Kërko

 Në Siri vijon konflikti Në Siri vijon konflikti 

Françesku lutet për ardhmërinë e Sirisë dhe të popujve të rajonit

Siria, Libani, por edhe Jemeni e Ukraina, ishin disa nga zonat kryesore të krizës në botë, në qendër të lutjeve të Papës. Ua kujtoi edhe besimtarëve pas lutjes mariane të Engjëllit, kremtuar nga dritarja e studios mbi Sheshin e Shën Pjetrit, që vijon të popullohet gjithnjë më shumë nga besimtarët e shtegtarët e afërt e të largët.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se më 30 qershor  do të mbahet Konferenca e katërt e Bashkimit Evropian dhe e Kombeve të Bashkuara për të “mbështetur ardhmërinë e Sirisë e të rajonit”. Pasuar nga ftesa:

“Të lutemi për këtë takim të rëndësishëm, që të mund ta përmirësojë situatën dramatike të popullit sirian dhe të popujve fqinj, posaçërisht të Libanit, në rrethanat e krizave të rënda shoqërore-politike dhe ekonomike, që pandemia i bëri edhe më të vështira. Mendoni për fëmijët  që kanë uri, po nuk kanë çfarë të hanë. U lutem drejtuesve të jenë të zotët për të  bërë paqe”.

Më pas, një ftesë e dytë e Papës, që kërkoi lutje edhe për një vend tjetër, në krizë të rëndë, për Jemenin, popullsia e të cilit është shkatërruar nga një luftë, që po zgjat që prej pesë vitesh:

“Ftoj të lutemi edhe për popullsinë e Jemenit, posaçërisht për fëmijët, që vuajnë nga shkaku i krizës së rëndë humanitare. E edhe për të gjithë ata, që u dëmtuan rëndë nga përmbytjet në Ukrainën perëndimore. Uroj t’i ngushëllojë Zoti e t’i ndihmojnë vëllezërit”.

E më pas, përshëndetja drejtuar romakëve e shtegtarëve, ardhur nga Italia e vende të tjera. Posaçërisht atyre, që morën pjesë, sot paradite, në Meshën e kremtuar në ritin kongolez e u lutën për Republikën Demokratike të Kongos.

Përshëndetja drejtuar të gjithëve, në përfundim. Me ftesën për t’u lutur për Papën e me kujtimin për takimin, nesër, në festën e Shenjtorëve Pjetër e Pal, Pajtorë të Romës.

28 qershor 2020, 13:26