Kërko

Vatican News
 Mesha për Ditën Botërore Misionare 2019 Mesha për Ditën Botërore Misionare 2019 

Papa për Ditën botërore misionare: “Kjo kohë kërkon përgjigje nga Kisha”

“Ja ku jam, më dërgo mua!”. Ky është titulli i mesazhit të Papës Françesku për Ditën misionare botërore 2020, botuar sot, në solemnitetin e Rrëshajëve. Papa nënvizon lidhjen e ngushtë ndërmjet Shpirtit Shenjt dhe misionit të Kishës. E, në rrethanat e pandemisë, ende në vijim, kujton se njerëzimi është i thirrur ‘të vozitë së bashku’ e se Zoti dëshiron të arrijë tek të gjithë me dashurinë e tij, përmes secilit prej nesh.

R. SH. - Vatikan

Titullohet “Ja ku jam, më dërgo mua!”(Is 6,8) Mesazhi i Papës Françesku për Ditën Misionare Botërore. Nis me fjalë mirënjohjeje drejtuar Zotit për angazhimin me të cilin, tetorin e kaluar, u jetua në të gjithë Kishën Muaji Misionar i Jashtëzakonshëm, me temë: “Të pagëzuar e të dërguar: Kisha e Krishtit me mision në botë”.

Ndërsa në këtë vit të ngarkuar me vuajtje e sfida, shkaktuar nga pandemia e Covid 19 – kujton Papa në Mesazh - udha misionare e Kishës vijon në dritën  e fjalës, që e gjejmë në tregimin e Isaisë Profet kushtuar thirrjes: “Ja ku jam, më dërgo mua!”. E pikërisht kjo është përgjigjja, gjithnjë e re, që i jepet thirrjes. Përgjigje, e cila vjen nga zemra e Zotit.

Jeta njerëzore lind nga dashuria e Zotit, rritet në dashuri e priret drejt dashurisë. Askush nuk përjashtohet nga dashuria e Zotit e, në flijimin e shenjtë  të Jezusit Bir përmbi kryq, Ati e mundi mëkatin dhe vdekjen. Për Zotin e keqja - e deri vetë mëkati - bëhen sfidë për të dashur, e për të dashur gjithnjë më shumë. Prandaj Misteri i Pashkëve, mëshira hyjnore, e shëron plagën e zanafillës së njerëzimit. Kisha, sakrament universal i dashurisë së Zotit për botën, vijon në histori misionin e Jezusit e na dërgon në të katër anët e botës që, përmes dëshmisë sonë të fesë e kumtimit të Ungjillit, Zoti ta tregojë përsëri dashurinë e Tij e të mund t’i prekë e t’i shndërrojë zemrat, mendjet, trupat, shoqëritë, kulturat në çdo vend e në çdo kohë. Këtë thekson Papa në Mesazhin për Ditën Misionare Botërore, për t’u kujtuar të gjithëve se:

“Misioni është përgjigjja, e lirë dhe e vetëdijshme, që i jepet thirrjes së Zotit. Por këtë thirrje mund ta dëgjojmë vetëm kur jetojmë në lidhje personale dashurie me Jezusin e gjallë, në Kishën e Tij. Të gatshëm për t’iu përgjigjur Zotit: ‘Ja ku jam, o Zot, dërgomë mua!’. E këtë, jo në mënyrë abstrakte, po në të sotmen e Kishës e të historisë”.

Po si mund ta kuptojmë çka na kërkon Zoti?

Të kuptosh çfarë po na thotë Zoti në këtë kohë pandemie bëhet sfidë edhe për misionin e Kishës. Sëmundja, vuajtja, frika, izolimi kërkojnë përgjigje. Varfëria e njeriut, që vdes i vetmuar, që braktiset, që humbet punën e pagën, e atij që nuk ka strehë as bukë, kërkon përgjigje. Përgjigje na kërkojnë vëllezërit nevojtarë e edhe mbarë gjithësia- shkruan Papa në mesazh.

Të marrësh pjesë aktivisht në misionin e Jezusit e të Kishës së Tij

Të kremtosh Ditën Misionare Botërore do të thotë edhe të ripohosh se lutja, reflektimi dhe ndihma materiale e  lëmoshëve,  janë mundësi për të marrë pjesë aktivisht në misionin e Jezusit e të Kishës së Tij. Lëmoshët, që mblidhen në të dielën e tretë të tetorit, kanë për qëllim të mbështesin, në emrin tim - kujton në përfundim Papa - punën e Veprave Papnore Misionare, që të mund t’u përgjigjen nevojave shpirtërore e materiale të popujve e të Kishave të mbarë botës, për shëlbimin e të gjithëve.

31 maj 2020, 13:35