Kërko

Papa: Zoti na shpëtoftë nga shpirti i botës, që e korrupton Kishën

Gjatë Meshës së sotme, kremtuar në Shën Martë, Papa kujtoi ata, që e kanë për detyrë të varrosin të vdekurit, në këtë kohë të pushtuar nga pandemia, duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Në homeli foli për shpirtin e botës, mendësinë e botës: kulturë e çastit, që nuk do t’ia dijë për besnikëri, nuk e duron dot Kryqin e dëshiron ta shkatërrojë Kishën: vetëm besimi në Krishtin e vdekur e të ngjallur e mund shpirtin e botës!

R. SH. - Vatikan

Françesku kryesoi Meshën në Shën Martë, në të shtunën e javës së pestë  të Pashkëve. Mendimi i parë i Papës ishte për ata, që kryejnë shërbimin  e varrosjes së të vdekurve:

“Të lutemi sot për njerëzit që merren me varrosjen e të vdekurve të kësaj pandemie. Është një nga veprat e mëshirës të varrosësh të vdekurit, e nuk është punë e këndshme, natyrisht! Të lutemi për ta, që rrezikojnë të infektohen e edhe të humbasin jetën”.

Në homeli Papa komentoi Ungjillin e sotëm (Gjn 15,18-21), në të cilin Jezusi u thotë dishepujve të vet: “Nëse bota ju urren, ta dini se para jush, më ka urryer mua. Po të ishit të botës, bota do gjithçka është e saja; por, meqë nuk jeni të botës, sepse ju zgjodha unë nga bota, prandaj bota ju urren”.

Jezusi - vijoi Françesku -  flet shumë herë për botën, flet për urrejtjen që ka ajo kundër Tij e kundër dishepujve të Tij. I kërkon Atit të mos i heqë dishepujt nga bota, por t’i mbrojë nga shpirti i botës! Po ç’është ky shpirt bote, që dëshiron ta korruptojë, ta prishë Kishën? Është një propozim jete, është mendësia e botës, kulturë jetëshkurtër, kalimtare, e çastit! Kultura e dëshirës për t’u dukur, e makijazhit. Kulturë me vlera të cekta. Që jeton vetëm një çast. Kulturë, që nuk e di ç’është besnikëria, sepse ndryshon sipas rrethanave, shkon nga fryn era, ndërron ngjyrën si kameleoni. Shet e blen gjithçka. Bën pazarllëk edhe me shpirtin. Është mënyrë jetese - pohoi Papa - edhe për disa, që bëjnë be e rrufe se janë të krishterë. Shqetësimet për botën ia marrin frymën fesë. Atë De Lubac - kujtoi Ati i Shenjtë - thoshte se shpirti i botës është e keqja më e madhe, që mund ta rrezikojë Kishën: shpirti i botës është një mënyrë e të jeturit të krishterimit. Mendësia e botës vret, sepse e urren fenë! Shpirti i botës hyn në të gjitha skajet e skutat. Edhe në Kishë, duke trukuar gjithçka. Shpirti i botës nuk mund ta durojë shkandullin e Kryqit; i vetmi ilaç kundër shpirtit të botës është Krishti i vdekur e i ngjallur për ne. Fitorja kundër botës, është besimi në Krishtin. E kjo nuk do të thotë të jesh fanatik, nuk do të thotë të mos e pranosh dialogun me të tjerët. T’i kërkojmë Shpirtit Shenjt - ishte lutja përfundimtare e Françeskut - hirin ta dallojmë shpirtin e botës nga Ungjilli, që të mos na gënjejë. E të mos harrojmë se bota e urren Jezusin e se Ai  i lutet Atit të na mbrojë nga shpirti i botës!

Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament dhe me bekimin eukaristik, duke i ftuar besimtarët të marrin Kungimin shpirtëror.

Në përfundim, lutja e Papës:

O Krishti im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë tani nuk mund të të marr sakramentalisht, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Të përqafoj njësoj si të kishe ardhur e bashkohem krejtësisht me Ty. Më ndihmo të mos ndahem kurrë prej Teje. Amen!”.

Para se Ati i Shenjtë të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

16 maj 2020, 09:06