Kërko

 Kapela " Nëna e Shëlbuesit" në Vatikan Kapela " Nëna e Shëlbuesit" në Vatikan 

Rrëshajë - porositë e Shpirtit Shenjt për të krishterët e sotëm

Fjalët e Papës Françesku kushtuar Shpirtit Shenjt, “të panjohurit të fesë sonë”, që vepron në mbarë botën në mënyrë të padukshme: na jep gëzim, paqe, dashuri, na bën të jetojmë si të ngjallur, si bij të Zotit. Falë Tij, mund të jetojmë si vëllezër!

R. SH. - Vatikan

Shpirti Shenjt bën gjithçka, por nuk shihet. Mund të shihen pasojat, po duhet ta kesh zemrën e hapur, për ta parë. Është i përvuajtur. Dashuri e fshehur. Është Zot. Flet çdo ditë, pambarimisht, në mes të zhurmës së jetës sonë. Duhet të heshtësh, në se do ta dëgjosh. Po kush është e çfarë na thotë Shpirti?

Pa Shpirtin Shenjt nuk jemi të krishterë!

“Është i panjohuri i fesë sonë”: kështu e quan Papa Françesku (Homelia në Shën Martë, 13 maj 2013): e pra, pa Të, nuk jemi të krishterë! Pa të nuk ka Kishë, as mision Kishe. Pa Të jetojmë një jetë të dyfishtë: të krishterë me fjalë, “të botës” me fakte!

Shpirti Shenjt na bën të jetojmë si të ringjallur

Shpirti nuk është “gjë abstrakte”, është vetje, që ta ndryshon jetën: siç u ndodhi apostujve, akoma të pushtuar nga frika e të mbyllur në Çenakull, edhe pse e kishin parë Jezusin të ngjallur, e, pas Rrëshajëve, “në pritje të paduruar për të arritur në kufijtë e panjohur të tokës”, për të kumtuar Ungjillin, pa frikë e pa e kursyer as jetën. “Historia e tyre na kujton se  as pamja e Krishtit të gjallë nuk mjafton. Është Shpirti Shenjt që na bën  ta jetojmë e ta rijetojmë Jezusin e ringjallur në shpirtin tonë” (Homelia e Rrëshajëve, 9 qershor 2019).

Bëhemi bij të Zotit e vëllezër, falë Shpirtit të Zotit

Të jetosh një jetë të re, si njerëz me të vërtetë të ngjallur, do të thotë të rikrijosh lidhjen tonë me Atin, të rrënuar nga mëkati. E ky është misioni i Krishtit: “Nga jetimë, që jemi, të na bëjë bij, të dashur nga Zoti. Atësia e Zotit riaktivizon në ne veprën shëlbuese të Krishtit dhe dhuratën e Shpirtit Shenjt”. E, falë kësaj marrëdhëniejeje me Atin e Birin, Shpirti Shenjt na bën të hyjmë në një dinamikë të re vëllazërimi. Përmes Vëllait universal, që është Krishti, mund të lidhemi edhe me të tjerët në një mënyrë krejt të re, të mirë, mëshirëmadhe. E kjo e ndryshon gjithçka! Mund ta shikojmë njëri-tjetrin si vëllezër!”(Homelia e Rrëshajëve, 15 mars 2016)

Njeriu shpirtëror çon harmoninë, atje ku ka sherr

“Ne duhet të zvogëlohemi, Jezusi duhet të rritet gjithnjë në ne.  Rrezikohemi ta bëjmë Jezusin të na shërbejë, në vend që t'i shërbejmë. Rruga, që duhet ndjekur, është të dalim nga vetvetja, nga vetëdashja jonë. E mund ta bëjmë këtë falë lutjes, që na ngjall Shpirti Shenjt ndër zemra. Kur e copëtojmë rrethin e egoizmit tonë, dalim nga vetvetja e u afrohemi të tjerëve, për t’i takuar, për t’i ndihmuar. Na shtyn vetë Shpirti Shenjt! Kur zbulojmë në shpirtin tonë aftësinë e panjohur për të falur e për ta dashur, atë që nuk na do, është Shpirti Shenjt që na nxit (Homelia në Stamboll, 29 nëntor 2014)”. Kush jeton sipas Shpirtit Shenjt, “çon paqe atje ku ka mosmarrëveshje; harmoni, ku ka sherr. Njerëzit shpirtërorë i përgjigjen së keqes me të mirë; arrogancës, me butësi; zhurmës, me heshtje; përgojimeve, me lutje; disfatizmit, me buzëqshje”. “Për të qenë shpirtëror, duhet ta kemi gjithnjë shikimin e Shpirtit Shenjt para syve tanë”(Homelia e Rrëshajëve, 9 qershor 2019).

