Kërko

Papa: Uroj që Evropa të rritet e bashkuar në vëllazërim! Detyra e parë, të lutesh

Gjatë Meshës, kremtuar në Shën Martë, Françesku kujtoi dy përkujtime të kohëve të fundit: Festën e Evropës, që u kremtua dje dhe përvjetorin e përfundimit të Luftës II Botërore në Kontinentin e Vjetër.

R. SH. - Vatikan

Françesku kryesoi Meshën në Shtëpinë e Shën Martës, në të dielën e pestë të Pashkëve. Mendimi i parë, ai drejtuar Evropës:

“Në dy ditët e kaluara patëm dy përkujtime: 70-vjetorin e Deklaratës së Robert Schuman, që shënoi hapin e parë të Bashkimit Evropian dhe  përkujtimin e përfundimit të luftës. T’i kërkojmë sot Zotit për Evropën të rritet e bashkuar, me frymën e vëllazërimit, që i bën të gjithë popujt të zhvillohen në unitetin e larmisë!”.

Papa e përqendroi homelinë tek lutja. Komentoi Ungjillin e sotëm (Gjn 14,1-12) në të cilin Jezusi u kujton dishepujve të vet se kush beson në Të,  do të  bëjë veprat, që bën Ai vetë, madje edhe më të mëdha, sepse Ai po shkon tek Ati.

Ky fragment i Ungjillit - pohoi Françesku - është deklaratë e kthimit tek Ati. Ati ishte gjithnjë i pranishëm në jetën e Jezusit, e tani të duket si të hapte portën e gjithëpushtetit të lutjes: të atij besimi tek Ati, që është i aftë të bëjë gjithçka. Për t’u lutur duhet guxim, e po ai guxim duhet edhe për të predikuar. Abrahami dinte “të bënte pazarllëk” me Zotin. Kështu bënte  edhe Moisiu, me guxim. Kësaj i thonë të lutesh e të luftosh me Zotin - kujtoi Papa, e shtoi: “Të lutesh do të thotë të shkosh me Jezusin tek Ati, që do të të japë gjithçka”.

Më pas Françesku komentoi fragmentin e shkëputur nga Veprat e Apostujve (Vap 6,1-7), në të cilin flitet për konfliktin e kohëve të para të Kishës. Kujtoi se të krishterët me origjinë greke mërmërisnin kundër atyre me origjinë hebraike sepse vejushat e tyre, jetimët e tyre nuk trajtoheshin mirë. Qysh në atë kohë ia kishin nisur mërmërimën. Shihet se është adet në Kishë… mërmërisnin! Askush nuk kujdesej si duhej për ta: apostujt nuk kishin kohë për këtë. E Pjetri, i shndritur nga Shpirti Shenjt “shpik” diakonët për t’i ndihmuar këta njerëz. Shtatë vetë me fe të gjallë, do të kujdeseshin për këtë shërbim, në mënyrë që këta njerëz, të cilët ankoheshin me të drejtë, të ndihmoheshin në çastin kur kishin nevojë. Pjetri e mori këtë vendim, që Apostujt të mund t’i kushtoheshin lutjes e kumtimit të Fjalës së Zotit.

“Kjo – kujtoi Françesku -  është detyra e Ipeshkvit: të lutet e të predikojë! Me atë  forcë, që e dëgjuam nga Ungjilli: ipeshkvi është i pari që shkon tek Ati, me besimin që i dha Jezusi, me guxim, me parresi, domethënë, me lirinë që të thotë gjithçka, që të luftojë për popullin e vet. Detyra e parë e ipeshkvit, pra, është të lutet”.

Papa kujtoi një meshtar, “një famullitar shenjt, të mirë”, që kur takonte ndonjë ipeshkëv, i bënte gjithnjë të njëjtën pyetje: “Po, shkëlqesi, sa orë në ditë luteni?”. E shtonte “Sepse detyra e parë është të lutesh, apo jo?”. E bënte këtë pyetje, sepse është lutja e kreut të bashkësisë, për bashkësinë, ndërmjetësimi tek Ati, për ta ruajtur popullin”.

“Lutja e ipeshkvit!  Detyra e parë e tij është të lutet. E populli, duke e parë ipeshkvin që lutet, mëson edhe ai të lutet. Mbasi Shpirti Shenjt na mëson  se  është Zoti ai, që  i bën ‘gjërat’ në Kishë e se është pikërisht lutja, ajo që e çon përpara Kishën. Prandaj ipeshkvijtë duhet të shkojnë përpara me lutje”.

Kjo fjalë e Pjetrit është profetike. Që diakonët të kujdesen për njerëzit, për zgjidhjen e problemeve të tyre e për plotësimin e nevojave. Ndërsa ne, ipeshkvijtë, të lutemi e të kumtojmë Fjalën e Zotit.

“E trishtueshme - kujtoi në vijim Papa - të shikosh ipeshkvij të mirë, njerëz të mirë, që merren me gjithfarë telashesh, me ekonominë, me këtë e me atë…. Duke harruar se kryet e vendit duhet ta zërë lutja. Pastaj gjërat e tjera. Sepse kur gjërat e tjera zënë vendin e lutjes, diçka nuk funksionon. Mbasi lutja ka forcë të tundë malet! Na e kujton vetë Jezusi: “Unë po shkoj tek Ati, e gjithçka t’i kërkoni Atit në emër tim, do ta bëjë, që Ati të lumnohet”.

Kështu - përfundoi Papa - shkon përpara Kisha, me lutje, me guximin e lutjes, mbasi Kisha e di  se pa këtë nuk mund të jetojë!

Mesha vijoi me kungimin shpirtëror e me lutjen e Papës.

Lutja e Papës:

“Tek këmbët tua, o Krishti im, përkulem e të ofroj pendimin e zemrës së thyer, thellësisht të penduar para pranisë Sate Shenjte. Të adhuroj në Eukaristi, në Sakramentin e dashurisë tënde! Dëshiroj të të marr nën strehën e varfër, që ta ofron zemra ime: në pritje të lumturisë së kungimit sakramentor, dua të të kem në shpirt. Eja tek unë, Jezus, që të mund të vij tek Ti. Dashuria jote e përflaktë gjithë qenien time, për jetë e vdekje. Besoj në Ty! Shpresoj në Ty! Të dua, Zoti im!”.

Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin  dhe bekimin eukaritik.  Para se të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

10 maj 2020, 09:17