Kërko

Papa, të rinjve: Gjon Pali II na nxit t’i kapërcejmë sprovat, duke ndjekur Krishtin

Papa Françesku u dërgon një videomesazh të rinjve të Krakovit, në 100-vjetorin e lindjes së shenjtit të madh polak, Papës Gjon Pali II. Në orën 20.00, fjalët e Atit të Shenjtë u transmetuan nga televizioni shtetëror i Polonisë, duke hyrë në çdo shtëpi, në të gjithë vendin. Ja çfarë u tha Papa Bergoglio, duke i nxitur të ndjekin Krishtin e t'i shndërrojnë duart e tyre në shenja pajtimi, bashkimi, krijimi.

R.SH. - Vatikan

Të dashur të rinj,

këtë vit kremtojmë 100-vjetorin e lindjes së Shën Gjon Palit II. Është rast i mirë për mua t'ju drejtohem juve, të rinj të Krakovit, duke menduar sa shumë i donte ai të rinjtë, e duke kujtuar ardhjen time mes jush për DBR-në e vitit 2016. Shën Gjon Pali II ka qenë dhuratë e jashtëzakonshme e Zotit për Kishën e për Poloninë, atdheun tuaj. Shtegtimi i tij tokësor, filluar më 18 maj 1920 në Wadowice e përfunduar 15 vite më parë në Romë, u karakterizua nga pasioni për jetën e nga prirja drejt misterit të Zotit, të botës e të njeriut. E kujtoj si njeriun e madh të mëshirës: mendoj për Enciklikën “Dives in misericordia”, për kanonizimin e shën Faustinës e për themelimin e së Dielës së Mëshirës Hyjnore. Në dritën e dashurisë së mëshirshme të Zotit, ai shihte veçoritë dhe bukurinë e thirrjes së burrave e grave, kuptonte nevojat e fëmijëve, të të rinjve dhe të të rriturve, duke marrë parasysh edhe kushtëzimet kulturore e shoqërore. Të gjithë mund ta ndienin këtë. Edhe ju sot, mund ta ndieni, duke kuptuar jetën dhe mësimet e tij, me të cilat mund të njihen të gjithë, edhe falë internetit. Secili e secila prej jush, të dashur të rinj e të reja mbart gjurmën e familjes së vet, me gëzimet e dhimbjet e saj. Dashuria dhe kujdesi për familjen është tipar karakteristik i Gjon Palit II. Mësimet e tij përfaqësojnë një pikë të sigurt referimi për të gjetur zgjidhje konkrete për vështirësitë dhe për sfidat, që duhet të përballojnë familjet e ditëve tona. Por, problemet personale dhe familjare nuk janë pengesë në udhën e shenjtërisë dhe të lumturisë.

Nuk ishin as për djaloshin Karol Wojtyła, që, i ri, humbi nënën, vëllain dhe të atin. Si student, provoi tmerret e nazizmit, që i mori me vete shumë miq. Pas luftës, si meshtar e ipeshkëv, iu desh t'i bëjë ballë komunizmit ateist. Vështirësitë, edhe pse të rënda, janë provë maturie e feje; provë, që përballohet vetëm duke u bazuar në fuqinë e Krishtit të vdekur e të ringjallur. Gjon Pali II ia kujtoi këtë gjithë Kishës, që nga Enciklika e tij e parë, “Redemptor hominis”, ku thotë: “Njeriu, që dëshiron ta kuptojë vetveten deri në fund duhet, me gjithë shqetësimin e pasigurinë e, edhe me brishtësinë dhe me rënien e vazhdueshme në mëkat, me jetën e me vdekjen e vet, t'i afrohet Krishtit. Ai duhet, si të thuash, të hyjë në Të me gjithë vetveten”. Të dashur të rinj, këtë i uroj secilit prej jush: të hyni në Krishtin me gjithë jetën tuaj. E uroj që kremtimet e 100-vjetorit të lindjes së Shën Gjon Palit II të dikojnë mbi ju dëshirën për të ecur me guxim bashkë me Jezusin, që është “Zoti i rreziqeve, është Zoti i shkuarjes gjithnjë “përtej”. Hyji, ashtu si për Rrëshajë, dëshiron të realizojë një nga mrekullitë më të mëdha, që mund të eksperimentojmë: të bëjë që duart e tua, duart e mia, duart tona, të shndërrohen në shenja pajtimi, bashkimi, krijimi. Atij i duhen duart tuaja, o djem e vajza, i do duart tuaja për të vazhduar të ndërtojë botën e sotme”. Ja besoj të gjithë ju ndërmjetësimit të shën Gjon Palit II e ju bekoj nga zemra. E ju, më bëni një favor, mos harroni të luteni për mua.

Faleminderit!

18 maj 2020, 20:16