Kërko

 Shtegtimi #MacerataLoreto20 Shtegtimi #MacerataLoreto20 

Macerata-Loreto. Françesku: “Jeni shtegtarë të Zojës”

Edhe sivjet Françesku i telefonoi shtegtimit Macerata-Loreto, që u mbajt te premten e kaluar, 13 qershor, por që, për shkak të Covid-19, u zëvendësua nga një çast lutjeje në Shenjtëroren e Shtëpisë së Shenjtë të Zojës së Bekuar, i ndjekur nga TV2000.

R. SH. - Vatikan

“Hera e parë, që jam i pranishëm në një shtegtim virtual”. Françesku  “mori pjesë” telefonikisht, për të tetin vit, në edicionin e 42-të të Shtegtimit Macerata-Loreto, sivjet në një formë të paparë për shkak të Covid 19. Duke iu drejtuar imzot Giancarlo Vecerrica-s, ipeshkëv-ndihmës  i Fabriano-Matelica; imzot Fabio Dal Cin, kryeipeshkëv i Loretos si dhe të gjithë besimtarëve të pranishëm virtualisht në kremtim, Papa u shpreh kështu:

“I dashur imzot, të dashur shtegtarë virtualë, të dashur djem e vajza, burra e gra, të gjithë jeni në këto çaste jashta shenjtërores së Zojës të Loretos, Nënës së Shpresës, Nënës, që të ndihmon të shikosh përtej, në këto çaste kaq të vështira, kur kemi aq shumë nevojë të shikojmë, me shpresë të gjallë, përtej kohës, që po jetojmë”.

E Françesku vijoi:

“Jam pranë jush në këtë shtegtim virtual e lutem me ju e për ju, e edhe ju lutuni për mua. Mos t’ju lëshojë zemra! Kohët që afrohen, pas pandemisë, nuk do të jenë aspak të lehta, po ju kini guxim, besim e shpresë se mund të ecim përpara. Guxim, pra! Kërkojani Zojës së Bekuar këtë guxim sot! Jam me ju në lutje!”.

Macerata-Loreto: ndryshe sivjet, por gjithnjë të tërhequr nga Misteri

Të pranishëm, fizikisht, rreth njëzet të rinj, përfaqësues të shtegtarëve nga e gjithë bota, të cilëve Papa u shprehu mirënjohjen e tij:

“Ju falënderoj ju dhe të gjithë ata, që bashkëpunuan në këtë shtegtim virtual. Zoti ju bekoftë e Zoja ju ruajtë. Ju bekoj: e mos harroni të luteni për mua, mos harroni!”

Shtegtim, që kremtohet nga viti 1978

Kujtojmë se edicioni virtual i këtij shtegtimi, i cili kremtohet që nga viti 1978, me përshkimin e kilometrave të tëra në këmbë, sivjet u mbajt vetëm në Loreto, nga Sheshi i Zojës - në Bazilikën e Shtëpisë së Marisë, duke kaluar nëpër Portën Shenjte.

Françesku e përfundoi mesazhin e tij me një ftesë drejtuar të gjithë pjesëmarrësve: “Jeni shtegtarët e Zojës!”.

15 qershor 2020, 10:38