Papa: lutja hap portën e shpresës
R. SH. - Vatikan
“Lutja, forca e parë e shpresës. Lutja, të hap portën për të takuar Zotin! Kush lutet, e di se kjo jetë, pavarësisht nga provat, është plot me hir mrekullues”. Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa vijoi katekizmin kushtuar lutjes, duke medituar mbi misterin e Krijimit. Në jetë - kujtoi që në fillim të audiencës, e dhjeta pa praninë e besimtarëve, në kornizën e zakonshme të Bibliotekës së Pallatit Apostolik, për të kufizuar rreziqet, që vijojnë të burojnë nga pandemia - vetëm fakti që jeton, e nxit njeriun të lutet, ia hap zemrën, për të kundruar Zotin.
Libri i Zanafillës, himn i madh falënderimi
Në etapën e tretë të meditimeve të tij kushtuar lutjes, Papa u ndalua tek misteri i krijimit. E shfletoi faqen e parë të Biblës që - kujtoi - i përngjet një himni të madh falënderimi. Rrëfimi mbi krijimin - vijoi - ritmohet me kthesa, në të cilat pohohet ëmbëlsisht mirësia dhe bukuria e çdo gjëje, që ekziston mbi dhe. Zoti, me fjalën e Tij, i thërret në jetë të gjitha sendet! I thërret, e ata nisin të jetojnë. Me fjalën e Tij, Zoti ndan dritën nga errësira, e shndërron ditën në natë e natën në ditë, ndërron stinët, hap tavolocin e ngjyrave me variacionin e pafundmë të bimëve e të kafshëve. Në këtë pyll tejet të dendur, që e mund rrufeshëm kaosin, më në fund duket edhe njeriu. E kjo dukje - kujtoi Papa në katekizmin e audiencës së përgjithshme - shkakton shpërthimin e haresë, që përhap kudo kënaqësi e gëzim. “Zoti e pa atë, që kish bërë dhe ja, ishte gjë e mirë”- citoi Papa Librin e Zanafillës (Zan 1,31).
Bukuria dhe misteri i krijimit bëjnë që në zemrën e njeriut të lindë lutja - kujtoi - për të cituar, më pas, Psalmin e 8-të:
“Kur kundroj qiejt, vepër e duarve tua,/ kur sodis hënë e yje,/ që Ti i ngule në qiell/ mendoj: “Njeriu çka është, që ty në mend të bjerë?/ E i biri i njeriut, që ti ta kesh kujdes?”. (vv 4-5).
Lutja është mahnitje, përballë madhështisë së Zotit
E në gjithë këtë hapësirë - pyeti Papa, duke vijuar, gjatë audiencës së përgjithshme rileximin e Librit të Zanafillës - çfarë është njeriu, që ti ta kujtosh? Kundron misterin e jetës rreth vetes, shikon qiellin e qindisur me yje, që i shtrihet përmbi kokë - e që astrofizika na e shpalos sot me gjithë pafundësinë e tij - e nis e pyet veten çfarë misteri dashurie fshihet pas një vepre kaq të fuqishme!...Në këtë hapësirë të pafundme, njeriu i vdekshëm është krijesë e brishtë, por edhe e pashoqe në të gjithë universin. E edhe “i vetëdijshëm për gjithë këtë bukuri të pafundme”:
“Lutja e njeriut lidhet ngushtë me ndjenjën e mahnitjes. Madhështia e njeriut është pafund e pa cak, nëse lidhet me përmasën e universit. Fitoret e tij më të mëdha duken si të ishin asgjë… Por njeriu nuk është asgjë! Në lutje pohohet e papërmbajtshme ndjenja e mëshirës”.
Përballë qiellit plot yje, shkëndija e falënderimit
Asgjë - shpjegoi akoma Papa - nuk ekziston rastësisht! “E në univers ne, qeniet njerëzore – na kujton Psalmisti - jemi bërë gati si të ishim Zoti – “që e krijoi njeriun si engjëll, me nder e lumni e kurorëzoi, pushtet i dha mbi vepra të duarve të tija, gjithçka atij ia vuri për nën këmbë!”. Lidhja me Zotin - nënvizoi Françesku - është madhështia e Njeriut. Për natyrë – vijoi - jemi pothuajse hiç gjë, por për thirrje jemi bijtë e Mbretit të madh!”. Shumë nga ne e kanë provuar këtë mrekulli:
“Nëse jeta, me gjithë hidhërimet e saj, krijon rrezikun e mbytjes së dhantisë së lutjes në shpirtin tonë, mjafton kundrimi i një qielli të qindisur me yje, i një muzgu, i një agimi, i një luleje… për të na e ndezur në shpirt shkëndijën e falënderimit”.
Izraeli në skllavëri lavdëron Zotin, duke menduar Krijimin
Ndoshta pikërisht kjo - vijoi Papa - i ndodhi popullit të Izraelit, “kur u shkrua rrëfimi i madh biblik i Krijimit”. Nuk ishin ditë të lume: toka e pushtuar nga armiqtë, shpërngulja, skllavëria në Mesapotami, humbja e atdheut, e jetës shoqërore e fetare! E megjithatë - sqaroi - pikërisht duke u nisur nga rrëfimi i Krijimit, ndokush nisi të gjejë arsye për falënderim, për ta lavdëruar Zotin, autorin e krijimit.
Kush lutet, e di se shpresa është më e fuqishme se dëshpërimi
Prej këndej mund të themi se lutja është forca e parë e shpresës. Sepse njerëzit e lutjes janë ata, që i përsërisin, në radhë të parë vetvetes, e pastaj edhe të tjerëve, se kjo jetë, pavarësisht nga mundimet dhe provat e panumërta, pavarësisht nga ditët e vështira e nga mjerimet, është plot me hir, që të mrekullon. E si e tillë, duhet ruajtur e duhet mbrojtur gjithnjë!
“Burrat e gratë që luten, e dinë se shpresa është më e fortë se dëshpërimi. Besojnë se dashuria është më e fuqishme se vetë vdekja e se një ditë sigurisht do të ngadhënjejë. Edhe pse në kohë e mënyra që nuk i njohim”.
Tepër e shkurtër, jeta, që ta jetojmë në trishtim
Burrat e gratë e lutjes - përfundoi Papa Françesku - i kanë fytyrat përplot me vezullime drite, sepse për ta vijon të shndrisë dielli edhe në ditët më të zymta:
“Gëzimi nuk i mungon asnjërit prej nesh: kjo jetë është dhuratë e Zotit, që na krijoi e tepër e shkurtër, për t’u jetuar me trishtim. Ta lavdërojmë Zotin, të kënaqur vetëm e vetëm sepse jetojmë. Jemi bij të Mbretit të madh, të aftë për ta lexuar firmën e tij në të gjithë krijimin!”.