Kërko

Vatican News

Papa lutet për artistët: Ungjilli nuk mund të kuptohet pa të bukurën

Në Meshën kremtuar në Shën Martë, Papa u lut për artistët e i kërkoi Zotit t’i bekojë.

R. SH. - Vatikan

Françesku kryesoi sot, në Shën Martë, Meshën e të enjtes të javës së katërt të Pashkëve. E nisi duke i kujtuar e duke i falënderuar përsëri artistët:

“Dje mora një letër nga një grup artistësh: na falënderonin për lutjen që bëmë për ta. Dëshiroj t’i lutem Zotit t’i bekojë, sepse përmes artistëve kuptojmë ç’është bukuria. E, pa të bukurën, Ungjilli nuk mund të kuptohet. Të lutemi përsëri për artistët”.

Gjatë homelisë Papa komentoi një fragment, shkëputur nga Veprat e Apostujve (Vap 13,13-25), në të cilin Pali, që kishte arritur në Antioki të Pisidies, shpjegon, në sinagogë, historinë e popullit të Izraelit, duke kumtuar se Krishti është Shëlbuesi i shumëpritur. Kur Pali shpjegon doktrinën e re - pohoi Françesku - flet për historinë e shëlbimit. Mbas Jezusit është një histori hiri, është historia e zgjedhjes, e premtimit; Zoti zgjodhi Abrahamin dhe eci me popullin e vet. Është historia e Zotit me popullin e vet. Pali nuk nis nga Jezusi, nis nga historia. Krishterimi nuk është vetëm doktrinë, por edhe histori, që e sjell këtë doktrinë. Krishterimi nuk është vetëm etikë: është shumë më tepër. Të krishterët nuk janë elitë! Të jesh i krishterë do të thotë t’i përkasësh një populli të zgjedhur nga Zoti. Nëse nuk kemi vetëdijen se i përkasim një populli, atëhere jemi të krishterë ideologjikë, por jo të krishterë të vërtetë. Shpesh bijmë në këtë kuptim të pjesshëm: përmasa elitare na bën shumë keq. Na bën të harrojmë se i përkasim popullit të Zotit. E humbasim vetëdijen e kësaj përkatësie. Mos i harroni paraardhësit - na kujton Letra drejtuar Hebrenjve. Devijimi më i rrezikshënm i të krishterëve është mungesa e kujtesës se i përkasin  një populli: prej këndej vijnë dogmatizmat, moralizmat, lëvizjet elitare. Populli nuk gabon. Zakonisht ecën pas një premtimi e ka lidhur një besë. Jemi populli shenjt e besnik i Zotit, që ka nuhatjen e Zotit e është i pagabueshëm në besim.

Mesha vijoi me kungimin shpirtëror e me lutjen e Papës.

Lutja e Papës:

“Tek këmbët tua, o Krishti im, përkulem e të ofroj pendimin e zemrës së thyer, thellësisht të penduar para pranisë Sate Shenjte. Të adhuroj në Eukaristi, në Sakramentin e dashurisë tënde! Dëshiroj të të marr nën strehën e varfër, që ta ofron zemra ime: në pritje të lumturisë së kungimit sakramentor, dua të të kem në shpirt. Eja tek unë, Jezus, që të mund të vij tek Ti. Dashuria jote e përflaktë gjithë qenien time, për jetë e vdekje. Besoj në Ty! Shpresoj në Ty! Të dua, Zoti im!”.

Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin  dhe bekimin eukaritik.  Para se të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

07 maj 2020, 08:18