cross-699617 ok.jpg

Corpus Domini: të dielën, më 14 qershor, meshë e Papës në Shën Pjetër

Papa Françesku do të kryesojë më 14 qershor, në Altarin e Katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit, kremtimin e meshës së Solemnitetit të Korpit të Krishtit (Corpus Domini). Do të marrin pjesë rreth 50 besimtarë. Në përfundim, adhurimi i të Shenjtnueshmit Sakrament dhe bekimi eukaristik.

R.SH. - Vatikan

Të dielën e ardhshme, më 14 qershor, Papa Françesku do të kryesojë meshën e Solemnitetit të Korpit e të Gjakut të Krishtit (Corpus Domini), në Altarin e Katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan. Rreth 50, besimtarët e pranishëm në kremtimin, që do të fillojë në orën 9.45 e do të përfundojë me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament e me bekimin eukaristik. Ati i Shenjtë i përfundonte kështu edhe meshët e kremtuara në Shtëpinë e Shën Martës, transmetuar në internet e në televizion nga 9 marsi deri më 17 maj, në periudhën kur pothuaj në të gjitha vendet, besimtarët nuk mund të merrnin pjesë fizikisht në meshë, për shkak të pandemisë. Festa e Korpit dhe e Gjakut të Krishtit kremtohet më 11 qershor në Vatikan, por për arsye baritore, ashtu si në shumë vende të botës, zhvendoset për të dielën e mëpasme, në mënyrë që t’i jepet mundësi Popullit të Zotit të marrë pjesë në të me shumicë.

Kremtimet e Papës Françesku

          Vitin e kaluar, Papa e kremtoi meshën e Corpus Domini në tremen e kishës së Zojës Ngushëlluese, në lagjen romake Casal Bertone, ndërsa në vitin 2018, në sheshin përballë famullisë së Shën Monikës në Ostia, pranë Romës. Nga viti 2013 deri në vitin 2017, Ati i Shenjtë e pati kremtuar meshën, siç ishte tradita deri atëherë, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, ndjekur më pas, nga procesioni eukaristik deri në Bazilikën e Zojës së Madhe.

Zanafilla e Solemnitetit

          Rrënjët e Solemnitetit të Korpit të Krishtit i gjejmë në shekullin XIII. Në vitin 1215, përballë atyre që thoshin se prania e Krishtit në Eukaristi ishte simbolike dhe jo reale, Koncili IV i Lateranit afirmoi të vërtetën e Transubstancionit, të cilën Koncili i Trentit i vitit 1551 do ta pohonte përfundimisht: me shugurimin e bukës e të verës, shndërrohet e gjithë substanca apo lënda e bukës në substancën e Korpit të Krishtit dhe e gjithë substanca apo lënda e verës në substancën e Gjakut të Tij. Pas përvojës mistike të shën Gjulianës nga Cornillon, në Liezh të Belgjikës, në vitin 1247, kremtohet për herë të parë një festë kushtuar Korpit të Krishtit. Pas atij viti, më 1263, një meshtar bohem mbërrin në Bolsena të Italisë e kremton meshën, duke dyshuar në zemër të vet për praninë e Krishtit në hosten e shuguruar. Gjatë kremtimit, nga hostja e thyer më dysh dalin disa pika gjaku. Pas kësaj ngjarjeje, në vitin 1264, Papa Urbani IV vendosi ta shpallë për gjithë Kishën Solemnitetin e Korpit e të Gjakut të Krishtit.

08 qershor 2020, 15:31