1590340676488.jpg

Papa, meshtarëve të Romës: gjatë stuhisë, nuk e braktisët grigjën

Në një letër për klerin e Romës, Papa Françesku kujton plagët e shumta, shkaktuar nga pandemia, por meshtarët, thekson, nuk kanë ndenjur duarkyq, duke parë nga dritarja ç’bëhej jashtë. Shumë prej tyre i kanë shkruar e telefonuar, duke i dhënë lajme të dorës së parë, edhe për ndihmën e tyre në përballimin e pandemisë së koronavirusit.

R.SH. - Vatikan

Ipeshkvi i Romës u shkruan një letër meshtarëve të vet, barinjve të Popullit të Zotit, që prekën me dorë dhimbjen e njerëzve, shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Papa Françesku përshkruan këtë krizë të paparashikuar, që çdo ditë shoqërohej nga numra, përqindje, statistika, por edhe nga “emra, fytyra, histori”. “Si bashkësi meshtarake – thekson Ati i Shenjtë – nuk kemi qenë të huaj për këtë realitet e nuk kemi ndenjur duke parë nga dritarja; zhytur në stuhinë që tërbohej furishëm, ju gjetët rrugë për të qenë të pranishëm e për t’i shoqëruar bashkësitë tuaja: patë se po vinte ujku e nuk ikët, as e braktisët grigjën”.

U përforcua ndjenja e përkatësisë

Papa Françesku do të kishte dashur të takohej me klerin romak në periudhën e Pashkëve e të kremtonte me të Meshën Krizmale, por kjo nuk qe e mundur, prandaj vendosi t’i flasë secilit me këtë letër. Ati i Shenjtë përshkon emocionet dhe ndjesitë e këtyre muajve të pandemisë, bashkë me shqetësimet e përjetuara nga meshtarët, që u qëndruan pranë besimtarëve. “Gjatë kësaj kohe pandemie, shumë prej jush më treguan, me email ose telefon, ç’donte të thoshte kjo gjendje e paparashikuar dhe alarmuese. Kështu, edhe pse s’mund të dilja e të kisha kontakte të drejtpërdrejta, më dhatë mundësinë të merrja lajme të “dorës së parë” për ç’po përjetonit”, shkruan Bergoglio. Secili prej meshtarëve pa njerëz, që humbën jetën, familjarë, famullitarë, pika referimi për bashkësinë e krishterë; nuk mundi të shoqëronte të vdekurit (as ai e as familjarët); përjetoi pasigurinë dhe frikën e atyre, që humbën punën e toruan, konfuzionin e atij, që deri dje jetonte mirë e papritmas e shihte veten në radhë për një pjatë në mencën e Karitasit… E të gjithë së bashku, nënvizon Papa, përjetuam “orën e lotëve të Zotit”.

Si dishepujt e djeshëm

          Duke bërë një paralelizëm me bashkësinë e parë të krishterë dhe me gjendjen e apostujve e të dishepujve pas Pashkëve, kur Krishti i qetësoi duke u dhënë paqen, Papa shkruan: “Çdo kohë është e përshtatshme për kumtin e paqes, asnjë rrethanë nuk është pa hirin e saj. Prania e Krishtit në mes të izolimit dhe të mungesës së imponuar kumton, si për dishepujt e djeshëm, ashtu edhe për ne sot, një ditë të re, në gjendje ta vërë në diskutim palëvizshmërinë dhe dorëzimin, për të mobilizuar të gjitha dhuratat hyjnore në shërbim të bashkësisë. Me praninë e Krishtit, izolimi u bë i frytshëm, duke i dhënë jetë një bashkësie të re apostolike”.

Tundime për t’u luftuar

          Në këtë situatë, Ati i Shenjtë mendon se duhen luftuar disa tundime: “Dëshirojmë ta marrim përsipër ndershmërisht këtë gjendje të rëndë, por përpiqemi ta zgjidhim vetëm me veprimtari zëvendësuese, ose paliative, në pritje që gjithçka të kthehet në ‘normalitet’, duke injoruar plagët e thella dhe numrin e njerëzve, që ndërkaq, kanë rënë [në betejë]; deri në atë pikë sa të mbetemi zhytur në një lloj nostalgjie paralizuese për të kaluarën e afërt, e cila na bën të themi ‘asgjë s’do të jetë më si më parë’, duke mos na lënë t’i ftojmë të tjerët të ëndërrojnë e të përvijojnë udhë të reja e mënyra të reja jetese”.

Koha e Zotit

          Gjithçka e ndryshon feja, nënvizon Papa, e cila “na jep një imagjinatë realiste dhe krijuese, në gjendje të braktisë logjikën e përsëritjes, të zëvendësimit e të ruajtjes me çdo kusht; na fton të krijojmë një kohë gjithnjë të re: kohën e Zotit… Nëse diçka e paprekshme është në gjendje të prishë dhe të përmbysë përparësitë dhe agjendat globale, në dukje të patundura, që i mbysin dhe i shkatërrojnë bashkësitë dhe motrën tonë Tokë, të mos kemi frikë nga prania e të Ringjallurit e ta lejojmë të na përvijojë udhën, të hapë horizonte dhe të na japë guximin për ta jetuar këtë çast historik të veçantë”.

Të mësojmë nga forca e Popullit besnik të Zotit

          Papa u kërkon meshtarëve të Romës të befasohen “edhe nga populli ynë besnik e i thjeshtë, kaq i sprovuar e i vuajtur, por edhe i vizituar nga mëshira e Hyjit. Ky popull – uron Françesku – na mësoftë ta plazmojmë dhe ta farkëtojmë zemrën tonë prej bariu me butësi e dhembshuri, me përvujtërinë e shpirtmadhësinë e rezistencës aktive, solidare, plot durim e guxim, që nuk qëndron indiferente, por përgënjeshtron e i çjerr maskën çdo skepticizmi dhe fatalizmi. Sa shumë mund të mësojmë nga forca e Popullit besnik të Zotit, që e gjen gjithnjë mënyrën për ta ndihmuar e për ta shoqëruar atë, që ka rënë!”

Përgjegjësia për të ardhmen

          Detyra, që u jep Papa meshtarëve është “të marrin përsipër përgjegjësinë për të ardhmen”, e cila duhet përballuar si të ishim të gjithë vëllezër. “Le të marrim pjesë me Jezusin në mundimet e Tij – përfundon letrën Ati i Shenjtë – në mundimet tona, për të jetuar me Të forcën e ringjalljes: siguri e dashurisë së Zotit, e aftë të prekë thellë zemrat e të na bëjë të dalim në udhëkryqe për të ndarë Lajmin e Mirë me të varfërit, për t’u kumtuar lirinë të burgosurve dhe shikimin të verbërve, për t’u dhënë lirinë të shtypurve e për të shpallur një vit të hirit të Zotit (shih Lk 4,18-19), me gëzimin se të gjithë mund të marrin pjesë aktivisht, me dinjitetin e bijve të Hyjit të gjallë”. Gjithçka ndodhi, thekson Papa, të shërbejë për “të dashur e për të shërbyer më shumë”.

          Letra mban datën e Rrëshajëve dhe nënshkruhet “nga Shën Gjoni në Lateran”.

30 maj 2020, 23:05