Mesha e Rrëshajëve në Bazilikën e Shën Pjetrit Mesha e Rrëshajëve në Bazilikën e Shën Pjetrit 

Papa për Rrëshajë. Zoti është dhuratë: nuk merr, dhuron!

“Edhe në Kishën e sotme, si në atë të zanafillës, ka larmi, por fillesa e unitetit është Shpirti Shenjt”. Ky, mendimi që e përshkoi gjithë homelinë e mbajtur nga Papa në Meshën e Rrëshajëve, kryesuar në altarin e Katedrës, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në praninë e rreth pesëdhjetë vetëve, ulur në distancë, sipas normave kundër koronavirusit. Papa nxiti ta lëmë mënjanë tundimin e keq për t’i mbrojtur me shpatë zhveshur idetë tona e ta shikojmë Kishën ashtu si e bën Shpirtit Shenjt, jo si e bën bota!

R. SH. - Vatikan

Shpjegoi domethënien e Solemnitetit të Rrëshajëve Papa, në homelinë e mbajtur gjatë kremtimit të Meshës në këtë ditë solemne. Duke u nisur nga zanafilla e Kishës, nga Dita e Rrëshajve, kur Shpirti Shenjt zbriti mbi Apostujt. Pikërisht Apostujve ua kushtoi fjalët e para. Po kush ishin Apostujt: njerëz të thjeshtë, që jetonin me djersën e ballit, nga shtresa e rrethana të ndryshme. Kishin emra hebraikë e grekë, temperamente të qeta e të zjarrta. E shikonin botën me sy të ndryshëm! Jezusi nuk i ndryshoi, nuk i uniformoi. I la ashtu si ishin, plot larmi, për t’i bashkuar, më pas, duke i vajosur në Shpirtin Shenjt. Bashkimi nisi pikërisht me vajosjen, me Bagmin Shenjt! Me të Apostujt kuptuan forcën bashkuese të Shpirtit - kujtoi Papa në homelinë e Meshës mbajtur sot, në Solemnitetin e Rrëshajëve - për të thesksuar më pas:

“Ditën e Rrëshajëve Apostujt e kuptojnë forcën bashkuese të Shpirtit, e shikojnë me sytë e tyre, kur të gjithë, ndonëse me gjuhë të ndryshme, formojnë një popull të vetëm: popullin e Zotit, të plazmuar nga Shpirti Shenjt, që e end unitetin me larmitë tona e i jep harmoni, sepse është harmoni”.

 Po ne - kujtoi Papa, duke kaluar nga apostujt e parë, tek ata të ditëve tona - çka na bashkon? Mbi çka bazohet uniteti ynë? Edhe ne ndryshojmë. Kemi opinione, shije, ndjeshmëri të ndryshme. Tundohemi gjithnjë të mbrojmë me shpatë zhveshur idetë tona, duke besuar se janë më të mirat e i pranojmë vetëm ata, që mendojnë si ne. Kjo është fe, ashtu si e përfytyrojmë, si na pëlqen. Po Shpirti Shenjt na kujton se, mbi gjithçka, jemi Bij, që Zoti i do:

“Shpirti Shenjt vjen në ne ashtu siç jemi, me larmitë tona, me mjerimet tona, për të na kujtuar se kemi një Zot të vetëm, Jezusin, e edhe një Atë të vetëm, e se për këtë jemi vëllezër e motra. Pikërisht nga kjo duhet të nisemi e ta shikojmë Kishën ashtu si e bën Shpirti Shenjt, jo si e bën bota!”.

Në vijim Françesku, duke u rikthyer përsëri në Ditën e Rrëshajëve, kujtoi  veprat e para të Kishës, duke nisur nga kumtimi. Apostujt e parë e bëjnë pa menduar për ndonjë strategji. Pa plane baritore. Pa u mbyllur në çenakull, si në fole. Nisen përtej gardhit! E Shpirti Shenjt e garanton unitetin e atyre që kumtojnë, me një dëshirë të vetme: “Të japin, çka morën”. Po cili është sekreti i unitetit - pyeti në vijim Papa. - Sekreti është  dhurata. Sepse Ai është dhuratë, jeton duke dhuruar. Ka shumë rëndësi të kuptohet se Zoti është dhuratë, nuk jeton duke marrë, por duke dhuruar:

“Po të kishim në mendje një Zot që merr e imponohet, edhe ne do të synonim të marrim e të imponohemi. Por nëse kemi në zemër Zotin, që është dhuratë, gjithçka ndryshon. Nëse e kuptojmë se jemi dhurata e Tij, falas, e pamerituar, atëhere edhe ne dëshirojmë ta bëjmë jetën dhuratë. E duke u dashur përvujtërisht, duke shërbyer falas e me gëzim, i ofrojmë botës figurën e vërtetë të Zotit. Shpirti Shenjt, kujtesa e gjallë e Kishës, na kujton se u lindëm si dhuratë e rritemi duke u dhuruar!”.

Më pas Papa kujtoi se të dhurohesh nuk është aspak e lehtë. Dhurata ka tre armiq: “narcizimin, viktimizmin e pesimizmin”.

Narcismi na bën të adhurojmë vetëm vetveten! Viktimizmi, të mendojmë se nuk na kupton e as nuk na ndihmon askush, sepse në këtë botë të gjithë i bëjnë hyzmet vetëm vetvetes! E, së fundi, pesimizmi, që i shkreton shpresat, të nxit ta shikosh gjithçka të zezë e të mendosh se vetë jeta është krejt e kotë. Vetëm vuajtje, pa asnjë ngushëllim! E, atëhere, pse u dashka të dhurosh? Kur gjithçka vijon një lloj në shekuj të shekujve?

Prandaj kemi nevojë për Shpirtin Shenjt, dhuratë e Zotit, që na shëron  nga narcizizimi, viktimizmi e pesimizmi! Ta lusim, prandaj Shpirtin Shenjt, kujtesë e Zotit, ta gjallërojë në shpirtin tonë kujtimin e dhuratës, që morëm:

“O Shpirti Shenjt, çlirona nga paraliza e egoizmit e ndize në ne dëshirën të shërbejmë, të bëjmë mirë. Sepse më e keqe se kjo krizë, që po jetojmë, është vetëm drama e shpërdorimit, duke u mbyllur në vetvete. Eja, o Shpirti Shenjt: ti, që je harmoni, na bëj ndërtues të unitetit! Ti, që di vetëm të dhurosh, na e jep guximin të dalim nga vetvetja, të duhemi e të ndihmohemi, për t’u bërë një familje e vetme”.

31 maj 2020, 11:38