Kërko

20200523_DpC_KP_in-quel-giorno-chiederete-nel-mio-nomeAEM.jpg

O Zot, ndale koronavirusin. Papa e besimtarët e të gjitha feve në lutje, ngjarja kryesore e javës së kaluar

“Zoti e ndaloftë këtë tragjedi, e ndaloftë këtë pandemi. Hyji pastë mëshirë për ne dhe ndaltë edhe pandemitë e tjera po aq të këqija: atë të urisë, atë të luftës, atë të fëmijëve pa arsim. E këtë e kërkojmë si vëllezër, të gjithë bashkë. Zoti na bekoftë të gjithëve dhe pastë mëshirë për ne”.

R.SH. - Vatikan

Nga veprimtaria papnore e javës, që sapo kaloi, bie në sy fakti se emergjenca e koronavirusit ishte gjithnjë në qendër të mendimeve të Atit të Shenjtë. Papa Françesku bëri një thirrje të re në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, 13 maj, transmetuar drejtpërdrejt në internet, nga Biblioteka e Pallatit Apostolik. E ishte më se i qartë: “Të bashkohemi si vëllezër, për t’i kërkuar Zotit ta shpëtojë njerëzimin nga pandemia, për t’i shndritur shkencëtarët e për të shëruar të sëmurët”. E pikërisht e nesërmja, e enjtja, 14 maj, ishte Dita botërore kushtuar “lutjes, agjërimit e veprave bamirëse”. Papa Bergoglio e pranoi ftesën e Komitetit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor, lindur pasi ai vetë nënshkroi Deklaratën e përbashkët me Imamin e Madh të Al-Azharit, në Abu Dabi, vitin e kaluar.

Ndërkaq, pasojat e Covid-19 ndihen edhe në Selinë e Shenjtë. E, edhe ato ekonomike. Megjithatë, Prefekti i Sekretarisë për Ekonominë, atë Juan Antonio Guerrero Alves, në një intervistë për Vatican News, siguron: “Vatikani s’ka rrezik të falimentojë”. E analiza e tij shkon edhe më tej: “Kjo nuk do të thotë se nuk na duhet ta përballojmë krizën, ashtu siç vjen. Sigurisht që kemi përpara vite të vështira. Kisha e kryen misionin e saj me ndihmën e lëmoshëve të besimtarëve. E nuk e dimë sa mund të dhurojnë njerëzit. Pikërisht për këtë, duhet të jemi më të thjeshtë, e më të përkorë”. Pasojat e emergjencës? Edhe për këtë janë bërë disa vlerësime. “Më optimistet, - deklaron Prefekti – llogarisin një ulje të të ardhurave prej rreth 25%. Më pesimistet, rreth 45%”.

Duke pasur parasysh këto vështirësi e problemet e shkaktuara nga pandemia në gjithë botën, për besimtarët, lutja është një armë e fuqishme më shumë. E Ati i Shenjtë, gjatë audiencës së përgjithshme të 13 majit, e shpjegoi këtë në disa plane: Së pari: “Është mënyrë për të komunikuar e për ta dëgjuar Zotin”. Së dyti: “Lutja u përket të gjithëve: njerëzve të çdo feje e, ndoshta, edhe atyre që thonë se nuk besojnë”. Por, ka edhe më. Papa kujtoi se për të krishterët, marrëdhëniet me Zotin nuk janë të tipit “feudal”. Fjalë si “nënshtrim”, “skllavërim” e “vasalitet” janë të panjohura e në vend të tyre, përdoren fjalë si “aleancë”, “miqësi”, “bashkim”. Vërtet, “Zotit mund t’i kërkojmë gjithçka, t’i shpjegojmë gjithçka, t’i tregojmë gjithçka. Nuk ka rëndësi nëse ndihemi borxhlinj në marrëdhëniet me Hyjin: nuk jemi miq të mirë, bij të mirë, bashkëshortë besnikë. Ai i Lumi – nënvizoi Ati i Shenjtë – vazhdon të na dojë fort”.

 Për këtë arsye, Papa Françesku u bashkua me lutjen e të gjitha feve më 14 maj, që Hyji i Gjithëpushtetshëm ta ndalë pandeminë e koronavirusit. Por, Ati i Shenjtë, në meshën e mëngjesit të asaj dite, nuk harroi të përmendë edhe pandemitë e tjera, që shkaktojnë vuajtje në botë. Pandeminë e luftës, të urisë e shumë të tjera. E së bashku me kreun e Kishës Katolike, të gjithë besimtarët u lutën: “Zoti e ndaloftë këtë tragjedi, e ndaloftë këtë pandemi. Hyji pastë mëshirë për ne dhe ndaltë edhe pandemitë e tjera po aq të këqija: atë të urisë, atë të luftës, atë të fëmijëve pa arsim. E këtë e kërkojmë si vëllezër, të gjithë bashkë. Zoti na bekoftë të gjithëve dhe pastë mëshirë për ne”.

17 maj 2020, 09:37