i dhënë zë kërkesës së motrave e vëllezërve tanë, nevojtarë për mëshirë e mirëkuptim”. Mos ndiqni modat e përkohshme kulturore, që nuk kanë aromën e të vërtesës ungjillore: kjo, këshilla përfundimtare e Papës Françesku, i cili nuk harron t’i ftojë gazetarët në lutje për pajtimin e paqen në botë, por edhe për atë vetë.

30 qershor 2020, 15:30