Kërko

Vatican News
 Popujt e Amazonës Popujt e Amazonës 

Papa lutet për popujt e pambrojtur të Amazonës, të prekur rëndë nga pandemia

Ditën e Rrëshajëve, pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Françesku nxiti për t’iu lutur Shpirtit Shenjt që “t’i japë dritë e forcë Kishës dhe shoqërisë së Amazonës, të prekur rëndë nga emergjenca e koronavirusit. Duhet të mjekohen njerëzit, që kanë më rëndësi se ekonomia”- kujtoi Ati i Shenjtë.

R. SH. - Vatikan

Duke kujtuar, pas lutjes së Mbretereshës Qiellore, Sinodin amazonik, në Solemnitetin e Rrëshajëve, Papa ftoi për t’iu lutur Shpirtit Shenjt t’i japë dritë e forcë Kishës e shoqërisë, në Amazonën e vënë në provë të rëndë nga pandemia:

“Shumë u infektuan e pati edhe shumë të vdekur, edhe ndërmjet popujve autoktonë, posaçërisht të pambrojtur. Me ndërmjetësimin e Marisë, Nënë e Amazonës, lutem për më të varfërit e më të pambrojturit e kësaj zone të dashur, por edhe për ata të mbarë botës, e bëj thirrje  që të mos i mungojë askujt ndihma shëndetësore”.

Kujdes ndaj të afërmit

Në Itali – vijoi të kujtojë Papa - sot kremtohet Dita e lehtësimit të dhimbjes, për promovimin e solidaritetit ndaj të sëmurëve:

“Përsëris vlerësimin tim për të gjithë ata që, sidomos në këtë periudhë, dhanë e vijojnë të japin dëshmi kujdesi ndaj të afërmit”.

Gëzuar Rrëshajët!

Së fundi, urimi:

“Gëzuar të Dielën e Rrëshajëve! Kemi shumë nevojë për  dritën dhe forcën e Shpirti Shenjt! Ka nevojë Kisha, për të ecur me guxim e harmoni, duke dëshmuar Ungjillin. E ka nevojë mbarë familja njerëzore, për të dalë nga kjo krizë më e bashkuar e jo më e përçarë”.

E ky ishte edhe urimi i fundmë i Papës në kremtimin e këtyre Rrëshjaëve të jashtëzakonshme, të prekura rëndë nga sëmundja, por përplot me dëshirën për të dalë prej kësaj situate më të fortë në shëndetin e shpirtit e të korpit”.

31 maj 2020, 12:33