Kërko

Vatican News

Papa lutet për studentët dhe mësuesit. Jeta është e krishterë, vetëm në intimitet me Jezusin

Në Meshën kremtuar në Shën Martë, Françesku iu lut Zotit t’u japë studentëve e mësuesve guximin për të shkuar përpara në këtë kohë pandemie. Në homeli pohoi se jeta e krishterë është mistikë, që kërkon të qëndrojmë ne në Jezusin - e Jezusi në ne.

Françesku kryesoi Meshën në Shtëpinë e Shën Martës, në të mërkurën e javës së pestë të Pashkëve, ditë, kur Kisha kremton Zojën e Fatimës. Në fillim, një lutje për studentët e mësuesit:

“Të lutemi sot për studentët, të rinjtë që studiojnë, e për mësuesit, që duhet të gjejnë mënyra të reja për të shkuar përpara në mësimdhënie: Zoti i ndihmoftë në këtë udhë, u dhashtë guxim e edhe suksese”.

Në homeli, Papa komentoi Ungjillin e sotëm (Gjn 15, 1-8) në të cilin Jezusi u thotë dishepujve të vet: “Unë jam hardhia e vërtetë e Ati im është vreshtari. Çdo shermend imi, që nuk sjell fryt, e pret, e çdo shermend, që mbushet me vile, e krasit, që të frytojë… Ashtu si shermendi nuk mund të sjellë fryt nga vetvetja, nëse nuk është i lidhur me hardhinë, kështu edhe ju, nëse nuk rrini të lidhur ngushtë me mua. Unë jam hardhia, ju, shermendët. Kush qëndron në mua, e unë në të, lidh shumë fryte, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë”.

Jetë e krishterë do të thotë “të qëndrosh” në Jezusin. Zoti përdor figurën e hardhisë. Kjo “të qëndrosh” aktive, është edhe reciproke. Edhe ai “qëndron”, në ne. Është misteri i jetës, mister i mahnitës. Shermendët pa hardhinë nuk mund të bëjnë asgjë, sepse kanë nevojë për limftë, që të rriten e të japin fryt, por edhe hardhia ka nevojë për shermendët; është nevojë e anasjelltë, për të dhënë fryt. Ndryshe, nuk mund të ketë fryte! E kjo është jeta e krishterë: po, është të zbatosh urdhërimet, të jetosh lumnitë  e të bësh vepra mëshire, por jo vetëm kaq, është shumë më tepër: është kjo “të qëndrosh”, “të rrish”, reciproke. Ne, pa Jezusin, nuk mund të bëjmë asgjë. E duket se pa ne - më lejo të ta them këtë, o Zot - as Krishti nuk mund të bëjë asgjë. Është intimitet i frytshëm. Hardhia ka nevojë të lidhë e të pjekë fryte. Jezusi ka nevojë për dëshminë tonë: është nevojë e Krishtit që ne të japim dëshmi. Është mister “kjo ndenje” reciproke. Na bën mirë të mendojmë për këtë; ne, të qëndrojmë në Jezusin e Jezusi, në ne. Ne, për të pasur shëlbimin pa shpërblim e Ai për të na dhënë forcën e dëshmisë me të cilën rritet Kisha. Është lidhje intimiteti, lidhje mistike, pa fjalë: nuk është vetëm për mistikët, është për ne të gjithë: “O Zot, më jep forcë, e do të bëj gjithçka do të më kërkosh!”. Dialog intim. Zoti - përfundoi Papa - na ndihmoftë ta kuptojmë e ta ndjejmë këtë mistikë të “qëndrimit” bashkë!

Papa  Françesku i ftoi besimtarët të kungohen shpirtërisht, me këtë lutje:

O Krishti im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë tani nuk mund të të marr sakramentalisht, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Të përqafoj njësoj si të kishe ardhur e bashkohem krejtësisht me Ty. Më ndihmo të mos ndahem kurrë prej Teje. Amen!”.

Ati i Shenjtë e përfundoi kremtimin me adhurimin dhe bekimin eukaristik. Së fundi, me rastin e përkujtimit të sotëm, u kënduan dy strofa të Falemrisë së Fatimës:

Më 13 maj

iu duk Maria,

barinjve të vegjël

në Cova d’Iría:

Të falemi Mari!

O e bukura Nënë,

që në qiell mbretëron.

Populli besnik

në gjunj të kërkon!

Të falemi Mari!

13 maj 2020, 09:19