Kërko

00527_31072008-ok.jpg

Benedikti XVI në Gjermani, për vizitë tek vëllai i sëmurë

Papa i nderit mbërriti sot në Regensburg për t’i qëndruar pranë vëllait të tij, Georg. Me Benediktin XVI, edhe imzot Gaenswein, zv. komandanti i Trupave të Xhandarmërisë së Vatikanit, dhe një grup i vogël punonjësish shëndetësorë dhe bashkëpunëtorësh.

R.SH. - Vatikan

Një udhëtim drejt Regensburgut të Gjermanisë, larg qetësisë së kuvendit Mater Ecclesiae në Vatikan, për t’i qëndruar pranë vëllait të tij 96-vjeçar, i cili është i sëmurë. Kjo është rruga, që bëri sot Benedikti XVI, i cili la Vatikanin për të mbërritur në atdheun e tij, i shoqëruar nga imzot Georg Gaenswein, nga mjeku, nga një infermier, nga njëra prej murgeshave “memores domini” dhe nga zv.komandanti i Trupave vatikanase të Xhandarmërisë. Papa i nderit, njoftoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, do të kalojë në Regensburg gjithë “kohën e nevojshme”.

Gjithmonë shumë të lidhur me njëri-tjetrin, dy vëllezërit Ratzinger, të ndarë që kur ishin 3 vjeç, u shuguruan meshtarë në të njëjtën ditë, më 29 qershor 1951, në katedralen e Frajsingut. Rrethanat e jetës i çuan në drejtime të ndryshme - muzikant i shkëlqyer Georgu, teolog me nivel Jozefi - por lidhja e tyre mbeti gjithnjë e fuqishme. Dëshmi për këtë janë sidomos vizitat e shumta të Georg Ratzinger në Vatikan, në periudhën 2005-2013, gjatë viteve të papnisë së të vëllait e, edhe pas dorëheqjes së tij.

Kur, në vitin 2008, qyteti i Castel Gandolfo-s donte t’i ofronte nënshtetësinë e nderit vëllait të vet, Benedikti XVI u shpreh me këto fjalë: “Që nga lindja, im vëlla ka qenë për mua jo vetëm shok, por edhe udhërrëfyes i besueshëm. Gjithmonë, ka përfaqësuar një pikë orientimi dhe referimi, me qartësinë dhe vendosmërinë e vendimeve të tij”. Fjalë, shprehur me dashuri të madhe, në një çast të gëzueshëm, që ndjenjat e tanishme të pritjes e të afërsisë, me të cilat Benedikti XVI u nis për në Gjermani, i bëjnë edhe më kuptimplote.

18 qershor 2020, 15:49