Kërko

blooming-4112348_960_720.jpg

Shpresa, virtyti më i përvuajtur, por edhe më i forti

Papa Françesku ka folur disa herë për shpresë në këtë periudhë koronavirusi, duke na nxitur ta shohim jetën me sy të rinj, veçanërisht tani që po kalon një sprovë të rëndë. Ta shohim me sytë e Jezu Krishtit, “autorit të shpresës”, që të na ndihmojë t’i kalojmë këto ditë të vështira, me sigurinë se errësira do të shndërrohet në dritë.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku ka folur shpesh për shpresën, që e quan “më e vogla ndër virtytet, por më e fuqishmja. E shpresa jonë ka një fytyrë: fytyrën e Zotit të ringjallur, i cili vjen ‘me shumë pushtet e lavdi’”(Mk 13,26) (Engjëlli i Tënzot, 15 nëntor 2015). Shpresa, pra, nuk është diçka, por dikush, ashtu siç thotë Shën Françesku në “Lavdet për Zotin e Tejetlartë”: “Ti je shpresa jonë!” (FF 261). E “Ai nuk do t’i braktisë të gjithë ata, që shpresojnë në të” (FF 287; Cf. Ps 33, 23).

Virtyt i fshehur, këmbëngulës dhe plot durim

          Shpresa “është më e përvuajtura ndër tre virtytet teologale [Feja, Shpresa e Dashuria], sepse mbetet e fshehur”, shpjegon Papa Françesku: “Shpresa, siç thotë Shën Pali, është virtyti i pritjes plot afsh të zbulesës së Birit të Zotit (Rom 8,19). Nuk është iluzion”(Homelia në Shtëpinë e Shën Martës, 29 tetor 2013). “Është virtyt, që nuk zhgënjen kurrë: nëse shpreson, nuk do të zhgënjehesh kurrë”; është virtyt konkret, “i përditshëm, sepse është takim. E sa herë që takojmë Jezusin në Eukaristi, në lutje, në Ungjill, në të varfërit, në jetën e bashkësisë, bëjmë një hap tjetër drejt këtij takimi përfundimtar” (Homelia në Shtëpinë e Shën Martës, 23 tetor 2018). “Shpresa ka nevojë për durim”, sepse kokrra e sinapit duhet të lëshojë rrënjë, të mbijë e të rritet. Është ai “durim, përmes të cilit e dimë se mbjellim, por është Zoti ai, që rrit” (Homelia në Shtëpinë e Shën Martës, 29 tetor 2019). Shpresa nuk është optimizëm pasiv, përkundrazi, “është luftarake, ka këmbënguljen e atyre, që shkojnë drejt një destinacioni të sigurt” (Engjëlli i Tënzot, 6 shtator 2015).

Shpresa vajzuke e Charles Peguy

          Njeriu e ka gjithnjë shpresën me vete, por jashtë krishterimit, ajo merr nganjëherë formën e fatit, të cilit nuk mund t’i ikësh, pavarësisht se shpreson se do të jetë i mirë. Të shumtë janë poetët e shkrimtarët, që i kanë thurur vargje këtij virtyti, nga Giacomo Leopardi, tek Emily Dickinson e tek Ferdinando Pessoa. Të befasojnë vargjet e shkrimtarit e të poetit francez katolik Charles Peguy në “Portiku i misterit të virtytit të dytë” (1911), një poemë së cilës i referohet Papa Françesku, kur pëshkruan tiparin karakteristik të këtij virtyti: shpresa është si një vajzë e vogël, që kur sheh të ardhmen, me këmbënguljen e saj optimiste, befason vetë Zotin. Tek Peguy, Hyji flet kështu: “Feja që dua më shumë, thotë Zoti, është shpresa… Ajo, që më befason… është shpresa. E nuk di ta gjej arsyen. Kjo shpresë e vogël, që duket pak e asgjë. Kjo shpresë vajzuke. E pavdekshme”. “Shpresa vogëlushe ecën ndërmjet dy motrave më të mëdha e askush nuk ia hedh sytë. Në udhën e shpëtimit, në udhën e korpit, në udhën plot pengesa të shëlbimit, në udhën që s’i shihet fundi, në udhën ndërmjet dy motrave, shpresa e vogël. Ecën”. Shpresa ecën përpara ndërmjet dy motrave më të mëdha, duke u dhënë dorën, por në të vërtetë, është ajo, që i udhëheq.

