Pandemia në Brazil Pandemia në Brazil 

Françesku, pranë Vendeve, që vijojnë të vuajnë nga epidemia e Covid-19.

Pas lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa përshëndeti shtegtarët italianë, duke u kujtuar se faza më e vështirë e pandemisë kaloi. Pa i harruar të gjitha vendet, që vijojnë të jetojnë kulmin e pandemisë. “Zemra e Krishtit është gurrë mëshire” - pohoi më pas - duke kujtuar se qershori i kushtohet pikërisht Zemrës së Jezusit.

R. SH. - Vatikan

Gjatë përshëndetjeve, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi në mënyrë të posaçme romakët dhe shtegtarët, e jo më pak, edhe besimtarët e veçantë, familjet, bashkësitë fetare, të cilëve iu drejtua me fjalët më dashamire, tejet i kënaqur që po i shikonte në Sheshin e mbushur përsëri me lëvizje, me jetë. Në atë Shesh, të cilin jo shumë kohë më parë,  e pati përshkuar i vetëm, nën një shi të rrëmbyer, ndërsa shkonte t’i lutej Krishtit të kryqëzuar e Zojës Shpëtimi i Popujve Romakë, pikërisht për këtë kthim:  

“Prania juaj në Sheshin e Shën Pjetrit është shenjë, që tregon se në Itali  faza më e rrezikshme e epidemisë kaloi, ndonëse duhet të vijojmë t’i respektojmë me kujdes rregullat në fuqi. Por, për fat të keq, në vende të tjera, virusi po shkakton akoma një mori viktimash. Të premten e kaluar, në një vend, vdiq një person çdo minut. E tmerrshme! Dëshiroj t’i shpreh afërsinë time këtyre popullsive, të sëmurëve, familjarëve dhe të gjithë atyre, që kujdesen për ta”.

Më pas, Papa u kujtoi besimtarëve e shtegtarëve se qershori i kushtohet në mënyrë të posaçme Zemrës së Krishtit, “devocion që i bashkon mjeshtrat e mëdhenj shpirtëror, me njerëzit e thjeshtë të popullit të Zotit”. Për të theksuar, më tej, se Zemra njerëzore dhe hyjnore e Krishtit është burim, në të cilin mund të shuajmë etjen tonë për mëshirën, faljen, dashurinë e Zotit.

Në vijim të përshëndetjeve, pas lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, Françesku u kujtoi besimtarëve edhe si mund ta bëjmë këtë:

“Mund ta bëjmë duke u ndaluar tek një fragment i Ungjillit, duke ndjerë  se në qendër të çdo gjesti, të çdo fjale të Krishtit është dashuria, dashuria e Atit. E mund ta bëjmë duke adhuruar Eukaristinë, ku kjo dashuri është e pranishme në sakrament. Atëhere edhe zemra jonë, pak nga pak, bëhet më durimtare, më bujare, më përdëllyese”.

Në përfundim urimi:

“E kalofshi gëzueshëm këtë të diel e gjithë javën! E, mos harroni të luteni për mua!”.

07 qershor 2020, 13:12