Papa: lutja i vë pritë së keqes e mund të shkruajë një fat tjetër

Në audiencën e përgjithshme, Françesku, duke kujtuar kapitujt e parë të Librit të Zanafillës, pohoi se ndërsa e keqja përhapet si njolla e vajit, lutja e të drejtëve është e aftë të rikthejë shpresën dhe jetën!

R. SH. - Vatikan

Papa ia kushtoi katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, lutjes së të drejtëve.

Etja për pushtet nis që me njerëzit e parë

Kujtoi se plani i Zotit për njerëzimin është i drejtë, por në jetën tonë të përditshme na zë gjithnjë pritë e keqja. Ajo e keqe, që e takojmë që në Kapitullin e parë të Librit të Zanafillës. Adami dhe Eva (krh Zan 3,1-7), nisin të dyshojnë në ndjetin e mirë të Zotit, mendojnë se kanë të bëjnë me një hyjni ziliqare, që nuk do t’i shikojë të lum. Prej këndej, lind rebelimi i parë - kujtoi Ati i Shenjtë - nuk besojnë më në Krijuesin bujar, që dëshiron për ta veç lumturinë. Zemra e tyre - vijoi të shpjegojë Papa - e tunduar nga Djalli, pushtohet nga dalldia e gjithëpushtetit. E nisin e mendojnë: “Nëse e hamë frytin e pemës, do të bëhemi si Zoti!”. Po  ndodh sakaq e kundërta - kujtoi Françesku, duke ndjekur rrëfimin biblik. - Sytë e tyre hapen dhe e shohin veten krejt lakuriq!

E keqja thellohet në brezninë e dytë njerëzore

E keqja bëhet edhe më shkatrrimtare në brezninë e dytë njerëzore: në skenën e njerëzimit nis menjëherë tragjedia e parë, ajo e vëllavrasjes. Duken Kaini e Abeli. Kaini e ka zili të vëllain. Si djali i madh, që është duhet ta dojë e ta mbrojë të voglin. Ndërsa e shikon si kundërshtar, që synon t’i marrë parinë. Në zemër të Kainit lind zilia e ai nuk është më në gjendje t’i vërë fre. E kështu historia e vëllezërve të parë përfundon me vëllavrasje.

Arte e dhunë

Pasardhësit e Kainit zhvillojnë mjeshtritë dhe artet, por edhe dhunën, e cila gjen shprehjen në këngën e Lamekut, që tingëllon si himn i hakmarrjes: “Po, unë vrava një njeri, sepse më gërvishti, edhe një tjetër, sepse më kërcënoi me grusht. Shtatë herë do të ahmerret Kaini; Lameku, shtatëdhjetë herë shtatë”. (Zan 4,23-24). E kështu e keqja u përhap si njolla e vajit, aq sa pushtoi gjithë hapësirën. E Zoti e pa se ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë e edhe se gjithçka ndrynin në zemër, nuk ishte tjetër, veçse e keqja, gjithnjë! Afresket e mëdha të përmbytjes universale e të Kullës së Babelit – shpjegoi - e tregojnë qartë se ndjehet fuqimisht nevoja për një krijim të ri,  që do të përmbushet në Krishtin.

Në Bibël shkruhet edhe një histori tjetër

Por nuk duhet harruar se në faqet e para të Biblës shkruhet edhe një histori tjetër - vijoi të kujtonte Ati i Shenjtë në katekizmin e audiencës së përgjithshme. - Është më pak e dukshme, më e përvuajtur e më e devoçme. Përfaqëson shpërblimin e shpresën. Edhe pse gati të gjithë sillen në mënyrë  mizore, duke e bërë urrejtjen e pushtimin forcë lëvizëse të jetës njerëzore, ka edhe njerëz  të aftë për t’iu lutur Zotit, të aftë për ta shkruar ndryshe fatin e njeriut. Abeli i ofron Zotit flijen e prodhimeve të para. Pas  vdekjes së tij, Adami e Eva patën një djalë tjetër, Setin, nga i cili lindi Enosi (që do të thotë “i vdekshëm) e nisi të thuhet: “Në këtë kohë njerëzit filluan përsëri t’i luten Zotit” . Më pas duket Enoku, “njeri që eci me Zotin” e që u rrëmbye në qiell. E, së fundi, njhemi me historinë e Noehit, njeriut të drejtë, që ecte gjithnjë me Zotin e që e shpëtoi njerëzimin nga zhdukja.

Lutja, streha e njeriut

“Duke lexuar këto rrëfime, të krijohet përshtypja se lutja është prita, streha e njeriut, përballë dallgës së fuqishme të së keqes, që vijon të rritet në botë. Po ta shikosh punën mirë, vërejmë se shpesh i lutemi Zotit të na shpëtojë nga vetvetja: ‘O Zot, të lutem, më shpëto nga ambicjet e mia, nga pasionet!  Shpëtomë, o Zot, nga vetvetja!”.

Njerëzit që luten në faqet e para të Shkrimit Shenjt, janë punëtorë të paqes e na kujtojnë se kur lutja është e vërtetë, të çliron nga instinktet e dhunës e është shikim drejtuar kah Zoti, që të kthehet Ai vetë e të kujdeset për zemrën e njeriut. Lexojmë në Katekizëm: “Kjo cilësi e lutjes jetohet nga një shumicë e madhe të drejtësh në të gjitha fetë” (KKK, 2569):

“Lutja kultivon lehe rilindjeje në viset ku njeriu ishte i aftë të zgjerojë vetëm thatësirën e shkretëtirës. Ja pra, pse sundimi i Zotit kalon nëpër zinxhirin e këtyre burrave e grave, shpesh të pakuptuar e të mënjanuar në botë. Po bota jeton e rritet falë forcës së Zotit, të cilën këta shërbëtorë e tërheqin me lutjen e tyre. Janë zinxhir pa kurrfarë zhurme, që rrallë herë lartohet në nderimet e kronikës, e pra është me rëndësi të dorës së parë për t’ia rikthyer besimin botës!”.

Lutja është zinxhir jete - kujtoi Papa- duke pohuar se ata që luten, mbjellin jetën. Edhe nëse marrin rrugë tjetër, kjo “farë jete” u mbetet në shpirt e me të, edhe dialogu me Zotin!

Lidhur me këtë Papa, duke folur lirisht, kujtoi një kryeministër të së kaluarës, që ishte  ateist, por në zemër të vet i kish mbetur kujtimi i lutjes, që ia pati mësuar e gjyshja. Kujtim që iu rikthye  në një çast të vështirë të jetës aq, sa rigjeti Jezusin:

“Hyji kaloi gjithnjë, për “pjesën tjetër të njerëzimit”, përmes atyre, që nuk  e pranuan ligjin e më të fortit, por i kërkuan Zotit t’i bëjë mrekullitë e tij, e, sidomos, ta shndërrojë zemrën tonë prej guri, në zemër njerëzore”.    

27 maj 2020, 12:46