Kërko

 Papa me refugjatët e Ishullit Lesbo Papa me refugjatët e Ishullit Lesbo 

Kush ndodhet para rreziqeve të mëdha, duhet mbrojtur

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa i kushtoi një mendim e një lutje njerëzve, që kërkojnë strehë në situata krize gjatë pandemisë, posaçërisht refugjatëve, Dita Botërore e të cilëve u kremtua dje. Më pas, urimet baballarëve të mbarë botës!

R. SH. - Vatikan

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi Ditën Botërore të Refugjatit, kremtuar nga Kombet e Bashkuara. Kriza e shkaktuar nga Koronavirusi - vërejti - vuri në dukje kërkesën për t’u siguruar mbrojtjen e duhur  edhe refugjatëve, e për t’u garantuar dinjitetin e strehën.

Më pas ftesa:

“Ju ftoj të bashkoheni me lutjen time për angazhim të ri e të frytshëm të të gjithëve, në favor të mbrojtjes së njëmendtë të çdo njeriu, posaçërisht të atyre, që detyrohen të ikin nga situata të rënda, ngarkuar me rreziqe. Për ta e për familjet e tyre”.

Papa kujtoi edhe një aspekt tjetër, që të bën të mendosh për lidhjen ndërmjet njeriut e ambientit: pandeminë! Mbyllja  e reduktoi ndotjen dhe rizbuloi bukurinë  e shumë vendeve, që u liruan nga tymi i trafikut e nga zhurmat. Sot, me rifillimin e veprimtarisë, të gjithë duhet të kujdesemi më shumë për shtëpinë e përbashkët - porositi.

Françesku i vlerësoi shumë nismat që, në të katër anët e botës, lindin “nga poshtë” e shkojnë në këtë drejtim: “Për shembull në Romë sot është një nismë kushtuar lumit Tiber. Po ka edhe shumë të tjera!” - tha Papa, për uruar, më pas, që të favorizohet një shoqëri gjithnjë më e vetëdijshme ndaj kësaj pasurie të përbashkët themelore.

Kujtoi edhe se sot, në Argjentinë, “në Atdheun e tij” , si dhe në vende të tjera, kremtohej dita kushtuar baballarëve:

“I siguroj për afërsinë dhe lutjten time të gjithë baballarët; të gjithë e dimë se të jesh baba nuk është mjeshtri e lehtë, prandaj lutemi për ta. Kujtoj posaçërisht etërit tanë, që vijojnë të luten për ne nga Qielli”.

Në përfundim, përshëndetja drejtuar të gjithë shtegtarëve ardhur nga të katër anët e Italisë e, gjithnjë më shumë, edhe nga vende të tjera të botës.

Sot, e kremtja e Pajtorit të të rinjve

Në përshëndetjen drejtuar të rinjve, kujtoi se sot kremtohet Shën Luigj Gonzaga, të cilit i kushtoi edhe tweet-in e sotëm në @pontifex:” Të dashur të rinj, të kërkojmë hirin e një zemre të re, me ndërmjetësimin  e pajtorit tuaj, Luigj Gonzaga, i ri guximtar, që nuk e harroi kurrë shërbimin ndaj të tjerëve, aq sa të japë jetën duke mjekuar të sëmurët nga epidemia e kolerës. Zoti na i ndryshoftë zemrat!”.

Në përfundim Papa ia besoi Shën Luigjit gjithë të rinjtë e botës, ndërsa besimtarëve, që e ndiqnin, u kërkoi të luten për të, duke u uruar, si zakonisht, të diel të gëzuar!

21 qershor 2020, 13:17