Kërko

1589468865375.jpg

Françesku: pandemia të mos e lërë në harresë dramën e të shpërngulurve

Mesazhi për Ditën e 106-të Botërore të Migrantëve dhe të Refugjatëve, që do të kremtohet më 27 shtator, i kushtohet “dramës shpesh të padukshme” të të shpërngulurve brenda vendit, në këtë kohë të përkeqësuar nga “kriza globale e shkaktuar nga pandemia Covid-19”.

R.SH. - Vatikan

Të mos harrohen personat e shpërngulur brenda vendit dhe “të gjithë ata, që po jetojnë përvojën e pasigurisë, të mënjanimit dhe të refuzimit, për shkak të Covid-19”. Kjo është thirrja me të cilën hapet Mesazhi i Papës për Ditën Botërore të Migrantëve dhe Refugjatëve, me titull: “Si Jezu Krishti, të detyruar të ikin”. Vlerësohet se të zhvendosurit brenda vendit janë mbi 50 milion në të gjithë botën. Luftrave, konflikteve dhe katastrofave të ambientit, këto kohë, u shtohet edhe pandemia e koronavirusit. E drama e këtyre njerëzve harrohet shpesh. Papa Françesku nënvizon se për shkak të emergjencës shëndetësore, “nismat e ndihmat urgjente ndërkombëtare, thelbësore për të shpëtuar jetë” janë tashmë, “në fund të axhendave politike kombëtare”. Por, “kjo nuk është koha e harresës”. “Kriza, që po përballojmë - lexohet në dokumentin, që ka shumë gjëra të përbashkëta me mesazhin ‘Urbi et Orbi’ të 12 prillit – të mos na bëjë të harrojmë shumë emergjenca të tjera, që mbartin vuajtjet e sa e sa njerëzve”.

Fytyra e Jezu Krishtit, në atë të refugjatëve

Kushtet tragjike në të cilat ndodhen të shpërngulurit e refugjatët, kujton Ati i Shenjtë, janë të njëjta me ato të Krishtit Fëmijë, në ikje nga Egjipti, së bashku me familjen. Çdo ditë, mjetet e komunikimit japin lajme për njerëz, që ikin nga lufta, nga uria e nga rreziqe të çdo lloji. “Në secilin prej tyre – nënvizon Papa Françesku – është i pranishëm Krishti, i detyruar, si në kohën e Herodit, të ikë për të shpëtuar”. Prandaj, në fytyrën e çdo të shpërnguluri, kemi rastin të shohim “Jezusin e uritur, të etur, të paveshur, të sëmurë, të huaj e të burgosur”. Është fjala për një sfidë baritore, që kërkon përgjigje sipas katër fjalëve, të cilat Ati i Shenjtë i pati theksuar edhe në Mesazhin e vitit 2018: mikpritje, mbrojtje, promovim dhe integrim. Kësaj radhe, duke kujtuar mësimet e Krishtit në Ungjill, Papa u shton edhe “gjashtë çifte foljesh, që kanë të bëjnë me veprime tejet konkrete, të lidhura ndërmjet tyre me marrëdhënie shkak-pasojë”.

