Kërko

 Papa Françesku në Shenjtëroren e Pompeit Papa Françesku në Shenjtëroren e Pompeit 

Papa: përmes Marisë, Zoti ka mëshirë për Kishën e botën mbarë

Populli i Zotit ia kushtoi gjithnjë Marisë muajin e majit, gjatë të cilit besimtarët luten e kremtojnë forma të ndryshme devocioni, që buruan në shekuj nga dashuria për Nënën e Krishtit. Papa Françesku e pohoi këtë gjatë përshëndetjeve, në përfundim të audiencës së përgjithshme, duke kujtuar posaçërisht, “Lutjen drejtuar Zojës Rruzare”, më 8 maj, në Pompei.

R. SH. - Vatikan

Tema e lutjes - “frymëmarrje e fesë”, ishte në qendër të katekizmit, në audiencën e sotme të përgjithshme të Papës Françesku. Ati i Shenjtë e përsëriti edhe para lutjes dhe bekimit përfundimtar. Më pas kujtoi se më 8 maj, në Shenjtëroren e Pompeit, do të lartohet përsëri, e sivjet me forcë të posaçme, “Lutja drejtuar Zojës Rruzare”. Prej këndej, ftesa:

“I nxis të gjithë të bashkohen shpirtërisht në këtë akt popullor feje e devocioni, në mënyrë që, me ndërmjetësimin e Virgjërës së Shenjtë, Zoti  të ketë mëshirë për Kishën e botën mbarë”.

Maji, Muaj i Marisë

Muajin maj - vijoi Papa gjatë përshëndetjes drejtuar besimtarëve të gjuhës italiane - devocioni popullor ia kushton prej shekujsh Nënës së Zotit. Ju nxis  t’ia besoni vetveten Asaj që, nën Kryq, na u dhurua si Nënë  - kujtoi.  

Së fundi, duke iu drejtuar posaçërisht të rinjve, pleqve, të sëmurëve e të sapomartuarve, porositi:

“Besojini mbrojtjes së Marisë e të jeni të sigurt se Ajo nuk do t’ju lërë pa ngushëllim në orën e provës. Zoti ju ruajtë e Zoja ju mbrojtët”.

Papa në Pompei

Në Shenjtëroren  e Pompeit nuk ka munguar prania e Papës Françesku. Ati i Shenjtë e vizitoi Shenjtëroren e njohur në mbarë botën më 21 mars të vitit 2015. Ishte Papa i katërt, që shkelte në këtë vend shenjt, aq të dashur për besimtarët.

Në këtë rast Françesku theksoi:

“E lutëm Zojen t’ju bekojë ju të gjithë, mua e mbarë botën. Kemi shumë nevojë për Zojen, që të na ruajë”.

Doemethënëse, këto fjalë, posaçërisht sot, kur kemi më shumë se kurrë nevojë për një dorë të fuqishme e cila, nga qielli, ta mbrojë tokën, që mban zi për mijëra bij të  saj, si pati mbajtur Maria, kur i Biri dha shpirt mbi kryq!

06 maj 2020, 13:28