Kërko

Françesku: liria e ndërgjegjes duhet respektuar gjithnjë e gjithkund

Duke kujtuar “Ditën e Ndërgjegjes”, frymëzuar nga diplomati portugez Aristides de Sousa Mendes, Françesku uroi që çdo i krishterë të “japë shembull koherence me një ndërgjegje të drejtë e të shndritur nga Fjala e Zotit”.

R. SH. - Vatikan

Duke kujtuar “Ditën e Ndërgjegjes”, frymëzuar nga dëshmia e diplomatit portugez Aristides de Sousa Mendes, Françesku uroi që çdo i krishterë të “japë shembull koherence me një ndërgjegje të drejtë e të shndritur nga Fjala e Zotit”.

Thirrje e fuqishme për lirinë e ndërgjegjes

 Në audiencën e sotme të përgjithshme, pas katekizmit, Françesku u ndalua  tek kjo temë, duke bërë një thirrje të fuqishme:

“Kremtohet sot ‘Dita e Ndërgjegjes’, e frymëzuara nga diplomati portugez, Aristides de Sousa Mendes i cili, tetëdhjetë vjet më parë, pasi vendosi të ndiqte zërin e ndërgjegjes, u shpëtoi jetën mijëra hebrenjve dhe të përndjekurve të tjerë”.

Françesku uroi që çdo i krishterë të “japë shembull koherence, me një ndërgjegje të drejtë e të shndritur nga Fjala e Zotit”.

Dëshmia e Diplomatit

Fjalët e Papës na kujtojnë historinë e diplomatit portugez, lindur në vitin 1855 në Cabanas de Viriato, në një familje aristokratike. Në vitin 1940, pak para fillimit të Luftës II Botërore, u emërua konsull në Bordeaux të Francës. Para syve të tij pa mijëra refugjatë, ndërmjet të cilëve, shumë hebrenj, në kërkim të shpëtimit nga mizoria naziste. Urdhëri, që i erdhi nga Lisbona, udhëhequr nga Antonio de Oliveira Salazar, ishte të mos u lëshojë asnjë vizë “të huajve me kombësi të papërcaktuar, të kundërshtuar ose të diskutuar”. E as atyre, që nuk kishin asnjë atdhe e, sidomos, hebrenjve, të dëbuar nga vendlindja ose nga  vendi i nënshtetësisë”. Po   Aristides de Sousa Mendes u lëshoi, posaçërisht hebrenjve, viza, që të mund të hynin lirisht në një vend asnjanës, siç ishte Portugalia.

Viza, pa asnjë dallim!

Në Bordeaux, qytet që në vitin 1940 ishte nën kontrollin e qeverisë së Vichy-së, kolaboracionist me regjimin nazist, u hap fjala se në konsullatin portugez mund të merrej lejekalimi, lëshuar nga vetë konsulli. Një t’u hapë lajmi, pas portës së konsullit u pa një radhë e pafundme. Vetëm në tri ditë, konsulli lëshoi më se 30 mijë viza. Ndërmjet atyre, që e morën lejen e kalimit, ishte edhe rabini i Anversës, Jakob Kruger. Më 16 qershor të vitit 1940, Aristides vendosi t’u japë viza të gjithë refugjatëve, që ia kërkuan:

“Duke nisur që tani, do t’u japim vizë të gjithë refugjatëve, pa marrë fare parasysh  kombësinë, racën as fenë!” - deklaroi.

E, i ndihmuar nga bijtë, nipat e rabini Kruger, vijoi të vulosë pasaporta, të japë viza, të përdorë gjithë letrën, që kishte në konsullatë. Rrallëherë është përdorur kaq mirë letra - duke përjashtuar këtu kryeveprat e mëdha të njerëzimit, në të gjitha fushat! Letra e bardhë u bë burim lirie! Sepse  çdo mendjeje të lirë i duket krejtësisht absurde ta ndalosh tjetrin të mendojë, ashtu si i thotë zëri i brendshëm, që njerëzimi, qysh në agim të qytetërisë, e quajti “ndërgjegje”. Atje ku mund të hyjë vetëm Zoti:

“Të kemi kujdes për lirinë. Lirinë e ndërgjejgjes, lirinë fetare, lirinë e çdo njeriu, të çdo familjeje, të çdo populli, sepse prej saj varen të gjitha të drejtat e tjera” - ka thënë Françesku, në takimin për lirinë fetare me bashkësinë hispanike dhe emigrantë të tjerë në Philadelphia, më 26 shtator 2015.

Kujtojmë në përfundim se Aristides, që pati pohuar me rrezikun e vdekjes mbi kokë “ Nëse duhet të bindem, preferoj t’i bindem më parë urdhërave të Zotit, sesa të njerëzve”. Prandaj është një nga figurat e ndritura të njerëzimit, i njohur si “i Drejtë ndërmjet kombeve”.

17 qershor 2020, 12:42