Kërko

Papa: zëri i Zotit na flet sot e na fton të bëjmë mirë

Figura e Krishtit, Bariut të Mirë, është në qendër të liturgjisë të kësaj së dieleje. Ungjilli i Gjonit e përshkruan plot kujdes e vëmendje ndaj deleve të veta. E ata ia njohin zërin, e dallojnë nga zëri i cubave! Papa Françesku, duke folur nga Biblioteka apostolike, shpjegoi si mund ta dallojmë, ndërmjet një mori zërash, zërin e Zotit. Në përfundim, u duk përsëri në dritaren e Engjëllit, mbi Sheshin e Shën Pjetrit, edhe sot bosh!

Sot është e Diela e IV e Pashkëve, kushtuar Jezusit, Bariut të Mirë - kujtoi Papa në fillim të lutjes së Mbretëreshës qiellore. - E Ungjilli na kujton se “Delet e dëgjojnë zërin e Zotit; ai e thërret secilën me emrin e vet (Gjn 10,3)”. Zoti na thërret edhe ne me emër, na thërret, sepse na do - pohoi Papa. - Por, siç na kujton Ungjilli, ka edhe zëra të tjerë, që na thërrasin e që nuk duhen dëgjuar: zërat e të huajve, të hajdutëve, të cubave, që duan t’i dëmtojnë delet.

Zëri i Zotit na çliron nga frika e hidhërimi

Papa u ndal pikërisht tek këto zëra, që ushtojnë edhe në shpirtin tonë. Ushton zëri i Zotit, që i flet ëmbëlsisht ndërgjegjes sonë, por edhe zëri  tundues, që na nxit të ecim në rrugën e së keqes. E si mund ta dallojmë zërin e bariut të mirë nga ai i hajdutit? Si, frymëzimin e Zotit, nga joshja e djallit? Si mund të mësojmë për t’i dalluar këta dy zëra? Duhet kujtuar se zërat flasin dy gjuhë të ndryshme, shprehen në dy mënyra të ndryshme! E kanë edhe mënyra të ndryshme për të trokitur në zemrën tonë!

 E keqja nuk ta jep paqen e dëshiruar

“Zëri i Zotit nuk të detyron kurrë: ai propozon, nuk  imponon. Ndërsa zëri i keq të josh. Të sulmon, ngjall iluzione verbuese, emocione ngashënjyese, por kalimtare. Në fillim të miklon, të bën të besosh se je i gjithëpushtetshëm, por më pas të lë me shpirt bosh e, madje, edhe të akuzon se nuk vlen fare, se s’je kurrkushi! Ndërsa zëri i Zotit na korrigjon me durim të pamasë. Zoti korrigjon, inkurajon, ngushëllon e ushqen gjithnjë shpresën”.

Edhe një ndryshim tjetër nënvizoi Papa në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kur Kisha kremton të Dielën e Bariut të Mirë:

“Zëri i armikut  të shkëput nga e tashmja e të nxit të kesh frikë nga ardhmja ose trishtim nga kujtimi i së kaluarës: të rikujton padrejtësitë e pësuara; njeriun, që të bëri keq, fyerjet, dështimet, nëpërkëmbjet e pamerituara!”.

 Ndërsa zëri i Zoti të flet për të tashmen. Të thotë:

“Sot mund të bësh mirë, mund të ushtrosh krijimtarinë e dashurisë, mund të heqësh dorë nga kujtimet e hidhura e nga  brerjet e ndërgjegjes, që  ta mbajnë zemrën të lidhur me pranga”.

Po ka edhe më - kujtoi Papa në vijim të Lutjes së Mbretëreshës Qiellore - dy zërat na ngjallin pyetje të ndryshme. Pyetja, që na vjen nga Zoti, është  “Çka më bën mirë?”. Ndërsa tunduesi të ngul në kokë një pyetje tjetër: “Çka më pëlqen këtë çast?”. Zëri i keq të nxit të rrotullohesh gjithnjë rreth vetes, rreth regëtimave tua, nevojave tua, prirjes për ta realizuar gjithçka e menjëherë. Ndërsa zëri i Zotit nuk premton kurrë gëzim që kushton pak:

“Zoti na fton të shkojmë përtej vetvetes, për të gjetur të mirën e vërtetë, paqen e shpirtit. Të mos harrojmë: e keqja nuk të jep kurrë paqe, të tërbon njëherë e, më pas, të mbush me hidhërim”.

E Papa vijoi t’u kujtojë besimtarëve dallimin e thellë ndërmjet zërit të Zotit e atij të tunduesit:

“Janë zëra, që flasin në mjedise të ndryshme: armikut i pëlqen errësira, falsiteti, përgojimi; Zoti don dritën e diellit, të vërtetën, transperencën e sinqertë. Armiku na pëshpërit në vesh: ‘Mbyllu brenda vetes! Mbyllu! Sepse askush nuk  të kupton. Nuk të dëgjon kush. Ndaj mos i beso askujt!’. Ndërsa e mira, përkundrazi, na fton ta hapim zemrën, të jemi të kulluar e plot besim në Zotin e në të tjerët”.

E Françesku porositi:

“Të dashur vëllezër e motra, në këtë kohë mendimet e shqetësimet e shumta na shtyjnë të mbyllemi në vetvete. T’i kushtojmë vëmendje zërave,  që i flasin zemrës sonë. Ta pyesim veten prej nga vijnë. Të kërkojmë hirin për ta njohur, për ta pranuar, për ta ndjekur zërin e Bariut të Mirë,  që na bën të dalim nga gjerdhet e egoizmit e na çon në kullotat e blerta, ku  na pret liria e vërtetë”.

Për Covid-19, Papa inkurajoi  bashkëpunimin  ndërkombëtar.

03 maj 2020, 13:28