Kërko

 Papa gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore Papa gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore 

Papa në Mbretëreshën Qiellore: “Shpirti Shenjt i ndriçoftë e i forcoftë hapat tanë”

Të ecim nëpër jetë përmes gëzimeve e dhimbjeve, duke vijuar gjithnjë rrugën e Jezusit, rrugën e dashurisë së anasjelltë, pa interes, që nuk gjykon, po di të falë. Me forcën e Shpirtit Shenjt mund ta bëjmë këtë! Kështu u shpreh Papa në reflektimin para lutjes së Mbretëreshës Qiellore, kremtuar edhe një herë nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, në pritje të rifillimit të kremtimeve me praninë e popullit të besimtarëve.

R. SH. - Vatikan

Është e Diela VI e Pashkëve, e fundmja që, në Itali, kremtohet me Kishat bosh, pa popull, por sigurisht jo pa dashurinë e Zotit, për të cilën flet sot Ungjilli i Gjonit, në Kapitullin 14, 15-21. E pikërisht me dy mesazhe themelore, që buronin nga Ungjilli i kësaj së dieleje (krh Gjn 14,15-21) e nisi edhe Papa lutjen e Mbretëreshës Qiellore: me mesazhin e zbatimit të urdhërimeve dhe atë të premtimit të Shpirtit Shenjt.

Dashuria e Jezusit dhe zbatimi i Urdhërimeve

Jezusi - kujtoi Papa -  e lidh dashurinë për Të me zbatimin e urdhërimeve, e mbi këtë ngulmon fort gjatë fjalëve të lamtumirës:

“Nëse më doni, do t’i zbatoni urdhërimet e mia “(v15). Kush i pranon  urdhërimet e mia dhe i vë në jetë, ky është ai, që më do” (v 21).

Jezusi - kujtoi Papa - na kërkon ta duam, por edhe na shpjegon se kjo dashuri nuk mbaron vetëm duke e dëshiruar Zotin. Ose vetëm duke e dashur! Jo, kërkon gatishmëri për të ndjekur rrugën e tij, domethënë për të bërë vullnetin e Atit. E kjo përmblidhet në Urdhërimin e dashurisë reciproke, që na e dha vetë Jezusi: “Ashtu si ju desha unë ju, kështu duhet ta doni edhe ju njëri-tjetrin” (Gjn 13-34). Nuk thotë: ‘Më doni, si ju desha”, por “duajeni njëri tjetrin, si ju desha unë’. Ai na do, pa kërkuar kurrfarë shpërblimi, e do që po kjo dashuri pa shpërblim të bëhet formë konkrete e jetës ndërmjet nesh: ky është vullneti i Tij!

Shpirti Shenjt na ndihmon të ecim në rrugën e Jezusit

Për t’i ndihmuar dishepujt të ecin në këtë rrugë - vijoi të kujtojë Papa gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore - Jezusi  premton se do t’i lutet Atit të dërgojë  “një tjetër Ngushëllues, një Mbrojtës tjetër”, që do të zërë vendin e Tij e do t’u japë atyre mend për t’i kuptuar e guxim për t’i vënë në jetë fjalët e Tij. Ky është Shpirti Shenjt, dhuratë e dashurisë së Zotit, që zbret në zemrën e të krishterit. Pasi Jezusi vdiq e u ngjall, ua dhuroi dashurinë e  Tij të gjithë atyre, të cilët u pagëzuan në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit Shenjt:

“Vetë Shpirti Shenjt u prin, i shndrit, i forcon, që secili të mund të ecë në jetë edhe përmes vështirësive. Të mbahet fort në këmbë, në gëzim e në vaj, duke ecur gjithnjë në rrugën e Krishtit. Kjo mund të bëhet e mundur vetëm nëse i bindemi Shpirtit Shenjt në mënyrë që, me pushtetin e  tij veprues të mundë jo vetëm t’i ngushëllojë, por edhe t’i shndërrojë zemrat, t’i hapë, për të pranuar të vërtetën dhe dashurinë”.

Shpirti Shenjt na ndihmon të mos dorëzohemi

Përballë përvojës së gabimit e të mëkatit - vijoi Ati i Shenjtë - nga e cila nuk shpëton askush, Shpirti Shenjt na ndihmon të mos dorëzohemi, t’i pranojmë e t’i jetojmë plotësisht fjalët e Jezusit: “Po të më doni, zbatojini urdhërimet e mia!”(V5). Urdhërimet nuk na u dhanë si një lloj pasqyre, për të parë të pasqyruara në të mjerimet e luhatjet tona. Jo! Fjala e Zotit na u dha si fjalë jete - theksoi Papa në vijim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore -  Fjalë që shndërron, që përtërin, që nuk gjykon për të dënuar, por shëron e ka si qëllim përfundimtar faljen!

Fjala e Zoti, jetë e dritë për hapat tanë

Kjo Fjalë, është dritë për hapat tanë. E gjithë kjo është vepër e Shpirtit Shenjt! Ai është dhuratë e Zotit, është vetë Zot, që na ndihmon të jemi njerëz të lirë, njerëz që duan e dinë të duan, njerëz që e kanë kuptuar se jeta është mision për të kumtuar mrekullitë e Zotit në njeriun, i cili beson në Të.

Në përfundim Françesku iu drejtua Zojës së Bekuar, model i Kishës, që di të dëgjojë Fjalën e Zotit e ta pranojë dhuratën e Shpirtit Shenjt – me lutjen:

“Na ndihmo të mbështetemi nga Shpirti Shenjt, zjarr hyjnor, që i ngroh zemrat tona  e i shndrit hapat tanë!”.

17 maj 2020, 13:05