Koronavirusi në Argjentinë Koronavirusi në Argjentinë

Baritoria e Kishës, në gjurmët e Papës Françesku

Imzot Víctor Manuel Fernández, teolog argjentinas, pikë referimi për Papën Françesku, njëkohësisht, ipeshkëv i La Plata-s, në Argjentinë, analizon, në një intervistë, çështjet kryesore baritore, që ka për zemër Ati i Shenjtë. Përsa i përket koronavirusit, thekson se nuk do ta ndryshojë botën për mirë, nëse njerëzit nuk bëhen më solidarë që tani.

R.SH. - Vatikan

Çështjet kryesore të magjisterit të Papës Françesku, në një intervistë, që teologu argjentinas, imzot Víctor Manuel Fernández, i jep së përjavshmes “Credere” (Besimi) të Grupit Editorial të Paolinëve. Që në krye, ipeshkvi i La Plata-s - pikë referimi i Atit të Shenjtë për argumentet teologjike, kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Ajresit - vë në dukje cilat janë problemet, që ka për zemër Bergoglio: “Lidhja e ngushtë ndërmjet impenjimit shoqëror dhe përvojës shpirtërore; marrëdhëniet ndërmjet reflektimit teologjik dhe jetës së njerëzve; vlerësimi i dikimit të Shpirtit Shenjt mbi popullin e thjeshtë; dialogu me ata, që e mendojnë ndryshe, për të parë nëse mund të pranohet këndvështrimi i tyre mbi të vërtetën; cetraliteti i bamirësisë në jetën morale; shqetësimi për t’u kthyer gjithnjë në bërthamën qendrore të Ungjillit, pa humbur kohë me gjërat dytësore; bindja se gjithçka është e lidhur”.

Nuk do të bëhemi më të mirë vetëm pse kemi kaluar pandeminë

 Në artikullin me titull “Baritoria në gjurmët e Bergoglio-s”, imzot Fernàndez e ngre zërin me forcë kundër padrejtësive shoqërore, të cilat po shtohen edhe më shumë, për shkak të pandemisë së Covid-19. “Disa thonë se kjo pandemi do ta ndryshojë njerëzimin. Nuk jam dhe aq i sigurt. Frika duhej të ishte arsye që vendet t’i bashkonin forcat në punën kërkimore e të arrinin së bashku prodhimin e një vaksine. Kjo nuk ndodhi. Nuk do të bëhemi më solidarë nesër, nëse nuk fillojmë menjëherë, sot, të vemë në jetë forma dhe qëndrime të reja solidariteti. Të moshuarit, që vdiqën për mungesë respiratorësh, janë viktima të shpërbërjes së sistemeve shëndetësore publike, flijuar në altarin e kursimeve ekonomike strukturore. Pas pandemisë, a do të ketë vërtet një botë më njerëzore, një ekonomi ndryshe e, a do të bëhet gjithçka për të mirën e përbashkët? Jo domosdoshmërisht. Madje, është e mundur që, nëse kemi qenë të detyruar ta mbysim dëshirën e mëparshme për të blerë e për të konsumuar, të jemi të dëshpëruar e të dalim nga pandemia me ankthin për të blerë gjithçka nuk kemi mundur ta bëjmë gjatë karantinës. Gjithsesi, shoh kudo edhe shumë shenja pozitive, shumë njerëz bëjnë mirë. Prandaj, të përpiqemi të jemi më të mirë që tani: vetëm kështu do të dalim të ndryshuar nga pandemia”.

Mesha në internet, anomali

          Për muajt, gjatë të cilave besimtarët nuk mund të shkonin në meshë dhe e ndiqnin atë përmes televizionit e internetit, teologu, përmes një përvoje personale, reflekton mbi llojin e pjesëmarrjes, që mund të sigurojnë mediat. “Më ka pëlqyer gjithnjë të komunikoj përmes mass mediave – nënvizon. – Kur isha famullitar në rajonin e Kordovës, kisha një program në radio, çdo të premte mbrëma. Quhej ‘Shpirtërisht së bashku’. Kishte muzikë, bëja reflektime të shkurtra e shumë njerëz merrnin në telefon. Në të vërtetë, gati askush nuk telefononte për të paraqitur ndonjë dyshim teologjik a shpirtëror. Shumica kërkonin lutje për ndonjë vështirësi. Prej disa vitesh, shkruaj shpesh reflektime në Facebook e Twitter. Gjatë karantinës, kemi pasur shumë takime në platformën Zoom, por duhet të them se më ka ardhur shpirti në majë të hundës, ashtu si për meshët e transmetuara pa besimtarë. Mesha është sakrament, kërkon prani, hapësirë të përshtatshme, lëvizje, takim. Ta ndjekësh në internet është anomali, megjithëse, në këtë rast, e pashmangshme”.

Më mirë meshtar a ipeshkëv?

          E përsa i përket rolit të ipeshkvit, imzot Víctor Manuel Fernández preferon më mirë atë të famullitarit. “La Plata – ku teologu është ipeshkëv, në Argjentinë -  është kryeqendra e një province shumë të rëndësishme. Kjo do të thotë se unë duhet të kem kontakte të vazhdueshme me qeveritarë, politikanë, sindikalistë. Përpiqem ta përdor këtë rol për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të njerëzve. Por, detyra e ipeshkvit sjell edhe shumë burokraci. Deri sa je famullitar, është ndryshe: ke kontakt të drejtpërdrejt me njerëzit, ata kujtojnë me dashuri se i ke martuar, se u ke pagëzuar fëmijët, se ke shkuar për të ngushëlluar gjyshen e sëmurë. Ndërsa ipeshkvi ia kushton pjesën më të madhe të kohës gjërave të tjera, të cilat, shpesh, ta mërzisin kokën. Deri edhe meshtarët të shohin më shumë si kryetar sesa si atin e tyre. Më shpërblen më shumë atësia e famullitarit sesa pushteti i ipeshkvit”.

Kush është imzot Víctor Manuel Fernández

Imzot Víctor Manuel Fernández është pedagog i teologjisë morale dhe i teologjisë biblike në Universitetin Papnor Katolik të Argjentinës (Buenos Ajres), ku mban edhe postin e rëndësishëm të rektorit. Shkrimtar e konferencier i vlerësuar, ka shkruar shumë libra e artikuj shkencorë mbi temat e përshpirtërisë, katekizmit, baritorisë, formimit të laikëve, etj.. Veçanërisht miqësore dhe e frytshme ka qenë bashkëpunimi i tij me ish-kryeipeshkvin e Buenos Ajresit, kardinalin Jorge Mario Bergoglio, Papën aktual, i cili, më 13 maj 2013, e emëroi imzot Fernández, kryeipeshkëv titullar të Tiburnia-s.

08 qershor 2020, 11:26