Kërko

Papa: paqja qoftë në familjet e uniteti në Kishë!

Gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Françesku kujtoi familjet e mbyllura në shtëpi për shkak të pandemisë e u lut të mos ketë dhunë, por paqe, durim, krijimtari. Në homeli, kujtoi se Krishti dëshiron unitetin e Kishës, ndaj duhet ta mundim tundimin e ndarjeve!

R. SH. - Vatikan

Françesku kremtoi sot, në Shën Martë, Meshën e së hënës të Javës së katërt të Pashkëve. E nisi, si zakonisht, me një lutje kushtuar familjeve:

“Të lutemi sot për familjet: në këtë kohë karantine, familja, e mbyllur në shtëpi, kërkon të bëjë shumë gjëra të reja me frymë krijuese për fëmijët, për të gjithë, për të shkuar përpara. Pa harruar se është edhe një gjë tjetër: dhuna shtëpiake.Të lutemi për familjet, që ta vijojnë në paqe, me krijimtari e durim, këtë kohë karantine”.

Në homeli Papa kometoi fragmentin e sotëm nga Veprat e Apostujve (Vap 11,1-18), në të cilin Pjetri, i qortuar nga vëllezërit, akoma të lidhur me ligjet e Moisiut, pse kishte ngrënë në një shtëpi paganësh, tregon se Shpirti Shenjt kishte zbritur edhe mbi ta. Pjetri kishte shkuar e kishte ngrënë ndër paganë - kujtoi Papa - sepse i kishte prirë vetë Shpirti Shenjt. Por në Kishë nuk mungon kurrë kjo prirje për ta mbajtur veten të drejtë, e të tjerët,  mëkatarë, të dënuar. Kjo është një nga sëmundjet e Kishës, që lind nga ideologjitë. Është prirje për t’iu përshtatur mendësisë së botës, që interpreton ligjin. Janë ide, që krijojnë përçarje deri në atë pikë, sa përçarja bëhet më e rëndësishme se uniteti. Sepse, duke ndjekur mendësinë e botës, ideja ime është më e rëndësishme edhe se ajo e Shpirtit Shenjt, që na prin! Po Zoti dëshiron unitet. Në Ungjill (Gjn 10,11-18), Jezusi pohon se ka edhe dele të tjera, që nuk vijnë nga kjo vathë e se duhet t’u prijë edhe atyre. Ato do ta dëgjojnë zërin e  tij e do të bëhen një grigjë e vetme, me një bari të vetëm. Krishti na kujton se është bariu i të gjithëve: i të mëdhenjve e i të vegjëlve, i të pasurve e i të varfërve, i të mirëve e i të këqijve. Ai erdhi për të gjithë, e vdiq për të gjithë. Edhe për njerëzit, që nuk besojnë në Të, e edhe për ata të feve të tjera: erdhi për të gjithë! Kemi një Shëlbues të vetëm. Edhe pse vijojmë të tundohemi e të themi: unë jam me këtë krah e unë me tjetrin! Larmitë janë të ligjshme, por kur nuk e cënojnë unitetin e Kishës. Të gjithë kemi një bari të vetëm, Jezusin. Zoti – u lut në përfundim Papa - na çliroftë nga psikologjia e përçarjeve e na bëftë të shikojmë se jemi të gjithë vëllezër në Krishtin!

Papa  Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament dhe me bekimin eukaristik, duke i ftuar besimtarët të marrin Kungimin shpirtëror. Në përfundim, lutja e Papës:

O Krishti im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë tani nuk mund të të marr sakramentalisht, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Të përqafoj njësoj si të kishe ardhur e bashkohem krejtësisht me Ty. Më ndihmo të mos ndahem kurrë prej Teje. Amen!”.

Para se Ati i Shenjtë të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

04 maj 2020, 09:09