Shpirti Shenjt krijon unitet në larmi

Shpirti Shenjt është dhurata e parë e Jezusit të ngjallur e na jepet për t’i falur mëkatet - pohon Papa - e falja është dhurata më e madhe, që na mban të bashkuar, pavarësisht nga të gjitha. Papa Françesku na kujton se Shpirti Shenjt bën pikërisht këtë: krijon larmi e unitet, formon një popull të larmë e të bashkuar: Kishën universale. Fillimisht, me fantazi e në mënyrë krejt të paparashikueshme, krijon larmi; në çdo epokë bën të lulëzojnë karizma të reja e të ndryshme. Pastaj vetë Shpirti Shenjt realizon unitetin: lidh, mbledh, rikrijon harmoninë. Uniteti i vërtetë, ai sipas Zotit - pohon Papa - nuk është uniformitet, por unitet në larmi. Ftesa është të shmangen dy tundime të herëpashershme. I pari është kërkimi i larmisë, pa unitet:

“Kjo ndodh kur njerëzit duan të dallohen, kur formojnë grupime e parti, kur mbajnë qëndrime të ngurta përjashtuese, kur mbyllen në sektarizmat e veta, edhe nëse u duken më të mirat ose që kanë gjithnjë arsye”.

Këta janë të ashtuquajturit rojtarë të së vërtetës. Atëherë nisin të zgjedhin pjesën, jo të tërën, duke menduar të radhiten me këtë apo atë pjesë, para Kishës; bëhen ‘tifozë’ të njërës palë, në vend që të jenë vëllezër e motra në të njëjtin Shpirt; bëhen të krishterë “të së djathtës a të së majtës”, para se të Jezusit; rojtarë të palakueshëm të së kaluarës ose avanguardistë të ardhmërisë, para se bij të përvuajtur e mirënjohës të Kishës.

Tundimi tjetër, është kërkimi i unitetit, pa larmi:

“Por në këtë mënyrë, uniteti shndërrohet në uniformitet, detyrim për ta bërë gjithçka së bashku e gjithçka njëlloj, për të menduar të gjithë e gjithnjë në të njëjtën mënyrë. Kështu uniteti bëhet homologim e nuk ka më kurrfarë lirie. Por Shën Pali na kujton se ‘Atje ku është shpirti i Zotit, është edhe liria’”(2 Kor 3,17).

Françesku fton t’i kërkohet Shpirtit Shenjt hiri për ta ‘pranuar unitetin e Tij, shikimin, që rrok e do përtej parapëlqimeve personale, Kishën e Tij, Kishën tonë’; për të marrë mbi vete detyrën e unitetit ndërmjet të gjithëve, për t’i dhënë fund thashethemeve, që mbjellin grindjen dhe zilive, që helmatisin, sepse të jesh burrë a grua e Kishës, do të thotë të jesh burrë a grua e bashkimit, e për të kërkuar edhe një zemër, që e shikon Kishën si nënën e vet e si shtëpinë e vet mikpritëse e të hapur, ku ndahet bashkërisht gëzimi shumëformësh i Shpirtit Shenjt:

“Shpirti Shenjt, pra, bën, nga dishepujt, një popull të ri, e pastaj krijon në dishepujt një zemër të re: Krishti i Ngjallur, kur iu duk për herë të parë të vetëve, u tha:”Merreni Shpirtin Shenjt. Atyre të cilëve do t’ua falni mëkatet, do t’u falen (Homelia e Rrëshajëve, 4 qershor 2017)”.

Shpirti Shenjt nuk pushon së foluri, na bën të hyjmë gjithnjë më thellë në kuptimin e Fjalëve të Jezusit. Është risia e Ungjillit. Fjalë gjithnjë e gjallë, sepse krishterimi, siç na e kujton Katekizmi i Kishës Katolike, “nuk është fjalë e shkruar, e heshtur”, por Fjala  e Zotit. Fjala e mishëruar, gjithnjë e gjallë!

29 maj 2020, 14:06