6 çifte fjalësh për veprime konkrete

Migrantët e të shpërngulurit, kujton Papa Françesku nuk “janë numra, por njerëz! Nëse i takojmë do të arrijmë t’i njohim. E, duke i njohur historitë e tyre, do të arrijmë t’i kuptojmë”. Pra, duhet “t’i njohim për t’i kuptuar”, paraqet Bergoglio çiftin e parë të foljeve, duke shtuar menjëherë edhe të dytin. Duhet t’u afrohemi të shpërngulurve për t’u shërbyer atyre, pa frikë e paragjykime. “T’i afrohemi tjetrit – shkruan Ati i Shenjtë – shpesh, do të thotë të jemi gati për ndonjë rrezik, siç na kanë mësuar shumë mjekë dhe infermierë, gjatë muajve të fundit”. Në Mesazh, Papa nënvizon se “dashuria, ajo që pajton e shpëton, fillon me dëgjimin”. Në botën e sotme ka shumë mesazhe, por njerëzit e kanë humbur aftësinë për të dëgjuar. Gjatë këtyre muajve pandemie, vëren Françesku, heshtja kaploi rrugët e sheshet. Heshtje dramatike dhe shqetësuese, që, nga ana tjetër, “na dha mundësinë ta dëgjojmë britmën e më të brishtëve, edhe atë të të shpërngulurve e atë të planetit tonë, sëmurë rëndë”. Duke e dëgjuar, nxjerr në pah Papa një çift tjetër fjalësh të rëndësishme, kemi mundësinë të pajtohemi me tjetrin, me të mënjanuarit, më vetveten e me Zotin”. “Për t’u pajtuar, duhet të dëgjojmë”. E pastaj, duhet të mësojmë t’i ndajmë të mirat e këtij planeti me të tjerët, sepse vetëm kështu mund të zhvillohemi së bashku, pa përjashtuar askënd. Ati i Shenjtë përsërit edhe një herë frazën e njohur të lutjes së 27 marsit, në Sheshin e Shën Pjetrit bosh: “jemi të gjithë në të njëjtën barkë” e “askush nuk shpëton i vetëm”. “Për t’u zhvilluar, duhet të bashkëndajmë”. E dy çiftet e fundit të fjalëve, që Papa Françesku vë në dukje në Mesazhin për Migrantët e Refugjatët, janë: “të përfshijmë për të promovuar” dhe “të bashkëpunojmë për të ndërtuar”. Gjithnjë, me fraza nga lutja e 27 marsit, Ati i Shenjtë thekson se “duhet gjetur guximi për të hapur horizonte, për të cilat mund ta ndjejnë veten të thirrur të gjithë e, për të gjetur forma të reja mikpritjeje, vëllazërimi e solidariteti”. “Ndërtimi i Mbretërisë së Hyjit – shkruan Françesku – është impenjim i përbashkët i të gjithë të krishterëve, prandaj, duhet të mësojmë të bashkëpunojmë, pa u tunduar nga xhelozitë, mosmarrëveshjet dhe ndarjet”.

Lutja

Mesazhi për Ditën Botërore të Migrantëve dhe Refugjatëve përfundon me një lutje, që vë në dukje shembullin e Shën Jozefit, “kur u detyrua të ikte nga Egjipti për të shpëtuar Foshnjën Hyjnore”.

“O Atë, Ti ia besove Shën Jozefit ç’kishe më të çmuar: Krishtin Fëmijë dhe nënën e tij, për t’i mbrojtur nga rreziqet dhe kërcënimet e të pabesëve. Bëj që edhe ne të provojmë mbrojtjen dhe ndihmën e tij. Ai, që përjetoi vuajtjet e të ikurve, për shkak të urrejtjes së të pushtetshmëve, bëj o Zot, t’i ngushëllojë e t’i mbrojë të gjithë ata vëllezër e motra, që, të shtyrë nga lufta, varfëria dhe nevoja, ikin nga shtëpia dhe toka e tyre për të marrë rrugët si refugjatë drejt vendeve më të sigurta...”.

Dita Botërore e Migrantëve dhe e Refugjatëve 2020

Kisha Katolike e kremton Ditën Botërore të Migrantëve dhe Refugjatëve që nga viti 1914, të dielën e fundit të shtatorit. Ka qenë dhe është mundësi për të dëshmuar shqetësimin e saj për kategoritë e ndryshme të nevojtarëve në lëvizje, për t’u lutur që t’i përballojnë me sukses sfidat, si edhe për të sensibilizuar opinionin publik mbi mundësitë, që jep emigracioni. Këtë vit, kjo ditë do të kremtohet më 27 shtator.

15 maj 2020, 11:30