Kërko

Vatican News

Papa: Zoti i ndihmoftë qeveritarët. Qofshin të bashkuar në këto çaste, për të mirën e popujve

Gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Françesku u lut për qeveritarët, që kanë përgjegjësinë të kujdesen për të mirën e popujve. Në homeli pohoi se në çastet e krizës duhet të jemi shumë të vendosur e ngulmues në bindjet e fesë! Nuk është ky, çasti për të bërë ndryshime: Zoti na dërgoftë Shpirtin Shenjt, që të na ndihmojë të jemi besnikë e na dhashtë forcë të mos e shesim fenë!

R. SH. - Vatikan

Françesku kryesoi sot, në Shtëpinë e Shën Martës, Meshën e së shtunës të javës së tretë të Pashkëve. E nisi kremtimin me një mendim kushtuar qeveritarëve:

“Të lutemi sot për qeveritarët, që kanë përgjegjësinë të kujdesen për të mirën e popujve të tyre, në këto çaste krize: për presidentët, kryeministrat, ligjvënësit, kryebashiakët, prefektët…Që Zoti t’i ndihmojë e t’u japë forcë, mbasi puna e tyre nuk është aspak e lehtë. E që, edhe kur të kenë mendime të ndryshme, ta kuptojnë se duhet të jenë të bashkuar, për të mirën e popullit, mbasi bashkimi vlen shumë më tepër se konflikti”.

Sot, e shtunë, 2 maj - vijoi të kujtojë Papa - bashkohen me ne në lutje  300 grupe lutjeje. Quhen “madrugadores”, që në spanjisht do të thotë “njerëz, të cilët çohen heret” për t’u lutur. Ata bashkohen me ne sot, në këtë çast.

Në homeli Papa komentoi leximet e sotme, duke u nisur nga fragmenti i shkëputur prej veprave të Apostujve (Vap 9,31-41) në të cilin lexojmë sesi bashkësia e parë e krishterë forcohej gjithnjë më shumë e, me ndihmën e Shpirtit Shenjt, shtohej në numër. Më pas kujtohen dy ngjarje, që kanë në qendër të vëmendjes Pjetrin: shërimi i një paralitiku në Lidda dhe ringjallja e dishepulles Tabita. Kisha - pohoi Papa - rritet në çastet e ngushëllimit. Por vijnë, pastaj, kohë persekutimesh, kohë krize, që u krijojnë vështirësi të mëdha besimtarëve. E këtë na e kujton Ungjilli i sotëm (Gjn 6,60-69), në të cilin, pas predikimit për bukën e gjallë të zbritur nga qielli,  domethënë, për korpin dhe gjakun e Krishtit, që të jep jetën e pasosur, shumë nga dishepujt e braktisin Jezusin, duke pohuar se fjala e Tij ishte tepër e vrazhdë. Jezusi e dinte se dishepujt mëmërisnin e, në këtë atmosferë krize, kujton se askush nuk mund të shkojë tek Ai, nëse nuk e tërheq vetë Ati. Çasti i krizës është çast i zgjedhjes. Të vë para vendimit, që duhet marrë. Edhe kjo pandemi është çast krize. Në Ungjill Jezusi i pyet dishepujt nëse edhe ata duan të ikin e të shkojnë në punë të vet. Atëhere Pjetri përgjigjet: “E ku të shkojmë, o Zot? Ti ke fjalët e jetës së pasosur e ne besuam e u bindëm se je Shenjti i Zotit!”. Pjetri nuk i kupton mirë fjalët që thotë Zoti. Nuk e di ç’do të thotë të hash korpin e të pish gjakun, por i beson fjalëve të Krishtit. Kjo - vijoi Françesku - na ndihmoftë t’i jetojmë këto çaste krize. Në çaste të tilla duhet të jemi shumë të vendosur në bindjet e fesë; është çasti për të ngulmuar, e jo për të ndryshuar; çasti i besnikërisë e i kthesës, jo i ikjes. Ne, besimtarët, duhet të mësohemi t’i jetojmë krishterisht si çastet e paqes, ashtu edhe çastet e krizës.

Zoti - u lut në përfundim Papa - na dikoftë Shpirtin Shenjt për të na ndihmuar t’u bëjmë ballë tundimeve në çastet e krizës e të jemi besimplotë, me shpresë se do t’i jetojmë më pas çastet e paqes, e sidomos, të na japë forcë “të mos e shesim fenë tonë”. Ashtu si bënë  ushtarët që ruanin varrin e Krishtit: e panë me sytë e tyre të vërtetën, por më pas e shitën sekretin! Nuk duhet të ngatërrohemi me histori të tilla, që janë tejet të rrezikshme. Pa harruar kurrë se çasti i krizës është çast, në të cilin zgjidhet rruga që do të ndjekim më pas. Ne, të krishterët, duhet të mësohemi t’i jetojmë mirë si kohët e  paqes, ashtu edhe kohët e krizës. Kur  shtegton mbi kalë e të duhet të kalosh lumin, mos gabo ta ndërrosh kalin  në mes të lumit!”. E mos gabo të ndërrosh bindje, në mes të krizës. Zoti na dërgoftë Shpirtin Shenjt, që të na ndihmojë për t’u bërë ballë tundimeve  në këto çaste”.

Mesha vijoi me kungimin shpirtëror e me lutjen e Papës.

Lutja e Papës:

“Tek këmbët tua, o Krishti im, përkulem e të ofroj pendimin e zemrës së thyer, thellësisht të penduar para pranisë Sate Shenjte. Të adhuroj në Eukaristi, në Sakramentin e dashurisë tënde! Dëshiroj të të marr nën strehën e varfër, që ta ofron zemra ime: në pritje të lumturisë së kungimit sakramentor, dua të të kem në shpirt. Eja tek unë, Jezus, që të mund të vij tek Ti. Dashuria jote e përflaktë gjithë qenien time, për jetë e vdekje. Besoj në Ty! Shpresoj në Ty! Të dua, Zoti im!”.

Papa e përfundoi kremtimin me adhurimin  dhe bekimin eukaritik.  Para se të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

02 maj 2020, 10:01