Kërko

 Motra Maria Laura Mainetti, Rregulltare e Kongregatës së Bijave të Kryqit Motra Maria Laura Mainetti, Rregulltare e Kongregatës së Bijave të Kryqit 

Do të lumnohen motra Mainetti dhe mjeku i të varfërve të Venezuelës

Papa autorizon shpalljen e dekreteve, që do t’i dhurojnë Kishës katër të Lumë të rinj, ndërmjet të cilëve, rregulltarja lombarde e vrarë në vitin 2000 nga tri të reja. Do të lumnohen edhe mjeku venezuelan, José Gregorio Hernández Cisneros; ipeshkvi argjentinas Mamero de la Ascensión Esquiú dhe meshtari gjerman Francesco Maria della Croce, themelues i Salvatorianëve.

Dje, 19 qershor 2020, Papa Françesku priti në audiencë kardinalin Angelo Becciu, Prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Gjatë audiencës, Ati i Shenjtë e autorizoi Kongregatën të shpallë Dekretet, që do t’i dhurojnë Kishës katër të Lumë të rinj, ndërmjet të cilëve, rregulltarja lombarde e vrarë në vitin 2000 nga tri vajza të reja, gjatë një riti satanik. Do të lumnohen edhe një mjek venezuelan, José Gregorio Hernández Cisneros; ipeshkvi argjentinas Mamero de la Ascensión Esquiú dhe meshtari gjerman Francesco Maria della Croce, themelues i Salvatorianëve.  

Motra Mainetti 

Motra Maria Laura Mainetti, në shekull Teresina Elsa, e lindur në provincën e Lecco-s, më 20 gusht 1939, rregulltare e Kongregatës së Bijave të Kryqit, u vra nga urrejtja për fenë prej tri vajzave të reja, gjatë një riti satanik, në Chiavena, më 6 qershor 2000. Vajza e dhjetë e një familjeje nga Valtelina, zgjodhi rrugën e jetës së dhuruar plotësisht dashurisë. Më 1957 vendosi të hynte në kuvend e t’ia kushtonte gjithë jetën formimit dhe ndihmës shpirtërore e materiale të fëmijëve dhe adoleshentëve. E pikërisht për të ndihmuar një vajzë, që i kish telefonuar duke i kërkuar ndihmë, sepse kishte mbetur shtatzënë pas një dhunimi, doli e vetme nga kuvendi, natën e 6 qershorit të vitit 2000. Ishte një mashtrim, që do ta çonte drejt vdekjes, pasi pati aq kohë, sa t’i falte vrasëset.

 José Gregorio Hernández Cisneros 

Si u diplomua në mjekësi, në Caracas, i thelloi më tej studimet në Paris, Berlin, Madrid e New York. U bë pedagog universitar, shkencëtar dhe themelues i katedrës së baktereologjisë në universitetin e kryeqytetit venezuelan. Punoi gjithnjë me fe të gjallë. Pas një thirrjeje të fuqishme për jetë rregulltare, u nis për Itali, ku hyri në Certozën e Farnetës, në provincën e Lukës. Studioi teologjinë, por shpejt, për arsye shëndetësore, u detyrua të heqë dorë nga udha e nisur. Atëherë hyri në të Tretin Urdhër të Shën Françeskut dhe iu kushtua i tëri të varfërve. Pikërisht duke shkuar për t'i blerë ilaçet një të moshuare, u shtyp nga një auto. Arriti ta marrë vajimin, para se të mbyllte sytë, duke shqiptuar fjalët: “Oh, e Lumja Zojë!”.

Ndërkaq njihet edhe mrekullia e kryer me ndërmjetësimin  e Shërbëtorit të Nderuar të Zotit Mamerto Esquiú, i Urdhërit të Fretërve të vegjël, Ipeshkëv i Córdoba (Argjentinë): i lindur më 11 maj 1826, në San Josè de Piedra Blanca (Argjentinë) - vdiq më 10 janar 1883 në La Posta de El Suncho (Argentinë);

- mrekullia e kryer me ndërmjetësimin e Shërbëtorit të Nderuar të Zotit Francesco Maria della Croce (në shekull: Giovanni Battista Jordan), Meshtar, themelues i Shoqërisë së Shëlbuesit Hyjnor (Salvatorianët) dhe i Kongregatës së Motrave të Shëlbuesit Hyjnor (Salvatorianet). I lindur më 16 qershor 1848 në Gurtweil (Gjermani), vdiq më 8 shtator 1918, në  Tafers (Zvicer);

-   mrekullia e kryer me ndërmjetësimin e Shërbëtorit të Nderuar të Zotit Giuseppe Gregorio Hernández Cisneros, besimtar laik (26 tetor 1864 - 29 qershor 1919,  Karakas, Venezuelë);

- martirizimi i Shërbëtores së Zotit Maria Laura Mainetti (në shekull Teresina Elsa), Rregulltare e Kongregatës së Bijave të Kryqit, Motrat e Shën Andreut (Colico, Italia,  20 gusht 1939 – vrarë në Chiavenna, Itali,  më 6 qershor 2000);

- virtytet heroike të Shërbëtores së Zotit Gloria Maria di Gesù Elizondo García (në shekull, Speranza), Eprore e Përgjithshme e Kongregatës së Misionareve Katekiste të të Varfërve (26 gusht 1908, Durango, Meksikë - 8 dhjetor 1966, Monterrey - Meksikë).

20 qershor 2020, 09:09