Kërko

Papa lutet për të papunët. Shpirti Shenjt na mëson ta kuptojmë gjithnjë më mirë fenë

Gjatë Meshës në Shën Martë, Françesku u lut për ata që vuajnë, sepse kanë humbur punën në këtë kohë pandemie. Kujtoi, më pas përvjetorin e gjetjes së trupit të Shën Timoteos në Katedralen e Termolit. Në homeli, pohoi se Shpirti Shenjt na ndihmon t’i kuptojmë gjithnjë më mirë fjalët e Krishtit: doktrina nuk është statike - theksoi - por zhvillohet në të njëjtin drejtim.

R. SH. - Vatikan

Françesku kryesoi, në Shën Martë, Meshën e së hënës të javës së pestë  të Pashkëve. Në fillim kujtoi 75-vjetorin e rigjetjes së trupit të Shën Timoteut në kriptën e katedrales së Termolit, gjatë punimeve të restaurimit, në vitin 1945. Më pas mendimi i Atit të Shenjtë shkoi tek të papunët:

“Bashkohemi sot me besimtarët e Termolit, në festën e rigjetjes së trupit të Shën Timoteut. Në këto ditë shumë njerëz humbën punën; nuk u pranuan më e punojnë në të zezë… Të lutemi për këta vëllezër e motra, që vuajnë nga mungesa e punës”.

Papa komentoi më pas, Ungjillin e sotëm (Gjn 14,21-26), në të cilin Jezusi  u thotë dishepujve të vet: “Nëse ndokush më do, do t’ia vërë veshin fjalës sime. E Ati im do ta dojë e ne do të vimë tek ai e tek ai edhe do të banojmë. Kush nuk më do, nuk ua vë veshin fjalëve të mia; e fjala, që po dëgjoni, nuk është imja, por e Atit, që më dërgoi. Jua thashë këto gjëra, ndërsa jam akoma pranë jush. Por Ngushëlluesi, Shpirti Shenjt, që Ati  do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë e do t’ju kujtojë gjithçka ju kam thënë”.

“Është premtimi i Shpirtit Shenjt - kujtoi Papa - Shpirtit Shenjt, që banon në ne e që na e dërgojnë Ati e Biri për të na shoqëruar në jetë. Quhet Mbrojtës, domethënë ai që të mbështet, që të shoqëron, për të qëndruar gjithnjë në këmbë e për të mos u rrëzuar”. Atë e kemi gjithnjë pranë për të na mbështetur. Këtë mbështetje na e premtoi vetë Zoti, që është Zot, si Shpirti Shenjt. Po çka bën Shpirti Shenjt në ne? Krishti thotë: Do t’ju mësojë çdo gjë e do t’ju kujtojë gjithçka ju kam thënë”. Të mësojë e të kujtojë! Kjo është detyra e Shpirtit Shenjt. Na mëson: na mëson misterin e fesë, na mëson të hyjmë në mister, të kuptojmë më mirë misterin. Na mëson doktrinën e Krishtit e na mëson edhe ta zhvillojmë fenë tonë pa gabuar, sepse doktrina rritet, por gjithnjë në të njëjtin drejtim: rritet kuptimi i saj. E Shpirti Shenjt na ndihmon ta kuptojmë gjithnjë më mirë çka thotë feja. Feja nuk është gjë statike: doktrina nuk është e amullt, rritet gjithnjë, por rritet në të njëjtin drejtim. E Shpirti Shenjt nuk e lë të gabojë, ashtu si nuk e lë të mbetet amull, pa u rritur në ne. Na thellon mësimet, që na dha Jezusi, zhvillon në shpirtin tonë kuptimin e Fjalëve të Krishtit, e bën të rritet në ne Doktrinën  e Zotit.

E një gjë tjetër, që bën Shpirti Shenjt, është të kujtojë. “Do t’jua kujtojë, çka ju kam thënë”. Shpirti Shenjt është si kujtesa, na zgjon, na mban gjithnjë zgjuar “në gjërat e Zotit”, e na bën të kujtojmë  jetën tonë, çastin kur e takuam Zotin, a kur e braktisëm.

Papa kujtoi një njeri, që lutej kështu para Zotit: “O Zot, unë jam ai që, kur ishte fëmijë e djalosh, kishte këto ëndrra. Pastaj mora rrugë të gabuar. E tani Ti më thirre”. Kjo - kujtoi Papa - është kujtesa e Shpirtit Shenjt në jetën  e njeriut. Të çon te kujtesa e shëlbimit, të kujton çka të mësoi Jezusi, por të sjell në mendje edhe kujtimet e jetës tënde.  Kjo - vijoi Papa - është një mënyrë e mirë për ta lutur Zotin: “Jam i njëjti. Eca shumë, gabova shumë. Po jam ai që isha e ti më do!”. E kjo është kujtesa e udhës së jetës.

E në këtë kujtesë na prin Shpirti Shenjt: na prin për të shqyrtuar çka duhet të bëjmë tani, për të na treguar cila është udha e drejtë e cila e gabuar, edhe kur bëhet fjalë për të marrë vendime të parëndësishme. Nëse kërkojmë dritën e Shpirtit Shenjt, ai do të na ndihmojë të marrim vendimet e duhura, nga më të voglat, deri tek më të mëdhatë. Shpirti na shoqëron, na mbështetet në shoshitjen e problemeve të jetës, na mëson gjithçka. E kështu na bën të rritemi në fe, na prin në mistere, na kujton. Na kujton fenë, na kujton jetën tonë e na mëson  të marrim vendime të drejta. E për këtë Ungjijtë e quajnë Shpirtin Shenjt Paraklit - Ngushëllues. Por ka edhe një emër tjetër të bukur: Dhurata e Zotit. Shpirti Shenjt është Dhurata e Zotit. Shpirti është pikërisht dhuratë: “Nuk do t’ju lë vetëm,  do t’ju dërgoj  një Ngushëllues, që do t’ju ndihmojë të shkoni përpara, të kujtoni, të shqyrtoni e të rriteni. Shpirti Shenjt është dhurata e Zotit”.

“Zoti – ishte lutja përfundimtare e Papës - na ndihmoftë ta ruajmë këtë dhuratë, që ai vetë na e dha në Pagëzim e që ne të gjithë e kemi brenda vetes".

Papa  Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament dhe me bekimin eukaristik, duke i ftuar besimtarët të marrin Kungimin shpirtëror.

Në përfundim, lutja e Papës:

O Krishti im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë tani nuk mund të të marr sakramentalisht, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Të përqafoj njësoj si të kishe ardhur e bashkohem krejtësisht me Ty. Më ndihmo të mos ndahem kurrë prej Teje. Amen!”.

Para se Ati i Shenjtë të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

11 maj 2020, 09:40