Abrahami, njeri i shpresës

Bibla është e mbrujtur me shpresë. Abrahami besoi “duke shpresuar kundër çdo shprese” (Rom 4,18). Papa Françesku vëren se Abrahami, në një çast mosbesimi, në vend që të kërkonte djalin e premtuar që nuk mbërrinte, “i lutet Zotit ta ndihmojë për të vazhduar të shpresojë. …Shpresa nuk zhgënjen”(Audienca e përgjithshme, 28 dhjetor 2018).

Gjon Pali I: shpresa është virtyt i detyrueshëm

Gjatë papnisë së tij të shkurtër, Gjon Pali I i kushtoi shpresës një reflektim, ku thotë se ajo “është virtyt i detyrueshëm për çdo të krishterë”, që rrjedh nga besimi në tri të vërteta: “Zoti është i gjithëpushtetshëm, Zoti më do pa masë, Zoti e mban premtimin. E është Ai, Hyji i mëshirës, që ndez në mua besimin; prandaj, nuk ndihem as vetëm, as i padobishëm, as i braktisur, por i përfshirë në udhën e shëlbimit, që një ditë do të çojë në Parajsë "(Audienca e përgjithshme, 20 shtator 1978).

Gjon Pali II: të krishterët janë dëshmitarë të shpresës

          Shën Gjon Pali II na fton ta rizbulojmë virtytin teologal të shpresës, që, “nga njëra anë, e nxit të krishterin të mos e humbasë nga sytë horizontin përfundimtar, i cili i jep kuptim e vlerë krejt jetës e, nga ana tjetër, i ofron arsye të shëndosha e të thella për impenjimin e përditshëm në shndërrimin e realitetit, për ta bërë atë sipas planit të Zotit” (Tertio millenio adveniente). Të krishterët janë të thirrur të jenë dëshmitarë të shpresës në botë, “të gatshëm për t’iu përgjigjur kujtdo, që do t’i pyesë për arsyet e shpresës së tyre” (shih 1 Pjt 3,15).

Benedikti XVI: shpresa të ndryshon jetën

          Papa Benedikti XVI i kushton shpresës një enciklikë të veçantë, “Spe Salvi”. E përshkruan si virtyt të aftë për të shkaktuar ngjarje e fakte e për ta ndryshuar krejtësisht jetën. “Shëlbimi – shkruan Papa i nderit – na jepet, në kuptimin se na është dhuruar shpresa, një shpresë e besueshme, një virtyt me të cilin mund të përballojmë të tashmen: e tashmja, edhe kur është e vështirë, mund të jetohet e të pranohet nëse çon drejt një horizonti të caktuar e, nëse mund të jemi të sigurt për këtë horizont, nëse ai është kaq i rëndësishëm sa mund të justifikojë lodhjen e rrugës”.

Papa Françesku: shpresa është dritë, që e mund errësirën

          “Shpresa - pohon ndërkaq, Papa Françesku - na bën të hyjmë në terrin e së ardhmes së pasigurt për të ecur drejt dritës. Virtyti i shpresës është i bukur; na jep kaq shumë forcë për të ecur në jetë” (Audienca e përgjithshme, 28 dhjetor 2018). E në këtë çast delikat të historisë sonë, mbyllur brenda nga frika e një virusi të padukshëm, Papa Françesku flet për një lloj tjetër infektimi, atë “të shpresës: ‘Krishti, shpresa ime, u ringjall!’. Nuk është formulë magjike, që zhduk problemet. Jo, ringjallja e Krishtit nuk është e tillë. Por është fitorja e dashurisë mbi rrënjët e së keqes, fitore që nuk ‘i mënjanon’ vuajtjet dhe vdekjen, por kalon nëpër to, duke hapur një shteg në humnerë, duke e shndërruar të keqen në të mirë: shenjë, që i përket vetëm pushtetit të Zotit” (Mesazhi Urbi et Orbi, 12 prill 2020). Me Pashkët, pohon Papa Françesku, fituam “një të drejtë themelore, e cila nuk do të na mohohet kurrë: të drejtën për të shpresuar. Është shpresë e re, e gjallë, që vjen nga Zoti” (E Shtuna e Madhe, 11 prill 2020).

08 maj 2020, 08:39