Kërko

 Dita për zhdukjen e dhunës seksuale gjatë konflikteve Dita për zhdukjen e dhunës seksuale gjatë konflikteve 

Papa Françesku: gruaja është rojtare e jetës!

“Të mos harrojmë se gruaja është rojtare e jetës, e bashkimit me të gjithë, e kujdesit për të gjithë”. Kështu shkruan Papa sot në një tweet, kushtuar “Ditës për zhdukjen e dhunës seksuale gjatë konflikteve”. “Nga mënyra si e trajtojmë trupin e gruas, kuptojmë edhe nivelin e humanizmit tonë” – shkruan akoma Françesku.

R. SH. - Vatikan

Fjalë prekëse, këto të Françeskut, besuar një tweeti, me rastin  e “Ditës për zhdukjen e dhunës seksuale gjatë konflikteve. “Kujtojmë se gruaja - shkruan Ati i Shenjtë në faqen e tij të internetit @pontifex, e ka brenda vetes rojen e jetës, frymën e bashkimit me të gjithë, kujdesin për të gjithë. Nga mënyra si e trajtojmë trupin e gruas, kuptojmë nivelin e humanizmit tonë”.

Për Papën, kjo festë, e themeluar më 19 qershor 2015 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ka një domethënie shumë të thellë. Prek nervin e një praktike çnjerëzore, që vijon të shkaktojë edhe sot mijëra viktima të dhunës seksuale gjatë konflikteve të armatosura. Drejtësia penale ndërkombëtare përfshin në këtë tip krimi jo vetëm përdhunimin, por edhe fyerjet me fjalë të natyrës seksuale, skllavërinë seksuale,  prostitucionin e detyruar si dhe çdo formë tjetër dhune seksuale gjatë konflikteve. Ajo konsiderohet po aq e rëndë, sa genocidi. Pas kësaj praktike synohet të goditet rëndë kundërshtari, më rëndë se me armë, “sepse gruaja  është ajo që jep jetë e siguron vazhdimësinë e bashkësisë”. Pa harruar se gruaja nuk është vetëm viktimë e luftërave, por edhe e shoqërive tona “moderne”. E shikojmë çdo ditë në rrugët tona, në familjet, në vendet ku punojmë!

20 qershor 2020, 13:04