Populli i Zotit me bariun e vet, Françeskun

Mijëra vetë kanë dërguar mesazhe dhe imazhe, duke e falenderuar Papën për shoqërimin e tij gjatë muajve të vështirë të mbylljes në shtëpi, për shkak të pandemisë. Besimtarët mundën ta ndiqnin përditë në internet, meshën e kremtuar nga Ati i Shenjtë në Shtëpinë e Shën Martës.

R.SH. - Vatikan

“Faleminderit që na sollët Krishtin në çdo shtëpi”, “Faleminderit që na ndihmuat dhe na përkrahët”, “Faleminderit për mesazhin e shpresës”, “Faleminderit për bashkimin shpirtëror”, “Lutemi për fundin e pandemisë, për të gjithë, për Ju”, “Faleminderit për meshën në Shtëpinë e Shën Martës çdo ditë, na bëri të ndihemi mirë”, “Faleminderit që nuk na latë vetëm”, ​​“Nuk besoja në Zot e tani qaj para të Kryqëzuarit”. Mbërrijnë nga pesë kontinentet: mesazhe personale, mirënjohje, lutje, fotografi e, madje, edhe video. Pamje dhe fjalë, që kthejnë tek Papa Françesku ndjenjat dhe emocionet, që përjetuan njerëzit në çdo anë të botës, ndërsa Ati i Shenjtë  lartonte të Shenjtnueshmin Sakrament për t’i bekuar të gjithë, duke i lypur Zotit për të gjithë, fundin e pandemisë.

Gjithçka filloi të hënën, 9 mars. Papa Françesku u lut për “të sëmurët, për ata që preken nga koronavirusi, për mjekët, infermierët, vullnetarët, që ndihmojnë aq shumë, për anëtarët e familjeve, për të moshuarit, që jetojnë në shtëpi për pleq, për të burgosurit, mbyllur brenda katër mureve”. Për shtatëdhjetë ditë, ndërsa koronavirusi përhapej, duke detyruar shumë vende t’i pezullonin kremtimet e meshëve në praninë e besimtarëve, t’i ndalonin ushtrimet shpirtërore dhe shtegtimet, Papa sillte shpresë, me kumtimin e Ungjillit, me Fjalën e Zotit. Mesha e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës ishte e përkorë, me Ipeshkvin e Romës, që reflektonte shkurt dhe thjesht mbi Leximet e ditës, duke i ndihmuar të gjithë të identifikoheshin me atë që thuhej e dëshmohej. Kishte hapësirë për lutjen, në heshtje. Kishte edhe disa minuta për adhurimin eukaristik, në përfundim të kremtimit.

Miliona njerëz u mblodhën çdo ditë në lutje: gjeografia dhe orari i ndryshëm, në anë të ndryshme të botës, nuk u bënë kurrë problem: radioja, televizioni, interneti, rrjetet shoqërore u bënë dyer dhe ura drejt kapelës së vogël në Vatikan. Bashkësi të tëra, familje, punëtorë, fëmijë, të rritur, rregulltarë e murgesha, ndoqën meshën, dëgjuan Fjalën e Zotit, u lutën dhe rizbuluan bashkimin e tyre shpirtëror, në pritje për ta marrë përsëri fizikisht Korpin e Krishtit. Mesha e Papës Françesku në mëngjes u bë takim i përditshëm edhe për ata, që e ndjekin Kishën pak e aspak. Edhe shumë jo-besimtarë u sintonizuan e ndoqën homelitë e Pasardhësit të shën Pjetrit, në kohën e mbylljes nga koronavirusi.

Një numër i pallogaritshëm besimtarësh, por sigurisht shumë i lartë, e përballoi pandeminë në shoqërinë e Papës, i cili bëri vazhdimisht thirrje të mos harrohen “më nevojtarët, fëmijët e uritur dhe ata, që ikin nga luftërat”. Françesku u lut për njerëzit e pushtetit, që “duhet të marrin vendime” të vështira dhe për shkencëtarët, që kërkojnë zgjidhje për ta shpëtuar botën nga sëmundja Covid-19. Falenderoi gjithnjë të gjithë ata, që ndihmojnë sidomos më të ligshtët, më të pambrojturit, si të moshuarit e njerëzit me aftësi të kufizuara, në “këto ditë me kaq shumë vuajtje” dhe “frikë”.

 U lut për rregulltarët dhe murgeshat, që “japin jetën”, duke u qëndruar pranë atyre, të cilët përjetojnë dhimbjen dhe kryqin. U lut për të gjitha viktimat e pandemisë e për familjet e tyre. Përmendi shumë kategori punonjësish, nga mjekët tek infermierët, nga farmacistët tek mësuesit, nga pastruesit tek vullnetarët e deri tek varrmihësit për të vdekurit e shumtë. U lut për nënat në pritje të një fëmije dhe për shqetësimet e tyre; për artistët, për studentët, për ata që mendojnë për botën pas pandemisë dhe për zgjidhjen e problemeve të saj.

Takimi me transmetimin e drejtpërdrejtë të meshës së Papës përfundoi të hënën, më 18 maj. Françesku uroi “që populli i Zotit të kthehet në familjaritetin e bashkimit me Hyjin në sakrament, duke marrë pjesë në liturgjinë e së dielës” së bashku me të gjithë ata njerëz, që e ndoqën meshën në media, duke u bashkuar shpirtërisht me besimtarët anembanë globit.

20 maj 2020, 12:01